Skip to main content

Citizens.al

Llogaritë e mbyllura në Instagram, Rama mohon përfshirjen; EDP kërkon transparencë

Mbyllja dhe kufizimi i dhjetëra llogarive në rrjetet sociale të aktivistëve, qytetarëve të angazhuar në protestat e Revolucionit Flamingo dhe përfaqësuesve të opozitës solli një përplasje mes kryeministrit Edi Rama dhe Partisë Demokratike Evropiane (EDP).

Të dyja palët shkëmbyen përgjigje ndaj njëri-tjetrit në rrjetin social X, pasi Demokratët Evropianë reaguan ndaj raportimeve për mbylljen dhe kufizimin e llogarive në Instagram.

“Liria e shprehjes dhe kundërshtimi politik janë të drejta themelore demokratike. Një vend që po përparon drejt anëtarësimit në BE duhet të mbrojë çdo zë kritik që shprehet në mënyrë paqësore”, shkroi EDP.

Reagimi i kryeministrit Rama ishte i drejtpërdrejtë. Ai e akuzoi EDP-në për “propagandë të ulët” dhe mohoi çdo përfshirje të qeverisë në mbylljen apo kufizimin e llogarive.

“Ne nuk kemi absolutisht asnjë lidhje me çaktivizimin apo kufizimin e ndonjë llogarie në rrjetet sociale dhe as nuk zotërojmë kapacitetin teknik për të kryer një operacion të tillë”, shkroi Rama.

Kryeministri shkoi më tej, duke iu referuar “burimeve dashakeqe”, të cilat, sipas tij, synojnë t’i japin jetë një proteste që “tashmë ka humbur vrullin”.

“Po sikur e gjithë kjo manovër të vijë nga të njëjtat burime dashakeqe që ushqyen të ashtuquajturin ‘Revolucioni Flamingo’, shumë prej të cilave ushqyen edhe kaosin në Ceuta?”, shkroi Rama.

Demokratët Evropianë iu përgjigjën Ramës duke theksuar se nuk e kishin akuzuar qeverinë shqiptare se qëndronte pas mbylljes së llogarive, qëndrim i përsëritur edhe në një përgjigje të dërguar sot për Citizens.al.

“Mohimi kategorik i kryeministrit Rama është sigurisht i mirëpritur. Por ai nuk i përgjigjet pyetjes themelore: pse kaq shumë llogari që u përkisnin figurave të opozitës, aktivistëve dhe qytetarëve të përfshirë në të njëjtën lëvizje protestuese u kufizuan ose u çaktivizuan pothuajse në të njëjtën kohë?”, tha EDP-ja për Citizens.al.

Sekretari i Përgjithshëm i EDP-së, Sandro Gozi, tha se kërkesa e tyre ishte për transparencë dhe jo një akuzë ndaj qeverisë.

“Fyerjet nuk u përgjigjen pyetjeve. Ne nuk kemi pretenduar asnjëherë se qeveria shqiptare ishte përgjegjëse. Ajo që kërkuam ishte shumë e thjeshtë: transparencë nga Meta dhe vëmendje nga Komisioni Evropian”, tha Gozi.

Ai shtoi se, nëse ekziston një shpjegim teknik për mbylljen e llogarive, Meta duhet ta bëjë atë publik.

“Nëse ekziston një shpjegim teknik plotësisht legjitim, Meta duhet ta japë atë. Nëse ka pasur abuzim të koordinuar me sistemin e raportimit, edhe këtë duhet ta dimë. Transparenca është në interes të të gjithëve, përfshirë edhe qeverinë shqiptare”, tha Gozi.

EDP tha gjithashtu se i ka kërkuar Meta-s transparencë dhe Komisionit Evropian që ta shqyrtojë rastin. Deri të premten, më 4 shtator, sipas EDP-së, Meta nuk i kishte kthyer përgjigje kërkesës së saj.

Për EDP-në, kjo është arsyeja pse çështja kërkon transparencë dhe jo akuza.

“Për ne, kjo mbetet një çështje legjitime e lirisë së shprehjes, pluralizmit politik dhe transparencës në mënyrën se si platformat e mëdha digjitale zbatojnë sistemet e tyre të moderimit”, thuhet në përgjigjen e EDP-së për Citizens.al.

Meta ka pranuar se disa prej llogarive të prekura janë hequr gabimisht. Në një përgjigje për BIRN, kompania tha se po rishikon masat e marra ndaj llogarive dhe se disa prej tyre tashmë janë rikthyer. Meta kërkoi gjithashtu ndjesë për shqetësimin e shkaktuar.

Kompania, megjithatë, nuk ka dhënë deri tani një shpjegim të plotë për arsyet që çuan në mbylljen e llogarive apo nëse raportimet e shumta ndaj tyre kanë qenë të koordinuara.

Në orët e para të mëngjesit të 2 shtatorit, dhjetëra llogari në Instagram u kufizuan ose u mbyllën pothuajse njëherazi. Aktivistët e prekur thanë për Citizens.al se humbën aksesin në llogaritë e tyre pa paralajmërim, rreth orës 01:00, ndërsa qytetarë dhe aktivistë të tjerë ishin ndeshur me situata të ngjashme edhe ditë më parë.

Rastet janë ndjekur edhe nga “Repro Uncensored”, organizatë ndërkombëtare që dokumenton censurën digjitale dhe mbështet përdoruesit në rikthimin e llogarive. Sipas themelueses dhe drejtoreshës ekzekutive të saj, Martha Dimitratou, organizata ka dokumentuar dhjetëra raste censurimi të llogarive shqiptare të lidhura me “Revolucionin Flamingo” vetëm gjatë ditëve të fundit.

Ajo thotë se në rastet e trajtuara nga organizata janë konstatuar edhe kufizime të shtrirjes së përmbajtjeve, bllokime të funksioneve të bashkëpunimit dhe çaktivizime të plota të llogarive. Shumica e rasteve, sipas saj, kanë ndodhur në platformat e Meta-s dhe në TikTok.

“Repro Uncensored” thotë se nuk ka gjetur prova që përmbajtjet e protestës të kenë shkelur realisht të drejtat e autorit apo rregullat e platformave. Në disa raste, sipas organizatës, pas ndërhyrjes së saj, Meta ka pranuar se heqjet ishin bërë gabimisht.

Lexo gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *