Muaji gusht e gjen Shqipërinë me shtatë vatra aktive zjarri. Sipas Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, dhjetëra forca operacionale, mjete zjarrfikëse dhe mjete ajrore janë angazhuar në izolimin dhe shuarjen e flakëve, ndërsa situata më kritike paraqitet në Riban dhe Ngraçan të Mallakastrës. Vatra aktive raportohen gjithashtu në Elbasan, Libohovë, Dropull, Selenicë dhe Skrapar.
Më 27 korrik, Kryeministri Edi Rama deklaroi se deri në fund të vitit Shqipëria do të ketë tre avionë zjarrfikës. Ndërsa më 5 gusht, në kulmin e sezonit të zjarreve, ai njoftoi nisjen e operacioneve të avionit të parë zjarrfikës, duke e cilësuar atë një kapacitet shtesë për përballimin e një gushti sfidues.
Pas akuzave të Partisë Demokratike lidhur me procedurën e prokurimit për blerjen e tre avionëve për shuarjen e zjarreve, Ministria e Mbrojtjes reagoi më 6 gusht, duke mohuar shkeljet e pretenduara dhe duke deklaruar se procedura është zhvilluar në përputhje me ligjin.
Për vitin 2026, qeveria ka parashikuar mbi 2.3 miliardë lekë për forcimin e Mbrojtjes Civile dhe parandalimin e fatkeqësive natyrore. Megjithatë, mbetet e paqartë se sa prej këtyre fondeve janë shpenzuar deri më tani dhe në cilat investime konkrete janë përdorur. Citizens.al i është drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes me një kërkesë për informacion mbi nivelin e zbatimit të planit të investimeve për forcimin e kapaciteteve të Mbrojtjes Civile, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.
“Zjarret kërkojnë investime në njerëz, teknologji dhe mjete”
Ndërsa qeveria e ka vënë theksin te shtimi i mjeteve ajrore për përballimin e zjarreve, eksperti i sigurisë Fatjon Softa vlerëson se blerja e avionëve është vetëm një pjesë e zgjidhjes. Sipas tij, Shqipëria ka nevojë për një sistem më të fortë të mbrojtjes nga zjarri, me investime në mjete tokësore, burime njerëzore, teknologji dhe masa parandaluese.
“Fatkeqësisht, zjarret i trajtojmë gjatë verës dhe përmbytjet gjatë dimrit, ndërsa parandalimi duhet të bëhet gjatë gjithë vitit. Përgatitja nuk duhet të nisë vetëm kur ndodh emergjenca, por shumë më herët”, thekson ai.
Softa thotë se, përveç mjeteve ajrore, një nga problemet kryesore mbetet gjendja e flotës së automjeteve zjarrfikëse, të cilat janë të vjetra dhe të pastandardizuara.
“Automjetet që përdorin shërbimet zjarrfikëse janë të markave të ndryshme, çka krijon vështirësi në sigurimin e pjesëve të këmbimit dhe mirëmbajtjen e tyre. Shumë prej tyre janë prodhim i vitit 1975, ndërsa më të rejat të vitit 1984. Po flasim për mjete 40-50-vjeçare, ndërkohë që jemi në vitin 2026,” thotë ai.
Eksperti ngre shqetësim edhe për burimet njerëzore. Sipas tij, një pjesë e zjarrfikësve janë pranë moshës së pensionit, ndërsa Shqipëria ende nuk ka një shkollë të dedikuar për formimin e zjarrfikësve, duke u mbështetur vetëm në kurse pranë Akademisë së Policisë.
Ai thekson gjithashtu se vendi nuk ka ngritur ende një sistem vullnetarësh për mbështetjen e shërbimeve zjarrfikëse, siç ndodh në shumë vende të tjera, ndërsa mungojnë edhe masa bazë parandaluese, si krijimi i brezave ndarës mes parcelave pyjore dhe mirëmbajtja e tyre nga pushteti vendor, të cilat do të ndihmonin në kufizimin e përhapjes së flakëve.
Sipas Softës, investimet nuk duhet të kufizohen vetëm te blerja e avionëve, por duhet të përfshijnë edhe teknologji si dronët dhe kamerat termike për evidentimin e hershëm të vatrave, modernizimin e mjeteve tokësore dhe forcimin e kapaciteteve njerëzore, pasi ndërhyrja në minutat e para mbetet vendimtare për vënien nën kontroll të zjarreve.
“Shërbimi i mbrojtjes nga zjarri sot varet kryesisht nga pushteti vendor dhe vetëm në mënyrë indirekte nga institucionet qendrore. Kjo ka krijuar vështirësi në koordinimin mes bashkive dhe në ndërtimin e një strategjie të unifikuar kombëtare për menaxhimin e zjarreve,” nënvizon Softa.
Ai përmbyll se përballimi i situatave të tilla kërkon një strukturë më të koordinuar, ku bashkitë të kenë rol aktiv, por të funksionojnë brenda një sistemi kombëtar reagimi dhe parandalimi.
Lexo më shumë:
- Zjarret përsëriten në landfille, Bushati i bashkohet Vlorës dhe Elbasanit
- “Ministria e Tymit dhe Ndotjes”: Aktivistët fajësojnë qeverinë për zjarret në landfille

Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.