Skip to main content

Citizens.al

“Kufizohet liria e raportimit”, gazetarët kundër rregullores së re të GJKKO-së

Foto ilustrim/Citizens.al

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka miratuar rregulloren e re të brendshme, e cila do të hyjë në fuqi më 1 shtator 2026. Dokumenti vendos rregulla të reja për aksesin e gazetarëve në ambientet e gjykatës, përdorimin e telefonave celularë, fotografimin, filmimin dhe sistemin e akreditimit të medias e cila do të ndikojë në sigurinë, rendin, solemnitetin dhe rregullat e sjelljes në ambientet e Gjykatës.

Sipas GJKKO-së, rregullorja synon të forcojë sigurinë dhe administrimin e proceseve gjyqësore dhe argumenton se rregullat e reja nuk synojnë të kufizojnë veprimtarinë e medias, por të krijojnë procedura të qarta dhe të njëjta për të gjitha mediat. Gjykata thekson gjithashtu se administrimi i aksesit nuk do të bazohet në vijën editoriale të mediave, por në kritere objektive si kapaciteti i sallës së gjyqit dhe kërkesat e sigurisë.

Ndër ndryshimet kryesore është ndalimi i përdorimit të telefonave celularë dhe pajisjeve të tjera elektronike në sallën e gjyqit, me përjashtime të parashikuara në rregullore. Gjithashtu, fotografimi dhe filmimi në ambientet e brendshme të gjykatës do të lejohen vetëm me autorizim.

“Rregullorja parashikon se, në sallën e gjykimit, nuk lejohet mbajtja dhe përdorimi i telefonave celularë dhe pajisjeve të tjera elektronike nga personat e pranishëm, me përjashtimet e parashikuara shprehimisht në të,” thuhet në njoftimin për mediat.

Për gazetarët që mbulojnë çdo ditë GJKKO-në, telefoni nuk është përdorur për fotografi apo video, pasi kjo ka qenë e ndaluar edhe më herët. Ai ka shërbyer vetëm si mjet pune për të komunikuar me redaksitë dhe për të raportuar në kohë reale çdo zhvillim të rëndësishëm nga seancat gjyqësore.

Sipas gazetares së RTSH-së Lusi Përgjegji, me ndalimin e përdorimit të telefonave, ky proces vështirësohet ndjeshëm dhe në disa raste bëhet i pamundur.

“Publiku nuk do të informohet më menjëherë për vendimet, deklaratat apo zhvillimet që ndodhin brenda sallës së gjyqit, por vetëm pasi të ketë përfunduar seanca. Kjo krijon një pengesë të panevojshme për punën e gazetarëve dhe kufizon raportimin në kohë reale, duke ndikuar edhe te e drejta e qytetarëve për t’u informuar shpejt mbi procese gjyqësore me interes të lartë publik”, u shpreh gazetarja Përgjegji.

Gazetari i Ora News, Edison Vatnikaj, i cili prej vitesh raporton çdo ditë seancat në GJKKO ngre shqetësime per rreguloren e re duke theksuar se ajo vështirëson ndjeshëm punën e gazetarëve. 

“Mendoj se rregullorja e re e GJKKO pamundëson zhvillimin e punës së gazetarëve. Telefoni është mjeti kryesor i punës. Edhe kur jemi në sallat e gjyqit duke ndjekur një seancë, interesohemi për gjyqe të tjera dhe zhvillime që lidhen me punën tonë,” tha gazetari Vatnikaj.

Gazetari i Euronews, Eni Ferhati, i cili raporton prej ditës së parë të funksionimit të GJKKO-së, e konsideron rregulloren e re një pengesë serioze për punën e gazetarëve.

“Një rregullore e tillë nuk mund të dalë pa një udhëzim të KLGJ-së, i cili është institucioni dhe enti rregullator i sistemit. Rregullorja e re bie ndesh me frymën e mirë dhe bashkëpunimin e ndërsjellë të ndërtuar prej vitesh me GJKKO-në, në kuadër të informimit dhe interesit publik”, u shpreh Ferhati.

Rregullorja ka sjellë reagime të menjëhershme nga organizatat e gazetarëve, të cilat e konsiderojnë se disa prej dispozitave të parashikuara në rregullore cënojnë lirinë e raportimit.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) shprehet se kufizimi i përdorimit të telefonit celular është i pajustifikuar, pasi sipas AGSH-së, Shqipëria nuk ka nevojë për kufizime të reja, por për zbatim të njëtrajtshëm të rregullave ekzistuese. 

Duam të sjellim në vëmendje të GJKKO ee telefoni celular nuk është thjesht një pajisje elektronike, por mjeti bazë i punës së gazetarit për raportim në kohë reale, komunikim me redaksinë dhe informim të publikut,” u shpreh Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë në një deklaratë në rrjete sociale teksa i kërkon GJKKO-së të shtyjë hyrjen në fuqi të rregullores dhe të hapë një proces konsultimi me organizatat e medias.

Edhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) kundërshton rregulloren, duke argumentuar se ajo vendos procedura burokratike dhe kufizime të reja për gazetarët. Sipas Unionit, kërkesa për autorizim paraprak e kthen aksesin në gjykatë nga një e drejtë në një leje administrative, ndërsa mënyra e akreditimit, kufizimi i numrit të gazetarëve dhe mungesa e një mekanizmi ankimi krijojnë hapësirë për vendimmarrje diskrecionale.

“UGSH vëren se kërkesa për autorizim paraprak, kushtëzon praninë e mediave dhe e trajton aksesin nga një e drejtë në një leje administrative. Sipas kësaj procedure, po për seancat e papritura apo zhvillime të befta, kur media nuk mund të përmbushë afatin e përcaktuar në këtë rregullore, a nuk kemi precedentin e kufizimit pengues?!” ngre pyetjen Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dhe shton që pika ku përcaktohet kufizimi i gazetarëve, ku mungojnë kriteret përzgjedhëse, cënon parimin e së drejtës së pranisë së seicilës media dhe pluralizmit informues.

Rregullorja pritet të hyjë në fuqi më 1 shtator, ndërsa organizatat e medias kërkojnë rishikimin e dispozitave që prekin raportimin nga proceset gjyqësore, duke argumentuar se duhet të gjendet një balancë mes sigurisë së gjykatës dhe të drejtës së publikut për t’u informuar.

Lexo gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *