Skip to main content

Citizens.al

“Djali i Flamurit”, 90 ditët e Agron Jeminit në shesh

Foto ilustrim/Citizens.al

Në orën 18:00, kur Tirana nis të ndryshojë ritmin dhe njerëzit s’kanë filluar ende të mblidhen, Agron Jemini është tashmë rrugës.

Me bicikletë dhe flamurin kuqezi ai përshkruan rrugën nga shtëpia e tij në Shkozë drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku prej tre muajsh tanimë ka zenë vend Revolucioni Flamingo.

Ndërsa lë biçikletën pranë Piramidës, ai ulet në një prej kafeneve aty pranë dhe takon të njohur e të panjohur deri sa mbërrin ora e protestës.

39-vjeçari është kthyer në një prej figurave më të dallueshme të protestës. “Djali i flamurit”, siç e thërrasin tashmë protestuesit, është aty çdo mbrëmje, duke e valëvitur flamurin kuqezi mbi kokat e njerëzve.

“Më etiketojnë djali i flamurit sepse kam mbetur vetëm unë këtu në shesh. Kanë ardhur dy ditë, tre ditë kanë ikur. Kurse unë kam pasur arsye për të ikur, por nuk e di, dashuria për kombin, nuk e di se si qenka. Dashuria për flamurin…”,ndan mes emocionesh Agroni.

Në një protestë që ka ndryshuar shumë herë fytyrë, ritëm e numër, ai ka mbetur aty, prej ditës së dytë të saj.

“Mezi e pres orën 19:00 që të vij këtu në shesh, vetëm prej flamurit. Te flamuri kam gjetur vetveten se kam pasur ca halle më përpara dhe njeriu i shpreh diku. Te parashuta, te futbolli. Unë e shpreh këtu të gjithën, të gjithë energjinë time unë e hedh këtu, në shesh”, shprehet Agron Jemini për Citizens.al.

Agroni nuk doli në protestë për ide abstrakte mbi politikën, arsyet e tij ishte konkrete e të prekshme: “Si fillim më sollën arsyet familjare, për pensionin e babit që ishte i ulët, nafta që ishte para protestës po kapte 300 lekëshin edhe ushqimet dhe të gjitha të tjerat”.

Për Agronin, protesta nuk është më vetëm një betejë me politikën, ajo është kthyer në një vend ku ai shpreh veten.

“Frymëzim se më përpara isha i mbyllur në vetvete, shkoja në punë, shkoja në shtëpi vetëm me babin, kurse këtu kam gjetur shumë njerëz që më duan. Këtu kemi gjetur edhe miq përtej protestës. Unë pi kafe me shumë veta nga sheshi se unë vij në orën 18:00 nga shtëpia dhe dua të takoj sa më shumë njerëz që të më njohin, jo vetëm te flamuri, por të më njohin edhe si njeri”, tregon ai nga rutina e tij e ndryshuar prej afër tre muajsh.

Tanimë, një protestë e shtrirë në kohë i ka dhënë atij një komunitet të ri.

Një ditë e zakonshme, që përfundon në shesh

Agroni tregon se që prej nisjes së protestës ditët e tij janë bërë më të gjata.

“Unë çohem në orën 6:00, pi kafen, pres atë shokun për punë, iki te puna. Mbaroj në 15:00-16:00, pastaj bëj bukën babit, gjellën, pastroj edhe shtëpinë dhe pastaj vij në orën 18:00 këtu. Nuk premton koha, 6:00 deri në 23:00”, ndan ai rutinën e tij së fundmi.

Puna e lodh fizikisht, pasi Agroni punon në shpërndarjen e ujit të pijshëm në Tiranë, e as orët e protestës nuk janë pushim. Ai valvit flamurin për orë të tëra në këmbë, në vapë, në shi, në zhurmë, mes turmës.

Por lodhjen duket se e mund diçka tjetër, adrenalina dhe mirënjohja e qytetarëve.

“Unë po të filloj të ndaloj nga shtëpia deri këtu, unë i bie mos të vij në protestë se aq shumë më duan shqiptarët. Adrenalinën më të shumtë e marr kur ikim në marshim te bashkia e Tiranës. Aty është si kthesë dhe kur vijnë 1 mijë veta dhe të thërrasin emrin aty më ngrohet zemra”, rrëfen Agroni.

Në atë moment, ai nuk është më thjesht Agroni që ka ardhur nga puna. Është “Djali i flamurit”. Dhe kur turma thërret emrin e tij, flamuri që valëvitet mbi kokën e tij duket sikur përmbledh gjithë historinë e këtyre javëve.

Por ndërsa sheshi i ka dhënë Agronit njerëz, miq dhe një ndjesi përkatësie, ka edhe një mungesë që protesta nuk mund ta mbushë.

“Vëllai dhe mami mendoj se po më shohin diku. Dhe mendoj 100% që i kam bërë krenarë. Unë jam krenar për ata. Por më mungon shumë nëna, nëna më mungon shumë. Por mendoj se më shikojnë diku edhe më japin fuqi”, ndan ai mes emocionesh për nënën dhe vëllain që i ka humbur vite më parë.

Ndërsa këto muaj protestë e kanë privuar edhe nga qëndrimi me të atin, të cilin e sheh pak.

“Kur shkoj në orën 23:00-23:30 ai fle gjumë. E ndjej shumë mungesën e atij se dua ta shoh zgjuar, të bëj pak muhabet. Iki në 6:00 dhe e le prapë në gjumë, e gjej dy orë vetëm në drekë dhe sakrificë është.”

Për Agronin, kjo protestë përpos qëllimit që u thirr ishte edhe përbashkuese mes vetë qytetarëve, gjë e cila kishte munguar.

“Kjo protestë na ka bërë bashkë. Deri dje nuk i flisja komshiut, sot flasim. Ka filluar edhe mendërisht kjo protestë të na shërbejë të gjithëve, jo vetëm mua të gjithëve”, rrëfen ai, ndërsa nuk ngurron të shprehë ngazëllimin nëse protesta e arrin qëllimin e saj.

“Unë do të isha krenar të rrëzohej qeveria, por ama po u mbyll protesta unë prapë jam krenar me shqiptarët. Unë edhe po fituam, te uji do punoj. Do marr flamurin, kontribuova, jam falënderues”, përmbyll fjalën e tij Agroni.

Lexo gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *