Çdo mbrëmje, pasi turma marshon drejt Kryeministrisë, sheshi kthehet në një hapësirë kolektive krijimi, ku artistë, muzikantë, prindër e fëmijë kanë rimarrë simbolikisht të drejtën për të krijuar, për t’u shprehur dhe për të protestuar përmes artit.
Në njërën anë, vendoset “këndi i fëmijëve”, ku të vegjlit vizatojnë dhe ngjyrosin pankarta. Ky organizim duket si një hapësirë e munguar e kryeqytetit, për shak të mpakjes dhe eleminimit të parqeve të lojërave dhe hapësirave të gjelbra.
Diku më tej, rreshtohen njëri pas tjetrit të rinj e të reja, duke mbajtur në dorë silueta flamingosh me mesazhe për mbrojten e natyrës, e përbri tyre bëhen gati daullet dhe veglat muzikore të dorës duke vendosur ritmin e marshimit.
Në “Revolucionin Flamingo”, arti nuk ka qenë thjesht dekor, por është kthyer në një nga format kryesore të rezistencës. Që nga ditët e para të protestave për mbrojtjen e Nartës dhe Zvërnecit, artistët u bënë pjesë e organizimit. Ata sollën një mënyrë tjetër proteste, ku arti u kthye në gjuhën e përbashkët të qytetarëve.

Për dizajneren Fatma Paja, simboli i flamingos nuk erdhi si rastësi.
“Protesta nisi nga Zvërneci dhe ai ishte momenti që i bashkoi njerëzit. Flamingoja është një nga speciet më të bukura dhe më të çmuara që kemi në vendin tonë. Përfaqëson të pastërtën, të bukurën dhe habitatin që duhet ta mbrojmë,” thotë ajo.
Fillimisht, simboli u soll nga një grup i vogël artistësh që ishin angazhuar në protestat për Nartën. Me rritjen e protestës, flamingot u shumëfishuan, duke u shoqëruar edhe me instalacione të tjera artistike, këndin e fëmijëve. organizimet e studentëve dhe grupin e daulleve.
Për Fatmën, arti ka qenë gjithmonë mënyra për të folur për kauzat publike.
“Edhe kur nuk kishte protesta, artin e kemi përdorur si ilustrim të asaj që donim të thoshim. Kur mësuam çfarë do të ndodhte me Nartën, u ndjemë të detyruar të angazhoheshim. Me grafitet në rërë, posterat, ilustrimet që publikojmë çdo ditë. Është përgjegjësi qytetare, artistike dhe kombëtare.”
Ajo beson se bukuria e kësaj proteste qëndron pikërisht te fakti se secili kontribuon me atë që di të bëjë më mirë.
“Është shumë bukur kur secili shprehet sipas talentit të vet. Kjo është arsyeja pse protesta është kaq kreative.”
Në një cep tjetër të bulevardit, çdo mbrëmje mbushet me fëmijë. Ata vizatojnë flamingo, pemë, dete dhe shkruajnë mesazhe që shpesh tingëllojnë më të drejtpërdrejta se sloganet politike.
“Mos ma shit vendin tim!”, “Dua natyrën!”, “Nuk dua beton!”

Sipas artistes Elsa Paja, kjo është një nga pamjet më domethënëse të protestës.
“Jo vetëm fëmijët, por edhe prindërit janë bërë pjesë e këtij këndi. Të shohësh fëmijë që shkruajnë mesazhe të tilla ishte diçka që pak kohë më parë nuk do ta kishim imagjinuar”, ndan Elsa me Citizens.al.
Ndërkohë, flamingoja ka fituar një kuptim që shkon përtej mbrojtjes së Nartës.
“Njerëzit pyesin çdo ditë: ku janë flamingot? Janë bërë pjesë e protestës. Sot flamingoja është secili prej nesh që lufton për liri. Ashtu si flamingot jetojnë në tufë, edhe ne kemi gjetur njëri-tjetrin në këtë shesh. Rezistenca është bërë e përbashkët”, shprehet Elsa Paja.

Sipas saj, protesta ka ndryshuar edhe vetë artistët.
“Ka shumë artistë që dikur dëgjonin se arti nuk duhet përzier me politikën. Sot janë pikërisht ata që krijojnë postera, vizatime dhe instalacione për protestën. Ky është revolucioni më i madh: secili ka kuptuar se mund ta përdorë talentin e vet për të ndryshuar realitetin.”
Elsa e sheh artin si një akt politik në vetvete.
“Arti është rezistencë. Është mënyra për të krijuar një realitet tjetër. Sidomos kur vepron kolektivisht. Në një farë mënyre, ky shesh po ia rikthen artin qytetarëve.”
Nëse flamingot janë simboli vizual i protestës, daullet janë zemra e saj.
Ritmi nis ngadalë. Goditjet përhapen përgjatë bulevardit dhe turma fillon të ecë në të njëjtin hap. Pastaj ritmi shpejtohet, zërat bashkohen dhe shpërthen thirrja: “Ju erdhi fundi”.

Arkitekti dhe drejtuesi i qendrës “Tek Bunkeri”, Arnen Sula tregon se grupi i daulleve nuk lindi gjatë kësaj proteste.
“E kemi nisur në protestën e marsit 2023 kundër rritjes së çmimeve. Pamë që i jepte shumë energji protestës dhe vendosëm ta vazhdonim. Tani njerëzit e presin. Kur mungojmë një ditë, pyesin menjëherë: ku janë daullet?”, rrëfen Arneni ndërsa është duke përgatitur njërën prej daulleve për marshim.
Edhe pse asnjëri nuk është muzikant profesionist, ritmet janë bërë tashmë pjesë e identitetit të protestës.
“Nuk duhet ndonjë teknikë e madhe. Mjafton pak ndjeshmëri për ritmin”, shprehet Arnen Sula.
Grupi ka përshtatur edhe këngë të njohura, duke i kthyer në himne proteste. “Bella Ciao”, por edhe melodi të tjera, kanë marrë tekste të reja që flasin për mbrojtjen e natyrës, anulimin e ligjit dhe largimin e klasës politike.
Sipas pjesëtareve të grupit, Forena Masati dhe Ina, kulmi emocional i çdo marshimi mbetet momenti kur ritmi përshpejtohet dhe turma shpërthen në një zë.
“Mendoj “Ju erdhi fundi” ka qenë ajo e cila ka një impakt shumë të madh te njerëzit dhe nga mënyra se si ne shkojmë te ajo thirrje sepse edhe në daulle vjen me goditje të ngadalta, pastaj ritmi sa vjen edhe shtohet dhe shpërthen në këtë “Ju erdhi fundi”, shprehet Ina.

“Thirrja kryesore që ne kemi është anulimi i ligjit, dorëheqja e Edi Ramës, por ajo që turma e mirëpret më shumë është ju erdhi fundi pasi ne kërkojmë fundin e kësaj klase politike”, tregon Forena Masati për Citizens.al.
Për Forenën, reagimi i qytetarëve është po aq i rëndësishëm sa vetë performanca.
“Njerëzit na hapin rrugën, na ndjekin me duartrokitje dhe bashkohen me thirrjet. Kjo të jep energji të vazhdosh”, dëften Forena për Citizens.al.
Çdo mbrëmje, protesta krijon diçka të re. Një poster i vizatuar me dorë, një slogan i kthyer në këngë, një flamingo e re, një vizatim i një fëmije apo një ritëm i ri daullesh.
Ndërsa protestat shpesh identifikohen me përplasjen dhe zemërimin, “Revolucioni Flamingo” ka ndërtuar një gjuhë tjetër. Një gjuhë ku arti nuk shërben vetëm për të zbukuruar protestën, por për ta mbajtur gjallë atë; ku muzika bashkon hapat, vizatimet bëhen mesazhe politike dhe një flamingo rozë arrin të përfaqësojë jo vetëm mbrojtjen e një lagune, por edhe dëshirën e mijëra njerëzve për të mbrojtur shtëpinë e tyre të përbashkët.
Lexo gjithashtu:

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).