Një grup qytetarësh dhe aktivistësh mjedisorë ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për zhvillimin e një referendumi që synon shfuqizimin e ligjit nr. 21/2024 për zonat e mbrojtura. Nisma vjen pas muajsh protestash, kërkesash nga shoqëria civile dhe kundërshtimesh ndaj ndryshimeve ligjore që, sipas aktivistëve, i hapë rrugë ndërtimeve brenda territoreve të mbrojtura.
Një tjetër formë presioni ndaj qeverisë
Besjana Guri, një nga nismëtaret e referendumit, thotë se referendumi nuk synon të zëvendësojë protestën, por t’i shtojë një tjetër mekanizëm presionit publik mbi çështjen.
Sipas Gurit, përafrimi i legjislacionit shqiptar me acquis-in mjedisor të Bashkimi Evropian, nuk garanton që ndryshimet do të bëhen në një afat të shpejtë.
“Koha që i është dhënë Shqipërisë është edhe deri në fund të vitit 2027”, thotë ajo, duke shtuar se nisma shpreson që firmat të mblidhen deri në nëntor të këtij viti dhe procesi i referendumit të përfundojë në qershor 2027.
Ajo e sheh mbledhjen e 50 mijë firmave edhe si një tregues politik dhe qytetar për qeverinë.
“Nëse do të arrihen të mblidhen 50 mijë firma vetëm me këtë hap, tregon shumë se sa i fuqishëm është vullneti i njerëzve për ta mbrojtur natyrën, për të mbrojtur zonat e mbrojtura dhe për ta shfuqizuar këtë ligj”, shprehet Guri.
Mbledhja e nënshkrimeve ka nisur në sheshin ku prej muajsh vijon protesta “Revolucioni Flamingo”. Për organizatorët, zgjedhja e këtij vendi është simbolike, por edhe praktike, pasi aty ndodhen qytetarë dhe aktivistë tashmë të angazhuar në kauzën për mbrojtjen e zonave të mbrojtura.
Por procesi pritet të zgjerohet përtej sheshit të protestës.
Sipas Gurit, në ditët në vijim do të ngrihen pika të tjera në Tiranë, ndërsa nënshkrimet pritet të mblidhen edhe në qytete të tjera, mes tyre Elbasani, Vlora, Shkodra dhe Korça. Organizatorët po planifikojnë gjithashtu përfshirjen e shqiptarëve në diasporë.
“Mezi presin ta japin kontributin e tyre për referendumin”, thotë Guri për qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.
KQZ ka përcaktuar ndërkohë rregullat për mbledhjen dhe administrimin e nënshkrimeve për referendumet, duke parashikuar përdorimin e detyrueshëm të fletëve tip, identifikimin e zgjedhësve dhe rregulla për administrimin e formularëve.
“Populli vendos vetë”
Edhe Blendi Salaj, një tjetër prej nismëtarëve, e lidh referendumin me të drejtën e qytetarëve për të vendosur për çështje që prekin të ardhmen e vendit.
“Referendumi ka si synim që të mbledhë firmat dhe t’i lërë popullit shqiptar që të vendosë vetë mbi ligjet të cilat prekin jo vetëm të tashmen e Shqipërisë, por edhe të ardhmen”, shprehet Salaj.
Sipas tij, ligji për zonat e mbrojtura është veçanërisht i rëndësishëm për shkak të ndikimit që mund të ketë mbi territorin dhe natyrën.
Për nismëtarët, mbledhja e firmave nuk është një alternativë ndaj protestës, por një tjetër front i së njëjtës kërkesë.
“Nëse qeveria vendos ta shfuqizojë ligjin sonte, lavdi Zotit, shkëlqyeshëm”, thotë Salaj.
“Ai që firmos për referendumin nuk i thuhet tani mos hajde më, por rri në shtëpi deri sa të bëhet referendumi. Jo, ai mund të vijë çdo natë këtu, të vazhdojë të protestojë po njësoj”, shton ai Blendi Salaj.
Edhe Besjana Guri e sheh këtë proces si një përpjekje për të testuar fuqinë e një nisme tërësisht qytetare. Ajo pranon se rruga drejt referendumit nuk është e thjeshtë, por argumenton se pikërisht për këtë arsye nisma mund të shërbejë si një precedent.
Nismëtarët argumentojnë se ndryshimet e vitit 2024 krijojnë mundësi për zhvillime turistike dhe ndërhyrje infrastrukturore në territore që kanë status mbrojtjeje. Në kërkesën fillestare drejtuar KQZ-së, grupi kishte ngritur në mënyrë të veçantë shqetësime për nenin 33, duke argumentuar se formulimi i tij mund të krijojë hapësirë për zhvillime intensive turistike në zona të mbrojtura.
Ligji nr. 21/2024 u miratua nga Kuvendi në shkurt 2024 dhe u kthye në një nga çështjet kryesore të debatit mjedisor gjatë vitit 2026, veçanërisht pas nisjes së punimeve dhe projekteve turistike në zonën Pishë Poro–Nartë. Kjo zonë u bë edhe pikënisja e protestës “Revolucioni Flamingo”, e cila prej muajsh kërkon ndër të tjera shfuqizimin e ligjit.
Ligji është kundërshtuar edhe në Gjykatën Kushtetuese nga një e pesta e deputetëve të Kuvendit, por Gjykata e rrëzoi kërkesën më 31 korrik 2025.
“Referendumi, një garë me kohën”
Nisma për referendumin kundër ligjit 21/2024 është, para së gjithash, një garë me kohën. Afati maksimal për mbledhjen e firmave është 31 marsi 2027, por ky është vetëm hapi i parë. Ato duhet të verifikohen nga KQZ, të shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese dhe në fund Presidenti i Republikës ka 45 ditë kohë për të caktuar datën. Pa një ligj të posaçëm zbatues për referendumet, që mbetet i pa përdorur që prej 1998, këto hapa s’kanë afate të garantuara, çka mund ta zgjasë procesin përtej asaj që nismëtarët parashikojnë.
Nga ana tjetër, ekziston mundësia që qeveria mund ta shtyjë zotimin e saj ndaj BE-së për përafrimin me acquis-in mjedisor brenda vitit 2027. Citizens.al ka raportuar më parë se drafti i parë i ndryshimeve u refuzua nga Komisioni Evropian. Tërheqja, duket një zotim i brishtë pasi do të nënkuptonte që e njëjta qeveri që ka sjellë në jetë këto ndryshime, të hiqte dorë prej tyre në një kohë kur projektet në zonat e mbrojtura po i afrohen konkretizimit.
Nëse Bashkimi Evropian arrin ta detyrojë qeverinë të shfuqizojë ndryshimet e 2024-ës përpara se referendumi të mbyllë ciklin e tij institucional, referendumi rrezikon të bëhet i paefektshëm, pasi objekti i tij do të jetë zgjidhur tashmë.
Por, nëse qeveria e shtyn atë zotim, referendumi mbetet i vetmi mjet konkret presioni brenda vendit. Fati i zonave të mbrojtura varet nga cili front lëviz më shpejt: BE-ja apo vetë qytetarët.
Lexo gjithashtu:

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).