Në korrik 2023, Ministria e Kulturës e quajti “një lajm i mirë” restaurimin e godinës së ish-Radio Tiranës. Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale (KKTKM) kishte miratuar projektin e restaurimit për godinën, monument kulture i kategorisë së dytë, në rrugën “Kont Urani”.
Më shumë se tre vjet më vonë, godina jo vetëm nuk u restaurua, por u dëmtua më rëndë, duke iu hequr çatia. Dokumentimi i djeshëm i Citizens.al tregon se mbulesa e objektit është hequr plotësisht, ndërsa godina ngjitur që dikur mbante gjithashtu statusin monument kulture është shembur pjesërisht.
Godina, e ndërtuar mes viteve 1928-1930, ishte selia e radiostacionit të parë shqiptar, që nisi transmetimet më 28 nëntor 1938. Ndodhet në një zonë që dikur përbënte një ansambël vilash historike në rrugën “Kont Urani”.
Që prej vitit 2021, Citizens Channel ka dokumentuar shkatërrimin sistematik të kësaj zone, i cili nis me heqjen e vilave nga lista e monumenteve të kulturës dhe hartimin e Planit të Detajuar Vendor nga Bashkia e Tiranës që parashikon shembjen e objekteve për t’i lënë vend një kompleksi pallatesh 11-katësh. Vila Lezo dhe pjesë të tjera të ansamblit u shembën atë vit. Radio Tirana ishte paraqitur si e vetmja godinë e ansamblit që do t’i shpëtonte shkatërrimit.
Në qershor 2023, godina u rrethua papritur me skela, pa asnjë tabelë informuese jashtë. Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) i tha Citizens se rrethimi ishte bërë pa leje nga pronari Roland Manushi, i cili nuk kishte kryer aplikimin përkatës në sistemin e-leje dhe punimet u pezulluan.
Një muaj më vonë, më 6 korrik 2023, KKTKM miratoi restaurimin e godinës. Projekti parashikonte restaurim të plotë, çati, fasadë, dysheme, dyer, dritare, si dhe instalimin e një ashensori për personat me aftësi të kufizuara, me një investim të planifikuar prej rreth 28.5 milionë lekësh.
Bashkia e Tiranës autorizoi nisjen e punimeve më 13 shtator 2023, me një afat një-vjeçar i cili skadoi në shtator 2024 dhe pronari nuk depozitoi kërkesë për ta shtyrë.
Realiteti i dokumentuar sot tregon se në godinë janë bërë ndërhyrje të reja, të cilat IKTK i konsideron “të paautorizuara”. Çatia e godinës mungon plotësisht ndërsa vila fqinje, pjesë e po atij ansambli historik, është shembur pjesërisht pak ditë më parë.
Të kontaktuar për koment, burime pranë IKTK i konfirmuan Citizens.al se është kryer një inspektim në terren dhe është hartuar një akt konstatimi dhe një relacion ku janë evidentuar ndërhyrje të paautorizuara, që nuk janë pjesë e projektit të miratuar me Vendimin nr. 381.
Institucioni i tha Citizens se në momentin e inspektimit nuk u gjet asnjë person në objekt, përfshirë vetë pronarët dhe nuk është arritur të verifikohet kush i ka kryer ndërhyrjet që çuan në heqjen e çatisë.
Një përgjigje zyrtare e unifikuar pritet nga institucioni brenda ditëve në vijim, dhe do të reflektohet në këtë publikim. Ajo që konfirmohet deri tani është se ndryshe nga sa u premtua, objekti nuk po restaurohet dhe shembja e ansamblit historik në rrugën Kont Urani ka nisur.
Rasti i ish-Radio Tiranës nuk është i izoluar. Citizens.al ka dokumentuar se përgjatë viteve 2016-2021, 36 objekte monument kulture në Tiranë janë zhveshur nga statusi i mbrojtjes, dhe 17 prej tyre janë kthyer tashmë në pallate, shpesh përmes të njëjtit mekanizëm. Degradim dhe mungesë mirëmbajtje, i ndjekur nga një relacion ekspertësh që e quan objektin pa vlerë, dhe më pas heqja e statusit që hap rrugën për ndërtim.
Ish-Radio Tirana ende e mban statusin monument kulture dhe është i vetmi monument i rrugës Kont Urani që u premtua se do i shpëtonte shembjes. Por pa çati, pa mbikëqyrje, dhe pa askënd që të mbajë përgjegjësi, historia e saj po ndjek të njëjtën trajektore që tashmë ka fshirë 17 vila historike nga harta e Tiranës.

Drejtor Ekzekutiv
Ka kryer studimet e nivelit master në Gazetari dhe Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës dhe një sërë trajnimesh mbi gazetarinë inovative dhe menaxhimin e medias në rajon, BE dhe SHBA. Veç eksperiencës 10-vjeçare si gazetar, kryeredaktor dhe producent i podcasteve dhe dokumentarëve, ai është angazhuar si konsulent dhe trajnues i metodave inovative të gazetarisë dhe edukimit mediatik me organizata vendase dhe ndërkombëtare si Thomson Foundation, IREX World, OSCE, EULEX dhe CRD . Prej vitit 2018 është drejtor ekzekutiv i Citizens.al ku udhëheq punën editoriale dhe strategjike të medias.