Të veshur me pelerinat e zeza të diplomimit dhjetëra studentë marshuan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” drejt Kryeministrisë me një performancë simbolike të quajtur “Diplo(E)mi(gri)mi”, për të denoncuar shënderrimin e diplomimit nga universitetet shqiptare në një “pasaportë emigrimi”.
Me mesazhë në duar përmes pankartave, ata improvizuan edhe një ceremoni diplomimi, ku hodhën kapelet e tyre në tokë, përkundrejt versionit zyrtar që zakonisht.
Aksioni u realizua nga grupi “Studentët n’Protestë”, një grupim studentësh i krijuar gjatë protestës, që prej javësh organizojnë nismë artistike dhe simbolike për të përcjellë shqetësimet e brezit të ri.
“Ne ndjehemi sikur meritokracia dhe vlera e diplomës në Shqipëri ka rënë. Diploma sot shërben më shumë si një pasaportë për rrugët e Europës sesa si një dokument që vërteton aftësinë tonë për tregun e punës,” tha Megi Brahimi, studente e vitit të dytë për Inxhinieri Elektronike në Universitetin Politeknik të Tiranës.
Sipas Megit, sistemi arsimor dhe tregu i punës nuk shpërblejnë aftësinë, por favorizojnë lidhjt dhe patronazhimin politik.
“Na mësojnë si të hyjmë në një treg pune ku fiton miku, ku fiton patronazhisti dhe jo aftësia. Pa rini nuk ka Shqipëri,” u shpreh Megi Brahimi.
Për studentin Mateo Yskollari, performance ishte një ironi ndaj ceremonive tradicionale të diplomimit dhe një përgjigje ndaj premtimeve politike për të ardhmen evropiane të vendit.
“Ne e quajtëm “Diplo(E)mi(gri)mi”, sepse ky sistem i ka kthyer diplomat e studentëve në pasaporta për t’u larguar jashtë vendit,” tha Mateo Yskollari.
Duke iu referuar premtimit të kryeministrit Edi Rama për “pasaportën europiane”, Yskollari tha se studentët shqiptarë e kanë pasur prej kohësh “pasaportën” e tyre.
“Kanë pasur diplomat, por ky sistem nuk u dha mundësinë t’i përdorin në tregun e punës në vendin e tyre. U dha vetëm mundësinë të largohen dhe të punojnë jashtë Shqipërisë,” tha Yskollari.
Përtej simbolikës, së performancës, studentët ngritën edhe problematikat konkrete që sipas tyre rëndojnë jetën universitare.
Ata përmendën mungesën e vendeve në konvikte, kostot e larta të qirave dhe mungesën e hapësirave për studim.
“Studentët sot nuk kanë kancelari me çmime të lira për ta, nuk kanë biblioteka ku të studiojnë. Studentët sot kanë një kartë studenti e cila ju shërben atyre vetëm për një abone dhe nuk ka asnjë shërbim tjetër në to”, tha për Citizens.al. Mateo Yskollari.
Sipas studentëve, këto janë vetëm disa nga arsyet që shtyjnë gjithnjë e më shumë të rinjtë të ndërtojnë jetën jashtë vendit, ndërsa emigrimi po perceptohet si alternativa e vetme për të realizuar potencialin profesional.
Aksioni “Diplo(E)mi(gri)mi” ishte një tjetër aksion në morinë e nismave krijuese të zhvilluara nga studentët gjatë javëve të protestave të “Revolucionit Flamingo”.
Më herët, ata shpalosën në ballkonin e Universitetit Politeknik një baner të dukshëm deri në sheshin para kryeministrisë me mesazhin: “Ju erdhi fundi! Shqipëria nuk është në shitje”.
Në një tjetër aksion “varën” në një mbajtëse rrobash mesazhe nga pacientët e spitaleve, e në një tjetër ngjitën fytyrat e politikanëve shqiptarë në murin e kryeministrisë duke i cilësuar si “në kërkim”.
Lexo gjithashtu:

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).