Skip to main content

Citizens.al

Njerëzit pas simboleve të protestës

Foto ilustrim/Citizens.al

Për 46 ditë me radhë, mijëra qytetarë janë mbledhur çdo pasdite përpara godinës së Kryeministrisë në një protestë që nisi si kundërshtim ndaj ndërtimit të një resorti turistik në zonën e mbrojtur Pishë-Poro Nartë dhe që me kalimin e javëve u shndërrua në një lëvizje me kërkesa më të gjera politike dhe qytetare.

Në këtë periudhë, pjesëmarrja ka ndryshuar nga dita në ditë, disa protestues janë bashkuar herë pas here, të tjerë janë larguar, ndërsa një grup qytetarësh ka qenë i pranishëm në çdo tubim.

Mes turmës, disa figura janë bërë lehtësisht të dallueshme, jo për shkak të roleve publike apo organizimit të protestës, por sepse kanë zgjedhur ta shprehin pjesëmarrjen e tyre përmes të njëjtit simbol, të njëjtës pankartë, duke u kthyer në fytyrat më të identifikueshme të kësaj lëvizjeje.

Njëri prej tyre është Petro Lleshi. Që nga dita e tretë e protestës ai mban me vete një flamingo lundruese, simbol që me kalimin e kohës u identifikua aq shumë me tubimet, sa protesta nisi të njihej edhe si “Revolucioni Flamingo”. Sipas tij, ideja lindi si një mënyrë për ta lidhur protestën me flamingot e lagunës së Nartës, habitatit të së cilës lidhet edhe shkaku fillestar i mobilizimit.

“Kam qenë i pranishëm që nga dita e parë edhe flamingo ka qenë që nga dita e tretë që më ka ardhur ideja. Shumë pozitiv reagimi nga njerëzit, e kanë pëlqyer shumë pjesën e idesë që më ka lindur duke e lidhur edhe me pjesën e Vjosës-Nartë, një simbol i caktuar që pastaj u bë edhe emërtimi i një proteste, i një lëvizjeje të tërë që po ndodh këtu” shprehet Petro Lleshi. 

Një tjetër figurë e njohur mes protestuesve është Agron Jemini, i identifikuar prej tyre si “djali i flamurit”. Jashtë protestës ai punon si shpërndarës uji në Tiranë, ndërsa çdo pasdite ngjitet mbi vazot prej betoni përballë Kryeministrisë dhe valëvit flamurin kuqezi, të cilin, siç tregon vetë, ia dhuroi një mik në ditët e para të protestës.

“Kam ardhur që ditën e dytë, edhe dola atje te sheshi Skëndërbej, takova një shok edhe ai ma dha flamurin edhe nuk u shkëputa më nga flamuri”,- shprehet Agron Jemini.

Pavarësisht lodhjes së përditshme nga puna fizike dhe orëve të gjata në protestë, Agroni thotë se do të vazhdojë të jetë i pranishëm deri në fund.

“Po u dorëzua flamuri, dorëzohet tërë protesta. Unë do jem deri në fund këtu, shpresoj me fitore. Nuk më kanë detyruar t’a mbaj flamurin, meqë mu dha rasti, thonë shumica që më kanë detyruar këto me pagesë, por nuk bëhet fjalë fare,”-përfundoi Agroni duke u bërë thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës, duke e konsideron këtë periudhë vendimtare për të ardhmen e vendit.

Ardesian Binjakaj, ndryshe nga Agroni, është bërë i njohur për mënyrën krijuese me të cilën përcjell mesazhet e tij. Pothuajse çdo ditë ai shfaqet në protestë me një simbol të ri të realizuar me kartonë, pasqyra, kavanozë, busulla apo objekte të tjera, përmes të cilave trajton tema që lidhen me korrupsionin, drejtësinë dhe problematikat sociale.

Ardesiani thotë se çdo pankartë lind nga pakënaqësitë që prodhon realiteti në vend.

“Idetë për pankarta burojnë nga një shumllojshmëri frustrimesh, problematikash që ka në Shqipëri. Sot konkretisht kam marrë këtë busullën e cila tregon se busulla e drejtësisë është thyer dhe është e zëvëndësuar me këtë të korrupsionit”, rrëfen Ardesian Binjakaj.

Mes simboleve që ka përdorur gjatë protestës ka qenë edhe një pasqyrë, përmes së cilës u është drejtuar përfaqësuesve të pushtetit.

“Një prej disa nga idetë që kam pasur është një pasqyrë në të cilën kam shkruar: “A jeni krenarë?”, një tjetër ishte një pjatë në të cilën është shkruajtur “Premtime plot por pjata bosh, përpiqem çdo sitë të sjell diçka të re, një risi në protestë“,tha Ardesiani.

Përveç të rinjve, protesta ka mbledhur edhe pjesëmarrës të brezave të ndryshëm. Njëri prej tyre është Marin Gjollma, pianist dhe pedagog në Universitetin e Arteve, i cili prej më shumë se një muaji mban çdo ditë të njëjtën pankartë, ku janë renditur ligjet që, sipas tij, kanë ndikuar në çështjen e pronës.

“Kjo pankartë faktikisht ka të bëjë pikrisht me pronën sepse 7501 që është ligji 7501 që është votuar që në vitin 1991, ky ligj shkatërroi përfundimisht pronën. Këto tre ligjet që vijuan më pas, sigurisht që ky ligj u përvetësua më pas, po dhe këto tre ligjet, që janë ligjet për investitorin strategjik, për zonat e mbrojtura dhe paketën e maleve, janë vazhdimësi e këtij ligji”, shprehet pedagogu Gjollma.

Kërkesa për shfuqizimin e ndryshimeve ligjore që lejojnë ndërtime në zonat e mbrojtura ka qenë një nga mesazhet më të përsëritura gjatë protestës. Për këtë arsye, thirrja “Anuloni ligjin” është bërë një prej sloganeve më të dëgjuara në tubime, në referencë të ligjit nr. 21/2024 për zonat e mbrojtura.

Edhe pse secili prej tyre mban një simbol të ndryshëm dhe përcjell një mesazh të veçantë, të katërt kanë një qëllim të përbashkët, ndryshimin e mënyrës së qeverisjes.

Lexo gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *