Disa prej llogarive në Instagram dhe platforma të tjera sociale që prej javësh kanë publikuar materiale nga protesta “Revolucioni Flamingo” janë mbyllur ose kufizuar në mënyrë të njëkohshme gjatë natës së 2 shtatorit.
Aktivistët e prekur thonë se e kanë humbur aksesin në llogaritë e tyre pa paralajmërim rreth orës 01:00 të natës. Arjan Koçi, i njohur në Instagram si “Ari Shady”, thotë se llogaria e tij u nxor jashtë sistemit pa marrë më parë një njoftim për shkelje apo mundësi apelimi.
“Vetëm kur ka ikur faqja, bëri log out. Pa një e-mail, pa një opsion paralajmërues, pa një njoftim që thotë “kujdes!’.”, tregon Koçi për Citizens.al.
Sipas tij, menjëherë pas kësaj ai kontaktoi protestues të tjerë dhe konstatoi se disa prej tyre kishin humbur llogaritë në të njëjtën kohë.
“Pastaj kërkova shokët e tjerë dhe atyre iu fikën të gjithëve në të njëjtën kohë. Të gjithëve! Në orën 1:00, 100 account-e janë bllokuar. Të gjitha”, thotë ai.
Arjan Koçi ishte përballur edhe më parë me kufizime të llogarisë. Ai thotë se fillimisht videot e tij ishin raportuar për shkelje të pretenduara të të drejtave të autorit.
“Kam postuar videon me Altinin që i hapëm “GoFundMe”. Kisha postuar videon me diasporën e Gjermanisë. Një video duke folur me një xhaxha që tha ‘Bravo për punën që bën!’. Video me flamur, video të zjarrfikësve”, shprehet ai.

Pas disa raportimeve, llogaria e tij u mbyll për dy ditë. Koçi iu drejtua më pas “Repro Uncensored”, një organizatë globale që dokumenton censurën digjitale dhe ndihmon në rikthimin e llogarive. e cila ndihmoi ta rikthente.
“Ma kthyen për një ditë e gjysmë”, thotë Arjan Koçi. Megjithatë, sipas tij, pas rikthimit pati kufizime të tjera, përfshirë bllokimin e funksionit “collab” dhe ulje të ndjeshme të shtrirjes së postimeve, të njohur si “shadow ban”.
Koci e lidh këtë valë raportimesh me aktivitetin e tij gjatë protestës.
“Për protestat. Për protestat, për të na mbyllur gojën”, thotë ai.
Nga raportimet për të drejtën e autorit te mbylljet e llogarive
Edhe aktivistja Ina Derguti thotë se sulmet ndaj llogarisë së saj personale kishin nisur që në mesin e gushtit.
“Më kanë sulmuar në account-in tim personal duke filluar nga mesi i gushtit, për gati një javë të tërë me reporte false mbi fotot e mia origjinale, derisa arritën të ma bënin suspended”, thotë Derguti.
Sipas saj, raportimet vinin çdo ditë ndaj postimeve të ndryshme, qoftë edhe ndaj postimeve pa lidhje me protestën në mënyrë që të arrihej mbyllja e plotë e profilit të saj në instagram.

Derguti thotë se i ishte sugjeruar ta çaktivizonte përkohësisht llogarinë, por nuk pranoi.
“Refuzova me idenë që ky ishte qëllimi i kujtdo që fshihet pas kësaj skeme për të na censuruar, trembur apo edhe për të ndërhyrë në algoritmin e të gjithe profileve që po raportojnë protestën”, u shpreh Ina Derguti për Citizens.al.
Të njëjtën situatë ka kaluar edhe Alesia Burnazi, e cila përgjatë protestës së Revolucionit Flamingo ka publikuar video edhe në gjuhën angleze, me qëllim që protesta të njihej ndërkombëtarisht.
“Sulmet nga Meta kanë filluar javë më parë, më datën 19 gusht kur Instagrami filloi të më hiqte video nga protesta e Revolucionit Flamingo. M’u kufizua llogaria dhe nuk mund të bëja dot collab”, thotë Burnazi.
Sipas saj, gjatë ditëve në vijim u hoqën rreth 10 video nga profili i saj personal, me arsyetimin shkeljes së të drejtave të autorit. Mes materialeve të hequra, ajo përmend video që lidhen me ardhjen e diasporës shqiptare dhe konferencën ndërqeveritare me Marta Kos në Bruksel.

Burnazi thotë se pas apelimit, videot u rikthyen. Por më 3 shtator, llogaria u mbyll plotësisht dhe këtë herë ajo nuk kishte marrë as email nga Meta dhe as mundësi për të apeluar.
“Kjo është një censurë digjitale ndaj fjalës së lirë dhe gazetarisë së pavarur në Shqipëri. Unë kam raportuar në anglisht që në ditët e para të Revolucionit Flamingo, në një moment kyç, ku mediat tradicionale shqiptare vendosën të heshtnin. Rrjetet sociale u bënë zeri i qytetarëve, ku mobilizohej e ndahej informacion në lidhje me protestën”, thotë Burnazi.
Edhe faqja “Studentët Denoncojnë”, e cila sipas administratorit të saj funksiononte prej tetë vitesh, është përballur me mbyllje dhe kufizime. Aurel Kujtimi thotë se faqja ishte mbyllur rreth fillimit të protestave, pas një serie bllokimesh që ai i kishte lidhur me aktivitetin në rrjetet sociale.
“Herën e tretë mu çaktivizua faqja për shkak të protestave, sa bëra një status për shkak të protestave dhe në atë moment, në mëngjes, siç iu është mbyllur shumicës sot në të njëjtën orë, në të njëjtën orë mu mbyll edhe mua”, tregon Kujtimi.

Ai thotë se ka kontaktuar disa herë mbështetjen e Meta-s, por nuk ka marrë një shpjegim konkret për arsyen e mbylljes. Sipas tij, edhe aktiviteti në TikTok është kufizuar, ku i është bllokuar funksioni “live” gjatë kohës që raportonte për protestën.
“Thjesht jemi shënjestruar, me pak fjalë”, thotë Kujtimi.
Në të njëjtin kalvar kaloi edhe faqja “Studentët n’protestë”, pesë ditë më parë. Ata u përballën me raportime të përmbajtjes, heqje postimesh dhe kufizim të llogarisë në Instagram, ndërsa ky grupim ka qenë mjaft aktiv në protestat e Revolucionit Flamingo, përmes aksioneve simbolike dhe mesazheve të përcjella kundrejt kasës së vjetër politike.
“Tani që shtatori po vjen dhe studentët po rikthehen në kryeqytet, pushteti po përpiqet të heshtë zërin e tyre”, u shprehën ata në rrjetet e tyre sociale.
Të njëjtë situatë po e kalojnë edhe qytetarë dhe aktivistë të tjerë në rrjete sociale, sikurse: Gentian Progni, Jurgen Shperdhea, Erikleo Cepa dhe faqet “Antidroga07”, “MashurkBazike5g”, “Flamingo Revolution” si dhe drejtuesi i Partisë Mundësia Agron Shehaj.
“Repro Uncensored”: Ka prova për shënjestrim të koordinuar
Rastet janë ndjekur edhe nga “Repro Uncensored”, organizatë ndërkombëtare që dokumenton censurën digjitale dhe mbështet përdoruesit në rikthimin e llogarive. Sipas themelueses dhe drejtoreshës ekzekutive të saj, Martha Dimitratou, organizata ka dokumentuar dhjetëra raste censurimi të llogarive shqiptare të lidhura me “Revolucionin Flamingo” vetëm gjatë ditëve të fundit.
“Postimet dhe videot po hiqen me një ritëm shumë të shpejtë, ndërsa disa nga faqet e prekura kanë marrë më shumë se 15 raportime për shkelje të të drejtave të autorit, përpara se e gjithë llogaria të çaktivizohej”, thotë Martha Dimitratou.
Ajo thotë se në rastet e trajtuara nga organizata janë konstatuar edhe kufizime të shtrirjes së përmbajtjeve, bllokime të funksioneve të bashkëpunimit dhe çaktivizime të plota të llogarive. Shumica e rasteve, sipas saj, kanë ndodhur në platformat e Meta-s dhe TikTok.
“Modeli më i qartë që përsëritet është përdorimi i ankesave për të drejtat e autorit kundër aktivistëve, gazetarëve, organizatorëve të protestave dhe personave të tjerë që dokumentojnë demonstratat. Disa llogari janë shënjestruar në mënyrë të përsëritur, ndërsa edhe llogaritë zëvendësuese të krijuara pas pezullimit janë çaktivizuar”, thotë Dimitratou.
“Repro Uncensored” thotë se nuk ka gjetur prova që përmbajtjet e protestës të kenë shkelur realisht të drejtat e autorit apo rregullat e platformave. Në disa raste, sipas organizatës, pas ndërhyrjes së tyre, Meta ka pranuar se heqjet ishin bërë gabimisht.
Sipas Dimitratou, mënyra se si funksionon sistemi i raportimeve për copyright mund të krijojë hapësirë për abuzim. Një person mund të pretendojë se është pronar i një materiali që nuk e ka krijuar dhe platforma mund ta heqë përmbajtjen përpara se pretendimi të shqyrtohet në mënyrë të plotë. Më pas, barra bie mbi përdoruesin që duhet të apelojë vendimin.
“Inteligjenca artificiale duket se përfshihet jo vetëm në identifikimin e përmbajtjeve të supozuara problematike, por edhe në shqyrtimin e apelimeve dhe kërkesave për rikuperimin e llogarive”, thotë ajo.
Dimitratou thotë se organizata ka edhe prova që, në një rast të hetuar, një person që raportonte në mënyrë të përsëritur llogarinë e Arjan Koçit kishte marrë 1,800 dollarë në kriptomonedhë për të shënjestruar Koçin dhe aktivistë të tjerë. Organizata thotë se personi kishte përdorur edhe një numër telefoni amerikan, por thekson se ky fakt nuk përcakton identitetin apo vendndodhjen e tij dhe nuk provon ndonjë lidhje me aktorë politikë.
“Repro Uncensored po heton se kush e porositi dhe financoi këtë aktivitet, cilat llogari të tjera ishin përfshirë në operacion dhe nëse këto incidente janë të ndërlidhura”, thotë Dimitratou.
Ajo shton se koha e mbylljeve, ngjashmëria e metodave dhe fakti që llogari të shumta të lidhura me të njëjtën protestë janë goditur në të njëjtën periudhë përbëjnë, sipas organizatës, arsye për një hetim të mëtejshëm.
“Kur një pjesë kaq e madhe e aksesit të publikut në informacionin mbi një lëvizje proteste pengohet, kjo bëhet çështje e pjesëmarrjes demokratike dhe jo thjesht një seri dështimesh individuale të moderimit të përmbajtjeve”, thotë Dimitratou.
Të njëjtin shqetësim e ngre edhe hulumtuesja e pavarur Megi Reçi. Sipas saj, mekanizmi i raportimeve në Instagram dhe platforma të tjera mund të abuzohet përmes fushatave të koordinuara, ku një grup personash ose llogari të automatizuara raportojnë njëkohësisht të njëjtën llogari apo përmbajtje.
“Këto raportime mbërrijnë në sistemet e moderimit të platformës, të cilat në shumë raste mbështeten në procese automatike dhe jo domosdoshmërisht në rishikim njerëzor”, shpjegon Reçi.
Ajo thotë se automatizimi mund të rrisë rrezikun që përmbajtja të vlerësohet pa kontekstin e duhur dhe një numër i madh raportimesh të çojë në heqjen e një materiali me interes publik ose pezullimin e një profili legjitim.
Në rastin shqiptar, sipas Reçit, problemi bëhet më i rëndësishëm për shkak të fazës në të cilën ndodhet kuadri rregullator për platformat online dhe procesit të harmonizimit me Rregulloren e BE-së për Shërbimet Digjitale (DSA).
“Pezullimet ose kufizimet e koordinuara të llogarive mund të ndikojnë mbi komunikimin ndërmjet aktivistëve, informimin dhe mobilizimin e qytetarëve, si dhe dokumentimin e protestave apo shkeljeve, duke kufizuar në praktikë hapësirën qytetare dhe mundësitë për ushtrimin e lirisë së shprehjes online”, thotë ajo.
Dimitratou e cilëson situatën në Shqipëri si “sistematike” dhe thotë se hetimi i Repro Uncensored do të vijojë për të përcaktuar se kush qëndron pas raportimeve dhe nëse ka një lidhje mes rasteve të ndryshme.
Megjithatë, deri në këtë fazë nuk ka prova publike që të përcaktojnë përfundimisht se kush i ka urdhëruar apo financuar raportimet. Vetë Repro Uncensored thekson se po heton këtë hallkë të zinxhirit dhe nuk ia atribuon aktualisht përgjegjësinë ndonjë aktori politik të caktuar.
Demokratët Evropianë i kërkojnë Meta-s sqarime dhe Komisionit Europian të hetojë rastin
Partia Evropiane Demokratike (EDP) ka kërkuar zyrtarisht nga Meta sqarime urgjente mbi pezullimin e dhjetëra llogarive shqiptare të lidhura me opozitën, aktivistët dhe protestat kundër qeverisë, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i EDP-së dhe eurodeputeti Sandro Gozi e ka paraqitur çështjen përpara Komisionit Europian përmes një pyetjeje parlamentare.
Në deklaratën e publikuar më 3 shtator, EDP i ka kërkuar Meta-s të sqarojë arsyet e pezullimeve, nëse ato kanë ardhur si pasojë e raportimeve masive të koordinuara apo sistemeve të automatizuara të moderimit, si dhe nëse kompania ka identifikuar përpjekje të organizuara për të manipuluar mekanizmat e raportimit. EDP kërkon gjithashtu të dijë nëse Meta ka marrë kërkesa apo komunikime në lidhje me këto llogari nga autoritete publike apo aktorë politikë shqiptarë.
“Kur dhjetëra llogari të opozitës dhe aktivistëve të lidhura me të njëjtën lëvizje proteste zhduken pothuajse njëkohësisht, nuk mund ta trajtojmë thjesht si një problem teknik. Meta duhet të shpjegojë çfarë ndodhi dhe duhet ta bëjë këtë shpejt”, deklaroi eurodeputeti Sandro Gozi.
Gozi theksoi se kërkesa nuk përbën një akuzë ndaj një aktori të caktuar, por se transparenca e platformave është thelbësore kur bëhet fjalë për lirinë e shprehjes dhe pluralizmin politik.
“Platformat digjitale janë bërë pjesë e hapësirës sonë publike demokratike dhe me këtë fuqi vjen edhe përgjegjësia për të garantuar transparencë dhe mekanizma efektivë mbrojtës”, tha ai.
Çështja tashmë është adresuar edhe në Komisionin Europian, të cilit EDP i kërkon të kërkojë sqarime urgjente nga Meta dhe ta shqyrtojë rastin në kontekstin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, të drejtave themelore dhe pluralizmit politik.
“Anëtarësimi në BE nuk ka të bëjë vetëm me integrimin ekonomik: ai nënkupton mbrojtjen e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtës së qytetarëve dhe forcave opozitare për të folur lirshëm”, u shpreh Gozi.
EDP kërkon gjithashtu që llogaritë e prekura t’i nënshtrohen menjëherë një shqyrtimi njerëzor dhe të rikthehen ato për të cilat nuk mund të provohet një shkelje reale e rregullave të Instagramit.

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).