Korporata Elektoenergjitike Shqiptare (KESH) ka vendosur pezullimin e punimeve në lumin e Mërturit në Tropojë, pas kërkesës së banorëve për ndalimin e ndërtimit të tre digave në rrjedhën e lumit. Vendimi vjen rreth një muaj pasi banorët u organizuan në protestë.
Në një kërkesë të 4 gushtit, drejtuar avokatëve që përfaqësojnë Bordin për “Mbrojtjen e Lumit të Mërturit”, krijuar pas protestës së organizuar më 5 korrik, KESH njofton se ka vendosur “pezullimin e menjëhershëm të punimeve që zhvillohen në lumin e Mërturit, deri në një vendimmarrje tjetër të Autoritetit Kontraktor”.
Vendimi është mirëpritur nga banorët dhe aktivistët mjedisorë, por shihet si një ndalesë e përkohshme dhe jo zgjidhje përfundimtare për projektin.
“Pezullimin e punimeve e shohim si një hap shumë të rëndësishëm, sepse pikërisht këtë kemi kërkuar në këtë fazë: të ndalen ndërhyrjet në lumin e Mërturit dhe projekti të rishikohet”, thotë Besnik Palnikaj, banor i zonës dhe një ndër organizatorët e protestës së 5 korrikut.
Sipas tij, kërkesa e banorëve nuk ka qenë anulimi i investimit apo humbja e fondit të parashikuar për zonën, por ndryshimi i mënyrës së ndërhyrjes
“Ne nuk kemi bërë ankesë për anulimin e plotë të projektit dhe as kemi kërkuar që fondi i parashikuar të humbasë. Përkundrazi, qëllimi është që ky investim të mbetet për zonën, por të ndryshojë mënyra dhe vendi i ndërhyrjes”, shprehet Palnikaj.
Propozimi i banorëve është që pritat e parashikuara nga projekti të zhvendosen nga shtrati i lumit drejt përrenjve që sjellin aluvione dhe materiale në Mërtur, duke respektuar kriteret teknike dhe mjedisore.
“Në vetë lumin të mos ketë diga apo prita”, thotë Palnikaj, duke shtuar se banorët nuk janë kundër investimit dhe zhvillimit të zonës, por kundër një ndërhyrjeje që, sipas tyre, do të ndryshonte rrjedhën natyrore të lumit.
“Një fitore e momentit, por nuk garanton moscënimin e lumit”
Për Besjana Gurin nga Qendra LUMI, vendimi i KESH është i rëndësishëm për lumin e Mërturit, edhe pse pak i vonuar.
“Vendimi për pezullimin e punimeve në lumin e Mërturit vjen në fakt një muaj pas ndërprerjes së punimeve në terren, pasi banorët njoftuan protestën në zonë”, thotë Guri.
Ajo e konsideron vendimin një “fitore të momentit”, por thekson se ai nuk garanton që lumi nuk do të cenohet në të ardhmen.
Edhe vetë formulimi i shkresës së KESH, sipas saj, lë të hapur të ardhmen e projektit, pasi pezullimi bëhet deri në një vendimmarrje tjetër të Autoritetit Kontraktor.
“Shkresa e dërguar nga KESH banorëve nuk qartëson se çfarë do të ndodhë me projektin gjatë kësaj kohe, i cili njoftohet se do të rifillojë punimet në një vendimmarrje tjetër”, thotë Guri.
Për Besjana Gurin, hapi i radhës duhet të jetë transparenca mbi mënyrën se si projekti është hartuar dhe miratuar.
“Të behen publike dokumentet sipas të cilave është bërë studimi për ndërhyrjen e parashikuar në lumin e Mërturit. Mbi bazën e cilave studimeve është marrë ky vendim dhe së dyti të bëhet një proces i hapur i kësaj faze që jemi tani që mesa kuptohet është një fazë e rishikimit të projektit, ku të përshihen banorët, ekspertët, organizatat mjedisore të angazhuara, të cilët duhet të japin argumentet e tyre në lidhje me këtë projekt specifik”,argumenton Besjana Guri.
Sipas Gurit, diskutimi nuk lidhet vetëm me një ndërhyrje infrastrukturore, por me një zonë me rëndësi të veçantë ekologjike.
“Nuk duhet të harrojmë që zona për të cilën flitet është një zonë që gjendet në zemër të Alpeve të Shqipërisë. Alpet janë Park Kombëtar, ndërsa vetë zoa e Nikaj-Mërturit është Park Rajonal Natyror”, shprehet më tej Guri.
Guri argumenton gjithashtu se ndërhyrjet në lumin e Mërturit duhen parë në raport me potencialin e zonës për zhvillimin e turizmit natyror. Sipas saj, ruajtja e mjedisit duhet të jetë pjesë qendrore e çdo investimi, në mënyrë që zhvillimi i turizmit të jetë i qëndrueshëm dhe të sjellë përfitime për ekonominë lokale dhe familjet e zonës.
Për banorët, zgjidhja qëndron në rishikimin e projektit, jo në heqjen dorë nga investimi.
“Fondi të përdoret, pritat të orientohen në përrenjtë ku janë të nevojshme, ndërsa Lumi i Mërturit të lihet i lirë dhe i paprekur”, thotë Besnik Palnikaj.
Pezullimi i KESH e ndal për momentin ndërhyrjen në lumë, por e ardhmja e projektit mbetet e hapur.
Në 5 korrik 2026, më shumë se 300 banorë të zonë u organizuan në protestë. Një projekt me një afat 22 muajsh i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) parashikon ndërtimin e tri pritave malore (diga) në këtë lumë, ndërsa afër tre javë para protestës punimet nisën, duke mos venë në dijeni banorët e zonës.
Lexo gjithashtu:

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).