Skip to main content

Citizens.al

“Të parët në Ballkan për mjedisin?”

Ilustrim për Indeksin e Performancës Mjedisore 2026

Teksa protesta, e nisur si një kauzë për mbrojtjen e mjedisit, po hyn në një prej periudhave më të gjata të mobilizimit qytetar në vend, kryeministri Edi Rama po përdor rezultatet e raporteve ndërkombëtare për të argumentuar se Shqipëria po shënon performancë të mirë mjedisore.

“EPI, indeksi më prestigjioz global për performancën mjedisore, sapo e ka renditur Shqipërinë të parën në Ballkanin Perëndimor, të 46-ën nga 177 vende në botë”, deklaroi Rama në një video të publikuar në Facebook.

Renditja është reale. Megjithatë, mënyra se si paraqitet lë jashtë një pjesë të rëndësishme të kontekstit dhe të dhënave që përmban vetë raporti. Një lexim i plotë i tij tregon një panoramë më komplekse sesa mesazhi i përcjellë nga kryeministri.

Si duhet lexuar rezultati i Shqipërisë?

Indeksi i Performancës Mjedisore 2026, EPI, është një raport ndërkombëtar i publikuar nga universitetet Yale dhe Columbia, i cili vlerëson performancën mjedisore të 177 vendeve përmes 58 treguesve, të ndarë në 11 kategori.

Indeksi analizon fusha si cilësia e ajrit, burimet ujore, biodiversiteti, ndryshimet klimatike, bujqësia, peshkimi dhe menaxhimi i ekosistemeve.

Shqipëria renditet më lart se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, EPI nuk publikon një klasifikim të posaçëm për këtë grup vendesh.

Në klasifikimin rajonal të raportit, Shqipëria përfshihet në Evropën Lindore, ku renditet e 14-ta mes 19 shteteve, ndërsa vendin e parë e mban Estonia.

Edhe pozicioni i 46-të në botë nuk është rezultati më i lartë që Shqipëria ka arritur në historinë e EPI-së. Në raportet e mëparshme, vendi është renditur i 15-ti në vitin 2012, i 23-ti në vitin 2010, i 27-ti në vitin 2008 dhe i 40-ti në vitin 2018.

Megjithatë, krahasimet ndërmjet viteve duhen bërë me kujdes, pasi vetë EPI ndryshon metodologjinë, treguesit dhe burimet e të dhënave nga një raport në tjetrin.

Brenda të njëjtit raport, të cilin qeveria e paraqet si sukses, Shqipëria shfaq dobësi të rëndësishme në disa prej fushave që lidhen drejtpërdrejt me cilësinë dhe mbrojtjen e mjedisit.

Në treguesin e trajtimit të ujërave të ndotura, Shqipëria renditet e 138-ta në botë, rezultat që pasqyron problemet e vazhdueshme me infrastrukturën e kanalizimeve dhe menaxhimin e ujërave të ndotura.

Në kategorinë e bujqësisë, vendi renditet i 158-ti, ndërsa në peshkim i 127-ti. Të dy këta tregues lidhen me presionin mbi burimet natyrore dhe mënyrën e administrimit të tyre.

Edhe në fusha si biodiversiteti dhe ekosistemet, ku Shqipëria zotëron një pasuri të konsiderueshme natyrore, rezultatet tregojnë sfida të mëdha. Vendi renditet i 91-ti për biodiversitetin dhe i 104-ti për vitalitetin e ekosistemeve.

Ndërkohë, në kategorinë e cilësisë së ajrit, Shqipëria renditet e 88-ta, duke treguar se ndotja urbane dhe burimet e tjera të emetimeve mbeten ende problem.

Një renditje nuk mjafton pa politika konkrete

Për ekspertin e mjedisit dhe drejtuesin e Shoqatës Ornitologjike Shqiptare, AOS, Taulant Bino, rezultatet e EPI 2026 nuk mund të lexohen të shkëputura nga realiteti i politikave mjedisore në vend.

Sipas tij, retorika pozitive për performancën mjedisore ka vlerë vetëm kur shoqërohet me veprime konkrete.

“Lavdërimet nuk vlejnë për sa kohë nuk anulohet projekti i Zvërnecit, nuk bëhet transparencë mbi këtë projekt, nuk vendoset moratorium mbi nisma të ngjashme ndërtimi apo turizmi në zona të mbrojtura dhe mbeten në fuqi amendamentet e ligjit nr. 21/2024, i njohur ndryshe si ligji për ndërtimet në zonat e mbrojtura”, tha Bino.

Ai shton se kërkesat mjedisore të protestës kanë qenë të qarta që prej ditës së parë, por deri më sot nuk është ndërmarrë asnjë hap për përmbushjen e tyre.

Sipas Binos, për të kuptuar më mirë rezultatin e Shqipërisë në EPI, nuk mjafton renditja e përgjithshme, por duhet të analizohen edhe treguesit individualë që e përbëjnë indeksin.

“Që Shqipëria të përmirësojë pozicionin e saj në raport me mjedisin, duhet një politikë serioze mjedisore, e cila të ketë në bazë respektimin e kërkesave të protestës popullore. Ky është kalimi nga retorika te veprat dhe te ndryshimi e përmirësimi i vërtetë mjedisor”, përfundoi ai.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *