Skip to main content

Citizens.al

Hekurani, protestuesi që flet përmes pankartave

Për ditë me radhë, në të njëjtin vend, shihja të njëjtin burrë të thinjur, me një flamur mbi supe, kapelë të kuqe dhe një pankartë të shkruar me dorë, lidhur në qafë. Fjalëpak dhe i tërhequr, ai sillte çdo ditë në protestë një mesazh që dukej i ndjerë e i mirëmenduar.

Rreth ditës së shtatëdhjetë e gjashtë, ndalova për ta njohur, si shumë të tjerë që nisën të bisedonin me të dhe të fotografonin fjalët që hidhte në letër. Imazhet e tij nisën të bëhen ndër më të pëlqyerat në rrjetet sociale, pavarësisht se kurrë nuk kishte dhënë ndonjë intervistë dhe as kishte marrë fjalën në qendrën e zërit.

Quhet Hekuran Golemi, është 60 vjeç dhe jeton në zonën e Xhamllikut. Çdo ditë, rrugën nga shtëpia drejt protestës dhe kthimin i bën në këmbë, ndërsa në mbrëmje i bashkohet edhe marshimit nëpër qytet, duke u bërë një prej “maratonomakëve” të protestës.

Por pankartat që morën vëmendjen e protestuesve nuk lindën aty për aty. Gjatë një bisede të gjatë në lulishten “Tre Vëllezërit Frashëri”, Hekurani, i cili kishte marrë mjetet e punës, dy lapsa dhe një karton të vijëzuar, tregoi hapat e përpiktë që ndjek për të shkruar mesazhet me një kaligrafi mbresëlënëse. Gjatë bisedës, ai tregon se ka studiuar dy vite për pikturë në gjimnaz, por nuk arriti ta zhvillonte më tej talentin që e përmbushte, pasi jeta e tij mori një rrjedhë tjetër për shkak të kushteve ekonomike që e detyruan të punonte si marangoz.

Sot, ai e ka gjetur sërish një mënyrë për të pikturuar.

Mesazhet e protestës i mendon gjatë ditës, kryesisht ndërsa punon si shitës cigaresh të hapura pranë spitaleve të QSUT-së. I shkruan në telefon që të mos i harrojë dhe më pas, kur ulet për të bërë pankartën, shënon me të kuqe fjalët që do të theksojë, ndërsa pjesën tjetër të tekstit e shkruan me blu.

“Më shohin fëmijët në xham celulari, si unë babën në xham porcelani”, shkruan ai ndërsa bisedojmë.

“Është e njëjta gjë. Ashtu siç edhe babai im është i vdekur për mua, që e shikoj vetëm në xham aty tek varri, të njëjtën gjë edhe fëmijët e mi. Fëmijët e mi thjesht më shohin në xham të celularit. Baba përtej atij xhami të porcelanit është në parajsë, kurse unë për fëmijët e mi gjithsesi në Shqipëri”, tregon Hekurani, duke shpjeguar mesazhin që do të përcjellë për prindërit të cilëve u mungojnë fëmijët e tyre në mërgim.

Hekurani ka tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë, të cilët kanë mbaruar universitetin, por nuk kanë mundur të gjejnë punë në profesionin e tyre. Kjo është një nga arsyet më të mëdha që e shtyn të protestojë, por jo e vetmja.

Protestuesit e kanë parë Hekuranin çdo ditë të vetëm në shesh, por ai dëfton se në ditën e dytë të protestës kishte ardhur rastësisht në shesh me bashkëshorten, vetëm për të bërë një shëtitje, sepse ajo ishte e sëmurë. Prania e tij në shesh ishte rastësore, shpjegon ai, pasi protestat e shumta të zhvilluara në Shqipëri nuk e kishin bindur më parë të merrte pjesë, sepse nuk i dukeshin të natyrshme dhe tërësisht qytetare.

“U ndiem mirë për të vajtur për së dyti, të paktën e shihnim si terapi për time shoqe, ngaqë ishte bërë operim. Imagjino, vërtet ajo protestë është terapi. Edhe ata të spitaleve po të vijnë, më tepër do i shërojë protesta se spitalet”, thotë ai.

Që prej asaj dite, nuk mungoi më.

“Është ndezur fitili dhe ka shpërthyer në të gjithë Shqipërinë”, thotë ai, duke e cilësuar “Revolucionin Flamingo” një lëvizje që u kujton shqiptarëve se duhet të ngrenë krye përballë padrejtësive.

“Unë jam i majtë, por jo i ‘majtë’ si Rama”

E pyes: “Pse proteston?” Mendohet dhe, pasi shfryhet, më përgjigjet ndryshe nga ç’e mendoja.

Fillon të më tregojë se shqiptarët janë të gjithë të vuajtur; të paktën, sipas tij, mbi 80 për qind janë të varfër. Edhe ai vetë ka vuajtur në fëmijëri, rini dhe pleqëri. Njësoj kanë vuajtur edhe bashkëqytetarët e tij dhe kjo e ka bërë të kuptojë që kryeministri Rama nuk është i majtë. Të majtë janë ai dhe qytetarët që duan që të ketë më shumë barazi, që më të pamundurve t’u mundësohen shërbimet bazike dhe që ata të trajtohen me dinjitet.

Hekurani e shpjegon këtë jo përmes teorive politike, por përmes jetës së tij.

“Gjyshi im, më tregonte babi, ka qenë lypsar në vakt. Ikte një javë nga shtëpia, vetëm kur vinte me krodhe bukë. I majtë jam se ashtu ndihem, ashtu kam lindur”, tregon Hekurani, teksa menjëherë, për të mos u keqkuptuar, tregon që nuk është me Ramën, pasi, sipas tij, ai nuk është i majtë.

Këtë ai e ka kuptuar gjatë gjithë jetës së tij. Meqë ka gruan e sëmurë, i ka parë nga afër spitalet dhe kushtet e këqija; ka parë nepotizmin e bijve të të pushtetshmëve, që u kanë zënë vendet e punës atyre që kanë studiuar shumë, siç kanë bërë fëmijët e tij.

“Duhet të jetë social më shumë, sidomos për Shqipërinë është fiks. Për shtresat në nevojë, për shtresat që nuk munden. Në Shqipëri duhet të ishte më e theksuar, domethënë patjetër të fitonin partitë e majta ose edhe e djathta duhet të ishte e majtë, sepse të tillë e kemi vendin”, tregon 60-vjeçari, që e ka ushtruar të drejtën e votës në ato që i quan momente deçizive, në ’92-shin dhe 2013-ën.

Biseda ishte e gjatë dhe jo përsëritëse, me përjashtim të një fjalie që ma tha për herë të dytë: “Gjithmonë, pak më tutje meje, ka më keq se unë, prandaj protestoj, për të gjithë ne.”

Me këto fjalë, Hekurani u nis drejt sheshit përballë Kryeministrisë. Atje, mes zërave të protestës, do të fliste sërish në mënyrën e tij, me pak fjalë të shkruara me dorë, për fëmijët e vet dhe për të gjithë ata që, siç thotë, janë “më keq” se ai.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *