Për 93 ditë, protestat e përditshme para Kryeministrisë ishin zhvilluar pa përplasje fizike mes protestuesve dhe policisë. Përjashtim bënin zhvendosjet drejt Parlamentit në ditët e seancave plenare. Por mbrëmjen e 1 shtatorit, në ditën e 94-t të protestës, situata ndryshoi.
Pasi mësuan se kryeministri Edi Rama ndodhej brenda Kryeministrisë, protestuesit u larguan nga hapësira ku ishin grumbulluar prej muajsh dhe u zhvendosën drejt një prej hyrjeve të tjera të godinës. Ata bllokuan hyrjen dhe nisën të thërrisnin “Je i rrethuar”, si një mesazh simbolik se, sipas tyre, e vetmja zgjidhje politike për kryeministrin është dorëheqja.
Rreth orës 20:40, forcat e policisë nisën të shtynin protestuesit për të hapur rrugën për lëvizjen e kryeministrit. Ndërhyrja hasi në rezistencën e protestuesve dhe situata u përshkallëzua në përplasje trup më trup, ndërsa disa prej tyre u shoqëruan në komisariate.
Andi Tepelena, një prej protestuesve të shoqëruar gjatë përplasjeve para Kryeministrisë, thotë se ndërhyri për t’i kërkuar policisë të mos e përshkallëzonte situatën.
“Shkova të ndihmoja Arbenin (protestues), i cili po i bënte thirrje policisë të mos agravonte situatën. Pra, Beni kishte një rol shumë neutralizues. Atë e morën 7-8 policë, duke e tërhequr zvarrë si kafshë.”
Sipas Tepelenës, ai shkoi t’u kërkonte efektivëve shpjegime për mënyrën se si po vepronin, por përfundoi vetë në komisariat.
“Unë shkova t’u them policëve çfarë po bëni, dhe aty më kapën edhe mua. Më mbajtën katër orë në komisariat”, u shpreh Tepelena, duke shtuar se pasi policia u kërkoi protestuesve të lëviznin, ata u zhvendosën në trotuar, por pavarësisht kësaj, ndërhyrja e efektivëve vijoi.
Sipas njoftimit të policisë, 14 persona u arrestuan gjatë mbrëmjes së 1 shtatorit, ndërsa tre të tjerë po procedohen penalisht në gjendje të lirë. Por jo të gjithë u morën drejtpërdrejt nga zona pranë Kryeministrisë. Disa u shoqëruan më vonë, gjatë marshimit të protestuesve drejt Komisariatit nr. 3, ku ata shkuan për të kërkuar lirimin dhe për të mbështetur personat e shoqëruar.
Qytetarët u nisën drejt ambienteve të paraburgimit dhe, menjëherë pas largimit të tyre, kryeministri Rama doli nga Kryeministria.
Përplasjet para Komisariatit nr. 3

Kordon policor, datë 01.09.2026, përballë IEVP “302”, foto: Citizens.al
“Nuk jeni vetëm”, thërrisnin njëzëri protestuesit në rrugën “Mine Peza”, ku ndodhet IEVP 302, institucioni ku mbahen disa prej të arrestuarve.
Pikërisht në këtë zonë, përplasjet mes policisë dhe protestuesve u përshkallëzuan. Efektivët i larguan protestuesit me forcë nga rruga kryesore dhe i shtynë drejt një rrugice, në përpjekje për të shpërndarë grumbullimin dhe për të rikthyer qarkullimin. Por edhe këtu protestuesit vijuan rezistencën.
“…tubuesit bënë rezistencë aktive, u ulën në rrugë, vijuan bllokimin e hyrjes së institucionit dhe të rrugës, si dhe goditën dhe shtynë punonjësit e Policisë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Por avokati Lulzim Tanushi, i cili përfaqëson dy prej personave të shoqëruar, dy vajzat e vetme mes 14 protestuesve të arrestuar, thotë se ndërhyrja e policisë ishte disproporcionale, veçanërisht sa i përket përdorimit të forcës për shpërndarjen e protestuesve.
“Personalisht kam dy vajza që i përfaqësoj. Policia ka vepruar në mënyrë disproporcionale në veprimet e saj, sa i përket përdorimit të forcës për shpërndarjen e protestuesve.”, shprehet avokati Tanushi.
Edhe protestuesit thonë se ishin ata që u shtynë dhe u dhunuan nga efektivët e policisë dhe se shumë prej tyre u shoqëruan me forcë.
Sipas avokatit, protestuesit ligjërisht mund të mbahen deri në 96 orë, në varësi të vendimmarrjes së prokurorisë dhe gjykatës.
“Ligjërisht protestuesit mund të mbahen 96 orë. 48 orë ka afat prokuroria për të urdhëruar lirimin e protestuesve, duke konstatuar arrestimin nga ana e policisë si të paligjshëm. Personalisht nuk besoj që do të vijohet me këtë drejtim”, shprehet avokati.
Sot, në ditën e 95-të të protestave të përditshme, një pjesë e protestuesve janë zhvendosur drejt ambienteve të paraburgimit pranë Komisariatit nr. 3, ku kërkojnë lirimin e menjëhershëm të të arrestuarve. Përmes këtij aksioni, ata u kanë bërë thirrje qytetarëve t’u bashkohen dhe të organizohen masivisht në protestën e ditës së 95-të.

Vjolanda Peca ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Prej disa vitesh është e angazhuar në gazetari, me fokus raportimin investigativ, verifikimin e fakteve dhe prodhimin multimedial. Është angazhuar në disa media televizive dhe online, ku ka raportuar mbi çështje të krimit të organizuar, korrupsionit, transparencës publike, të drejtave të njeriut, çështjeve sociale dhe fenomeneve që prekin grupet e margjinalizuara.