Skip to main content

Citizens.al

“Revolucioni Flamingo” shkon në Sazan

Aktivistë mjedisorë, artistë të rinj dhe qytetarë zhvilluan një aksion simbolik në Ishullin e Sazanit, në ditën e 50-të të protestave të përditshme kundër projekteve turistike në zonat e mbrojtura.

Për rreth 30 minuta, aktivistët ecën përgjatë një shtegu kodrinor, duke mbajtur të hapur një banderolë me mbishkrimin “Trump-Kushner-Rama, Cancel the Projects”. Aksioni u zhvillua në kundërshtim të projekteve të parashikuara në Ishullin e Sazanit dhe në zonën e Zvërnecit, të cilat, sipas aktivistëve, prekin territore me status të mbrojtur, përfshirë Parkun Kombëtar Detar Karaburun–Sazan dhe Peizazhin e Mbrojtur Vjosë–Nartë.

Gjatë aksionit, të shoqëruar herë pas here edhe nga vizitorë vendas dhe të huaj, protestuesit thirrën “Anulo projektin” dhe “Anulo ligjin”, duke iu referuar ndryshimeve të ligjit nr. 21/2024 për zonat e mbrojtura.

Përfaqësuesja e organizatës mjedisore PPNEA, Denisa Kasa, shpjegoi se aksioni synonte të përcillte një mesazh kundër projekteve të planifikuara në Sazan dhe Zvërnec.

“Ne jemi një grup me artistë, aktivistë mjedisorë dhe qytetarë të shqetësuar për atë që është duke ndodhur në Shqipëri tani”, tha Kasa, duke shtuar se aksione të tilla do të ndërmerren edhe në vijim.

Ishulli i Sazanit është pjesë e Parkut Kombëtar Detar Karaburun–Sazan, i shpallur zonë e mbrojtur në vitin 2010. Ai përfshin monumente natyrore të mbrojtura me ligj, si “Barriera koralore e Grykës së Djallit” dhe “Faleza e Sazanit”, si edhe dhjetëra specie me rëndësi ndërkombëtare. Për këtë arsye, projekti ka ngjallur debate mbi ndikimin e mundshëm në trashëgiminë natyrore dhe biodiversitetin e zonës.

Për drejtorin ekzekutiv të PPNEA-së, Aleksandër Trajçe, Sazani është një nga zonat me vlerat më të larta natyrore në Shqipëri, çka e bën të domosdoshme ruajtjen e tij.

“Jemi në ishullin e vetëm që ka Shqipëria, në një ishull me vlera të jashtëzakonshme për biodiversitetin, me lloje të shumta endemike, me brigjet koralore që gjenden vetëm këtu dhe, mbi të gjitha, në parkun e vetëm kombëtar detar që ka Shqipëria. Nuk ka fjalë për të përshkruar sa e rëndësishme është që ky ishull të ruhet për brezat që do të vijnë. Mjafton që çdokush të vijë njëherë këtu, siç erdhëm ne sot, për të kuptuar se është një vlerë e jashtëzakonshme, së cilës ne as nuk duhet të mendojmë t’ia kufizojmë aksesin publikut të gjerë”, u shpreh Trajçe.

Ndërsa artisti dhe aktivisti Ilir Kaso e konsideron aksionin një mesazh kundër privatizimit të hapësirave me interes publik dhe një thirrje për mbrojtjen e Sazanit.

“Sot, në ditën e 50-të, vendosëm të vijmë këtu, në Ishullin e Sazanit, të ngjitemi deri sipër me pankarta të reja, me zogun e flamingos si simbol, për t’i thënë Ivankës dhe kujtdo tjetër që ka grykësinë për të ardhur dhe për ta marrë këtë ishull. Dhe për t’i dhënë mesazh edhe shtetit tonë, që toka e shqiptarit është e shqiptarit, nuk shitet, nuk jepet për interesa personale të dikujt. Ne kemi ardhur të japim mesazhin e fortë që nuk dorëzohemi”, tha për Citizens.al aktivisti Ilir Kaso.

Sazani, nga bazë ushtarake në projekt turistik strategjik

Ishulli i Sazanit, një territor prej rreth 5.7 kilometrash katrorë në hyrje të Gjirit të Vlorës, për dekada ka qenë zonë e mbyllur ushtarake. Ishulli është pjesë e Parkut Kombëtar Detar Karaburun–Sazan, ndërsa në territorin e tij ndodhen monumente natyrore si “Barriera koralore e Grykës së Djallit” dhe “Faleza e Sazanit”.

Deri në vitin 2015, ishulli përdorej për qëllime ushtarake dhe vetëm pas këtij viti u hap për vizitorët. Sot, ai ndodhet në qendër të debatit publik për shkak të projektit të një resorti luksoz turistik të propozuar nga kompania amerikane Atlantic Incubation Partners LLC, e lidhur me Jared Kushner, bashkëshortin e Ivanka Trump, vajzës së presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Sipas dokumenteve të projektit, zhvillimi parashikon ndërtime turistike dhe rezidenciale, ndërsa faza e parë përfshin zonën qendrore të ishullit dhe portin, aktualisht pika kryesore e aksesit për vizitorët në Sazan.

Më 27 dhjetor 2023, kompania Atlantic Incubation Partners LLC i paraqiti qeverisë shqiptare një propozim të pakërkuar për zhvillimin e projekteve turistike në Ishullin e Sazanit dhe në Zvërnec. Ekzistenca e këtij propozimi u bë publike vetëm në mars 2024.

Më pas, më 2 dhjetor 2024, Presidenti Bajram Begaj dekretoi nxjerrjen e Ishullit të Sazanit nga Plani i Përhapjes së Forcave të Armatosura. Më 30 dhjetor 2024, Komiteti i Investimeve Strategjike i dha projektit statusin “Investitor Strategjik”, i cili i jep investitorit lehtësi në procedurat administrative. Projekti parashikon një investim të deklaruar prej rreth 1.5 miliardë eurosh.

Sipas dokumenteve zyrtare, projekti pritet të realizohet përmes një strukture të përbashkët ndërmjet shtetit shqiptar dhe subjektit investues.

Dokumentacioni parashikon ndarjen e ishullit në tre zona kryesore, me rreth 448 mijë metra katrorë ndërtim dhe afro 970 njësi akomoduese dhe rezidenciale. Faza e parë përfshin portin dhe zonën qendrore të ishullit, aktualisht pika e vetme e hyrjes në Sazan.

Lexo gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *