Në gushtin e vitit 1991, mijëra shqiptarë u nisën drejt Italisë në një nga eksodet më të mëdha të historisë së vendit. Anija “Vlora” u mbush me rreth 20 mijë shqiptarë dhe u nis drejt brigjeve italiane.
35 vite më vonë, i njëjti det u përshkua në drejtim të kundërt. Nga Brindisi drejt Vlorës udhëtuan shqiptarë të diasporës në Itali, pjesëtarë të Kolektivit Mesdhe dhe pjesëtarë të Global Sumud Flotilla, në mbështetje të Revolucionit Flamingo dhe kundër projekteve turistike në zona të mbrojtura.
“Këtë muaj ishte 35-vjetori i anijes Vlora, që hapi rrugën në një mënyrë mediatike të mërgimit shqiptar. Dhe hapi rrugën edhe të një lloj denoncimi ndaj një tranzicioni që nuk po mbaronte kurrë. Pas 35 vitesh shqiptarët e morën situatën në dorë dhe shpërtheu revolucioni i Flamingo.” u shpreh aktivistja Fioralba Duma.
Tre anije me rreth 30 aktivistë, disa prej të cilëve fëmijë të shqiptarëve që u larguan në ato vite, ankoruan në gjirin e Vlorës. Për ta, ky ishte një kthim simbolik dhe politik, në Shqipërinë që po proteston prej tre muajsh.
Clara Osma, një prej shqiptareve që jeton në Itali, e lidh këtë kthim me historinë familjare, pasi tregon se prindërit e saj u larguan drejt Italisë me gomone.
“Prindërit e mi kanë emigruar në Gomone në ’98-ën. Babi ka ikur një herë vetëm në ’95-ën. Pastaj me mamin, u nisën nga Vlora me Gomone në darkë, pa i thene prindërve, u nisën për një shpresë e për një të ardhme më të mirë në Itali, sepse Italia ishte ajo Amerika si na tregohej” – u shpreh Clara Osma.
Për aktivistët, kthimi lidhet edhe me kundërshtimin ndaj modelit të zhvillimit turistik në bregdet dhe projekteve që prekin zona të mbrojtura.
“Nuk kemi nevojë për një turizëm luksoz, sepse e kemi parë modelin e turizmit luksoz. Është një turizëm ekstraktiv. Domethënë që vetëm merr të mirat edhe lekët do i shkojnë per Jared Kushnerin, nuk do i vijnë shqiptarëve. Shqiptarët do kenë vetëm punë të varfra, vetëm punë që janë për që nuk janë dinjitoze. Të vetmet punë që të jep ky turizmi i luksit nuk janë punë të zgjuara, sepse pastaj vijnë nga jashtë kur janë punët me nivel. Shqiptarët i duan për te pastruar, i duan për me i shërbyer.” , u shpreh Klara Nakuci, e cila shton se kjo ngarkesë e shtyn individin të mos ketë kohë për t’u angazhuar në protesta, të mos mendojë për demokracinë apo për rolin e tij në shoqëri.
Yazan Eissa, aktivist palestinez, shprehet se vendimi për të ardhur në Shqipëri lidhet me thirrjen e diasporës shqiptare dhe me mbështetjen ndaj protestave kundër qeverisë Rama.
“Ne morëm iniciativën për të ardhur këtu sot, sepse jemi thirrur nga diaspora shqiptare. Si palestinez, e kuptoj shumë mirë se kjo është një përpjekje kundër një kërcënimi të jashtëm. Qeveria e korruptuar e Ramës kërkon të shesë ishullin e Sazanit, me qëllim transformimin e një ishulli të bukur në një resort privat, i cili do të përjashtonte banorët vendas. Kemi ardhur këtu për ta mbështetur plotësisht dhe për të mësuar prej tij.” tha për Citizens.al Yazan Eissa.
Pjesëmarrja në protesta

Pas mbërritjes në Vlorë, pjesëtarë të Kolektivit Mesdhe, Global Sumud Flotilla, shqiptarë të diasporës në Itali dhe aktivistë të ardhur nga Tirana iu bashkuan protestës që mbahet çdo të premte në “Sheshin e Flamurit”, poshtë Monumentit të Pavarësisë.
Në shesh u mbajtën fjalime për mbrojtjen e territorit dhe kundërshtimin e projekteve turistike në zona të mbrojtura. Më pas, grupi marshoi nëpër qytet, duke i dhënë jehonë protestës nëpër rrugët e qytetit.
Të nesërmen, më 22 gusht, aktivistët u nisën drejt Nartës. Ata ecën përgjatë zonës së mbrojtur, u ndalën për të parë flamingot dhe vijuan drejt Zvërnecit, ku zhvilluan një aksion simbolik. Në Zvërnec, aktivistët hapën banderola me mesazhe të ndryshme, të shoqëruara me flamujt shqiptarë dhe simbolin e flamingos.
“1991 na larguan, 1997 na mbytën, 2026 u kthyem” ishte mesazhi i shpalosur gjatë aksionit në det, teksa pas qytetarëve dukeshin tri anijet me të cilat udhëtuan aktivistët.
Nga Vlora, rruga e tyre vijoi drejt Tiranës. Mbrëmja i gjeti në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku iu bashkuan protestës së Revolucionit Flamingo në ditën e 84-t të saj.
Por mbërritjes së aktivistëve i parapriu një valë pretendimesh të paprovuara mbi origjinën, financimin dhe përmasat e nismës. Global Sumud Flotilla është një rrjet ndërkombëtar, i krijuar fillimisht për misione detare solidariteti me Gazën dhe dërgimin e ndihmave humanitare, ndërsa në Shqipëri mbërriti vetëm një delegacion i saj me tri anije dhe rreth 30 aktivistë, së bashku me pjesëtarë të Kolektivit Mesdhe dhe shqiptarë të diasporës.
Në ditët para nisjes nga Brindisi, në disa media dhe në rrjetet sociale u përhapën pretendime se udhëtimi financohej ose organizohej nga Alex Soros, se në krye të flotiljes do të ishte Greta Thunberg dhe se drejt Shqipërisë do të mbërrinin deri në 30 mijë persona. Për asnjë nga këto pretendime nuk u paraqitën prova publike, ndërsa në Vlorë mbërritën rreth 30 aktivistë.
Këto pretendime u bënë pjesë e një fushate më të gjerë që së fundmi po përpiqet ta paraqesë “Revolucionin Flamingo” si të nxitur, financuar apo drejtuar nga interesa të huaja, duke e zhvendosur debatin nga kërkesat dhe shkaqet konkrete të protestës, tek teoritë mbi aktorët që supozohet se qëndrojnë pas saj.
Kjo përshkallëzoi në një situatë ku një pjesë e protestuesve nuk lejuan dy prej aktivistëve të diasporës që mbërritën me këtë organizim, të merrnin mikrofonin dhe të mbanin fjalimin e tyre në qendrën e protestës.
Lexo gjithashtu:
Eurodeputetët në Zvërnec: Mjedisi dhe korrupsioni, test për integrimin e Shqipërisë
“Revolucioni Flamingo” shkon në Sazan
Diaspora i bashkohet “Revolucionit Flamingo”

Vjolanda Peca ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Prej disa vitesh është e angazhuar në gazetari, me fokus raportimin investigativ, verifikimin e fakteve dhe prodhimin multimedial. Është angazhuar në disa media televizive dhe online, ku ka raportuar mbi çështje të krimit të organizuar, korrupsionit, transparencës publike, të drejtave të njeriut, çështjeve sociale dhe fenomeneve që prekin grupet e margjinalizuara.