Mbi 25 protestues u shoqëruan në komisariat gjatë protestës së zhvilluar këtë të enjte përpara Parlamentit, ku qindra qytetarë u mblodhën ndërsa brenda godinës deputetët zhvillonin seancën plenare. Numri pritet të konfirmohet nga policia e cila ende nuk ka publikuar një deklaratë zyrtare.
Tubimi, i cili sipas organizatorëve shënonte ditën e fundit të një serie protestash të zhvilluara përballë Kuvendit, përsëriti kërkesat e artikuluara në protestë.
Ashtu si në protestat e mëparshme, zona përreth Parlamentit u rrethua me barriera metalike dhe forca të shumta policie, të vendosura për t’i mbajtur protestuesit larg hyrjeve të Kuvendit dhe itinerarit ku kalonin automjetet e deputetëve.
Tensionet nisën rreth orës 10:00, kur situata mes protestuesve dhe forcave të rendit u përshkallëzua. Policia përdori ujë me presion nga dy autobotë, gaz lotsjellës dhe spraj me piper për të shpërndarë turmën, ndërsa protestuesit u kundërpërgjigjën duke hedhur vezë dhe domate drejt kordonit policor dhe automjeteve të deputetëve.
Për disa minuta, hyrja e Parlamentit u kthye arenën e përplasjeve mes qytetarëve dhe policisë. Protestuesit vijuan thirrjet “Rama, jep dorëheqjen”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Parlamenti i krimit”, teksa kërkonin ndryshime politike.
Pas ndërhyrjes së policisë, disa protestues u shoqëruan në komisariat, kryesisht në komisariatet nr. 1 dhe nr. 3. Sipas monitorimit të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, deri në orën 17:00, vetëm në Komisariatin nr. 1 ishin shoqëruar 18 persona.
Përfaqësuesi i Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Zylyftar Bregu, tha për Citizens.al se gjatë monitorimit në komisariat u konstatuan disa raste që kërkojnë vëmendje, veçanërisht për mënyrën e shoqërimit të disa protestuesve. Sipas tij, dy prej të shoqëruarave nuk e kishin të qartë arsyen e kufizimit të lirisë.
“Dy zonja ishin të ngarkuara psikologjikisht dhe të paqarta për motivin e shoqërimit. Njëra thoshte: ‘Unë thjesht po filmoja, nuk po bëja asgjë’, ndërsa tjetra pohonte gjithashtu se nuk kishte bërë asgjë. Nga meshkujt, ishte një person i plagosur në kokë dhe në krah, i cili ishte marrë nga Spitali Ushtarak”, u shpreh Bregu.
Nga 18 personat e shoqëruar, pesë ishin marrë në pyetje dhe ishin lënë të lirë, ndërsa 13 të tjerë vijonin procedurat.
Gazetarja e Citizens.al shoqërohet gjatë raportimit
Mes personave të shoqëruar në komisariat ishte edhe gazetarja e Citizens.al, Vjolanda Peca, e cila u ndalua gjatë protestës ndërsa ishte duke kryer detyrën e saj të raportimit.
Zylyftar Bregu e cilësoi rastin shqetësues, duke theksuar se situata nuk duhej të kishte përfunduar me kufizimin e lirisë së gazetares.
“Nga vëzhgimi ynë dënojmë me forcë shoqërimin e gazetares dhe, aq më tepër, kryerjen e procedurës së marrjes së saj në pyetje. Është e vërtetë se gazetarja mund të mos ketë pasur mjetin e identifikimit, badge-in, por në momentin që ka informuar punonjësin e policisë se kush ishte, sjellja duhet të kishte ndryshuar menjëherë dhe në asnjë rast të mos shkonte deri në kufizim të lirisë”, u shpreh Bregu.
Nga ana e tyre, studentët dhe qytetarët pjesëmarrës në tubim e cilësuan ndërhyrjen e policisë të papranueshme dhe kërkuan vijimin e aksionit qytetar.
Studenti protestues Skerdi Topalli tha se protesta e së enjtes shënonte ditën e 54-t të mobilizimit qytetar dhe se pjesëmarrësit ishin vendosur në disa pika përreth Parlamentit.
“Sot, në ditën e 54-t të protestës, u zhvendosëm përpara Parlamentit. Disa grupime u vendosën në hyrje të ndryshme, pasi sipas nesh deputetët zgjodhën të futeshin në Parlament në mënyrë të fshehtë”, tha Topalli.
Ai u shpreh se kërkesa kryesore e protestuesve vijon të jetë dorëheqja e kryeministrit dhe kabinetit qeveritar.
“Qytetarët janë dhunuar dhe janë tërhequr zvarrë. Ka pasur fëmijë dhe persona të sëmurë që janë prekur nga gazi lotsjellës, por ajo që është më e dhimbshme janë nënat që janë tërhequr zvarrë”, deklaroi Topalli.
Ndërsa protestuesi Llani Dogjani tha se qytetarët kërkojnë ndryshime që lidhen drejtpërdrejt me jetën e përditshme dhe shërbimet publike.
“Mos votoni ligje që janë kundër nesh. Ne duam ilaçe në spitale, rrugë të mira, dinjitet dhe drejtësi. Nuk duam korrupsion. Këto janë gjërat që kërkojmë, jo koncerte lart e poshtë”, u shpreh Dogjani.
Edhe pas shoqërimeve, protestuesit vijuan të qëndronin përpara Parlamentit deri pas orës 17:00, në pikat hyrëse dhe dalëse të godinës.
Në përfundim të tubimit, organizatorët u bënë thirrje qytetarëve të marshonin drejt komisariateve ku mbaheshin personat e shoqëruar.
