Prej javësh, në qendër të Tiranës, por edhe në qytete të ndryshme të botës ku jetojnë shqiptarë, po zhvillohet një protestë qytetare që ka marrë emrin “Flamingo Revolution“. Flamingoja, e zgjedhur si simbol politik i kësaj lëvizjeje, nuk përfaqëson vetëm mbrojtjen e një specieje apo të një peizazhi natyror, ajo simbolizon edhe rikthimin në vendin e përkatësisë, mbrojtjen e territorit si e mirë e përbashkët dhe të drejtën e shqiptarëve për të jetuar, ndërtuar dhe trashëguar vendin e tyre. Shkëndija e protestës ishte kundërshtimi ndaj ndërhyrjeve të planifikuara në Zvërnec dhe në ishullin e Sazanit.
Në pamje të parë, bëhej fjalë për dy territore të veçanta që po transformoheshin, por shumë shpejt u kuptua se ato ishin vetëm simptomat e një modeli shumë më të gjerë. Një model qeverisjeje ku territori nuk trajtohet më si e mirë e përbashkët, por si instrument pushteti; ku ligji, planifikimi, arkitektura dhe investimi përdoren për të riformësuar marrëdhënien e qytetarëve me hapësirën. Zvërneci dhe Sazani ndezën jo vetëm një debat për mbrojtjen e natyrës, por shkuar edhe më tej. Ato dy zona të mbrojtura natyrore, ekspozuan mënyrën se si pushteti e prodhon territorin, si i shpërndan privilegjet dhe si vendos se kush ka të drejtë të hyjë, të përdorë dhe të përfitojë prej tij. Aty, debati pushon së qeni lokal, duke u kthyer në një debat për mënyrën se si po e kuptojmë atdheun dhe marrëdhënien tonë me të.
Shqipëria nuk ka qenë kurrë vetëm territori i kufizuar nga kufijtë politik të Republikës. Ajo ka qenë gjithmonë qendra e shqiptarisë, pika ku lidhen historia, gjuha, kujtesa dhe përkatësia e shqiptarëve, kudo që jetojnë. Kjo ide është më e vjetër se vetë shteti shqiptar dhe është mishëruar më pas edhe në frymën e Kushtetutës, e cila e sheh shtetin si garant të lidhjes së shqiptarëve me atdheun dhe me njëri-tjetrin. Në këtë kuptim, Shqipëria nuk është vetëm një hapësirë gjeografike, por është një marrëdhënie që i ka mbijetuar ndarjeve politike, kufijve shtetërorë, luftërave, pushtimeve, emigrimit dhe regjimeve. Pikërisht sepse kjo marrëdhënie ka qenë gjithmonë më e madhe se kufijtë administrativë, çdo mekanizëm që ka synuar ta ndërpresë atë ka prodhuar pasoja shumë më të thella sesa një ndryshim territorial, duke cenuar vetë idenë e përkatësisë. Dhe pikërisht kjo marrëdhënie është vënë vazhdimisht në provë. Nëse historia e Shqipërisë mund të lexohet si historia e ndërtimit të kësaj përkatësie, ajo mund të lexohet po aq edhe si historia e gardheve që janë përpjekur ta ndërpresin atë.
Historia jonë është, në njëfarë mënyre, edhe historia e gardheve.
Pas vitit 1913, kufijtë politikë të shtetit të ri shqiptar, përcaktuar nga Konferenca e Londrës, copëtuan trojet shqiptare duke lënë jashtë më shumë se gjysmën e sipërfaqes dhe me të, edhe popullatën. Më pas, gjatë diktaturës, gardhi u kthye në simbolin e izolimit absolut. Tela me gjemba, bunkerë dhe ushtarë ndanë jo vetëm Shqipërinë nga bota, por edhe shqiptarët nga njëri-tjetri. Ata që ndodheshin jashtë u trajtuan si të huaj, ndërsa ata që jetonin brenda nuk kishin të drejtë të dilnin. Ai gardhim ishte ndoshta forma më e dhunshme e shkëputjes së marrëdhënies shoqërore dhe natyrore mes shqiptarëve.
Rënia e gardhit me tela me gjemba në kufirin politik të Shqipërisë pas lëvizjeve shoqërore të vitit 1990-1991 u përjetua si rikthimi i lirisë. Për herë të parë pas gati gjysmë shekulli, shqiptarët mund të lëviznin lirshëm pa rrezikuar jetën. Familjet e ndara për dekada u ribashkuan, ata që kishin mbetur jashtë kufijve mundën të riktheheshin në vendlindje, ndërsa ata që kishin jetuar të izoluar mundën të njihnin botën. U krijuan ura të reja mes Shqipërisë, trojeve shqiptare dhe diasporës, duke forcuar edhe më tej idenë e Shqipërisë si qendra e shqiptarisë.
Por kjo liri pati edhe koston e saj. Tranzicioni u shoqërua me një emigrim masiv, që i kushtoi vendit një humbje të konsiderueshme të kapitalit njerëzor, duke bërë që sot rreth 40% e popullsisë, që pas 1991, së Republikës të jetojë në emigrim. Megjithatë, pavarësisht largimit fizik të qindra mijëra shqiptarëve, marrëdhënia me Shqipërinë nuk u këput, përkundrazi, ajo u rikonfigurua. Shqipëria mbeti pikë referimi, vendi ku ndodhej familja, kujtesa, prona, gjuha dhe identiteti. Edhe kur jetonin mijëra kilometra larg, shqiptarët vazhduan ta konsideronin Shqipërinë dhe trojet shqiptare si qendrën e përkatësisë së tyre.
Por, pikërisht kur dukej se historia e gardheve kishte marrë fund, Shqipëria nisi të përballej me një formë krejt tjetër të tyre.
Historia e gardheve nuk përfundoi me hapjen e kufijve. Bashkë me transformimin e shtetit ndryshoi edhe vetë forma e tyre. Gardhi u zhvendos nga kufiri politik drejt hapësirave të përditshme të jetës: tokave bujqësore, bregdetit, pyjeve, ishujve, bregdetit dhe territoreve që për një kohë të gjatë janë përdorur si pjesë e së përbashkëtës. Aty ku më parë kufizohej dalja nga vendi, fillon të kufizohet hyrja në vetë territorin e tij. Muret, portat, kontrolli i aksesit dhe privatizimi i peizazhit nuk shfaqen si episode të shkëputura, por si pjesë e një mënyre të re organizimi të territorit. Bashkë me këtë transformim ndryshon edhe marrëdhënia e qytetarit me vendin që banon. Shqipëria mbetet e njëjta në hartë, ndërsa mënyra se si ajo përjetohet fillon të ndryshojë.
Hapësira nuk ndryshon vetëm fizikisht. Bashkë me të ndryshojnë edhe rregullat që përcaktojnë se kush e përdor, si e përdor dhe në çfarë kushtesh hyn në të. Për një kohë të gjatë, bregu, pylli, ishulli apo peizazhi kanë qenë pjesë e përvojës së përbashkët të territorit. Kur këto hapësira fillojnë të organizohen sipas regjimeve të ndryshme të aksesit, transformimi nuk prek vetëm peizazhin. Ai prek mënyrën se si qytetarët e përjetojnë marrëdhënien e tyre me territorin: përmes hapësirave ku jeta e përditshme zhvillohet, ku krijohen kujtesa, ku trashëgohen vendet dhe ku ushtrohet qytetaria.
Në këtë proces fillon të ndryshojë gradualisht edhe kuptimi i Republikës. Ajo nuk përjetohet vetëm përmes Kushtetutës, institucioneve apo ligjeve, por edhe përmes marrëdhënies që qytetarët ndërtojnë me territorin e përbashkët. Mënyra se si hyhet në një breg, përdoret një pyll, përshkohet një ishull apo ruhet një peizazh bëhet pjesë e mënyrës se si ushtrohen në praktikë barazia dhe qytetaria. Kur këto hapësira organizohen përmes regjimeve të ndryshme të aksesit dhe privilegjit, ndryshon gradualisht edhe mënyra se si përjetohet Republika si bashkësi qytetarësh që ndajnë të njëjtin territor.
Ky transformim prek në mënyrë të veçantë një vend që prej dekadash jeton me emigrimin. Për shumë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, marrëdhënia me Shqipërinë vazhdon të ndërtohet përmes vendeve ku rikthehen. Një shtëpi e trashëguar, një copë tokë, një bregdet, një pyll, një fshat apo qyteti i origjinës mbajnë gjallë një lidhje që nuk është ndërprerë nga largësia. Pikërisht në këto hapësira kujtesa bëhet përvojë, ndërsa përkatësia ripërtërihet brez pas brezi.
Mënyra se si territori është kuptuar në shoqërinë shqiptare, ka ndjekur këtë logjikë të marrëdhënieve komunitare. Për një kohë të gjatë, përdorimi i tokës, kullotave, pyjeve dhe burimeve natyrore është rregulluar si pjesë e jetës së komunitetit. Edhe aty ku mungonte shteti, ekzistonin norma që përcaktonin mënyrën e përdorimit të këtyre hapësirave dhe ruanin ekuilibrin mes interesit individual dhe atij të bashkësisë. Një pjesë e tyre i gjejmë të përfshira edhe në të drejtën zakonore. Pavarësisht kufizimeve historike të atij sistemi, këto norma dëshmojnë se territori është përjetuar për një kohë të gjatë si pjesë e rendit shoqëror, përpara se të trajtohej si një aset ekonomik.
Në këtë vazhdimësi, edhe debati i sotëm merr një kuptim tjetër. Çdo vendim mbi tokën, bregdetin, pyllin apo peizazhin ndryshon jo vetëm përdorimin e një hapësire, por edhe mënyrën se si ajo lidhet me jetën e komunitetit. Hap pas hapi, territori pushon së qeni vetëm vendi ku zhvillohet një investim dhe bëhet vendi ku riformësohet marrëdhënia mes qytetarit dhe vendit të tij.
Në këtë proces nuk ndryshon vetëm peizazhi por edhe mënyrat e hyrjes, përdorimit dhe përjetimit të tij. Hapësirat që deri dje ka qenë pjesë e përbashkët e jetës kolektive fillojnë të organizohen sipas regjimeve të ndryshme të aksesit. Kështu, gardhi, i cili nëpërmjet kufirit politik të shtetit të tregonte kufizimin e lëvizjes, sot shfaqet brenda territorit të tij duke shënuar “ishuj kufijsh” ekskluzivitetesh, të cilët ndryshojnë më pas mënyrën se si qytetarët e përjetojnë vendin ku jetojnë apo të cilin vazhdojnë ta quajnë të tyrin.
Ndoshta për këtë arsye protesta e këtyre javëve ka gjetur jehonë edhe përtej Shqipërisë. Ajo është ndjekur nga shqiptarë që jetojnë larg, por që vazhdojnë ta ndërtojnë marrëdhënien me vendin përmes territoreve ku rikthehen, kujtimeve që ruajnë dhe vendeve që vazhdojnë t’i konsiderojnë pjesë të jetës së tyre.
Në këtë kuptim, Zvërneci dhe Sazani nuk mbeten vetëm dy raste konkrete. Ato bëhen pjesë e një historie më të gjatë të marrëdhënies së shqiptarëve me territorin, ku pyetja nuk lidhet vetëm me fatin e dy territoreve, por me mënyrën se si shqiptarët do ta ndërtojnë marrëdhënien e tyre me Shqipërinë në vitet që vijnë.
Për më shumë se një shekull, gardhet kanë ndryshuar vazhdimisht vendin dhe formën e tyre. Kanë ndarë troje, kanë izoluar njerëz dhe kanë ndërprerë lidhje që u deshën dekada të rindërtoheshin. Sot ato nuk shfaqen më në kufijtë e shtetit, por në mënyrën se si organizohet vetë territori. Prandaj, debati i sotëm nuk lidhet vetëm me atë që po planifikohet apo po ndërtohet sot. Ai lidhet me marrëdhënien që brezat e ardhshëm do të kenë me vendin që do të trashëgojnë.

Doriana Musai është urbaniste dhe pedagoge e planifikimit urban, e angazhuar në studimin kritik të transformimeve urbane dhe politikave të trashëgimisë. Puna dhe aktivizmi i saj fokusohen te marrëdhënia mes qytetit, kujtesës dhe pushtetit, si dhe te mbrojtja e hapësirës publike dhe e drejta për qytetin në Shqipëri.