Skip to main content

Citizens.al

Kallëzim penal për Pishë Poro-Nartën: “Punimet kanë dëmtuar habitatet”

Foto ilustrim/Citizens.al

Një kallëzim penal është depozituar në Prokurorinë e Vlorës për ndërhyrjet e kryera në peizazhin e mbrojtur Pishë Poro–Nartë, në funksion të projektit “Zvërnec Peninsula”.

Kallëzimi, i depozituar nga Qendra Res Publica dhe organizata mjedisore Eco Albania, kërkon hetimin e punimeve dhe ndikimit të tyre në zonën e mbrojtur.

Në kallëzim, organizatat kërkojnë regjistrimin e procedimit penal ndaj personave përgjegjës për ndërhyrjet në terren si dhe verifikimin e rolit të institucioneve mbikqyrëse, të cilat sipas tyre nuk kanë ndërhyrë për të parandaluar dëmtimin e zonës së mbrojtur.

Sipas kallëzimit, që prej fundit të muajit prill 2026 në zonë janë kryer punime me mjete të rënda, përfshirë buldozerë, fadroma dhe kamionë, të cilët kanë hapur rrugë, vendosur rrethimin dhe kanë ngritur elementë të kantierit në funksion të projektit të zhvilluar nga shoqëria “Zvërnec South Adriatic Development”.

“Zona ku janë kryer këto ndërhyrje nuk është territor i zakonshëm ndërtimor, por pjesë e një zone të mbrojtur mjedisore, me vlera të posaçme ekologjike, peizazhore dhe publike”, thuhet në kallëzimin e organizatave.

Organizatat argumentojnë se çdo veprimtari që prek dunat ranore, bimësinë, pyllin e pishës dhe kanalet që lidhin lagunën me detin, si dhe monumentet natyrore, kërkon jo vetëm një akt format administrativ, pro edhe verifikim të kufijve territorialë dhe natyrës së punimeve të lejuara.

Në kallëzim ngrihen gjithashtu pikëpyetje mbi bazën ligjore të punimeve, duke theksuar se në kohën kur nisën ndërhyrjet nuk ishte bërë publik një akt administrativ që të autorizonte rrethimin.

“Kryeministri ka deklaruar publikisht se për projektin ekziston vetëm leje zhvillimi dhe jo leje ndërtimi. KKTU ka deklaruar se një leje e mëtejshme, e shqyrtuar në mbledhjen e prillit 2026, nuk është zbardhur”, thuhet në kallëzim, duke deklaruar se futja e mjeteve të rënda dhe ngritja e kantierit është kryer pa akt të zbardhur dhe të verifikueshëm.

Organizatat kërkojnë hetim edhe për mosveprimin e institucioneve përgjegjëse, mes tyre Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Inspektoratit Vendor të Bashkisë Vlorë, Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, duke argumentuar se dëmet ishin publike dhe të dokumentuara për muaj me radhë.

Res Publica dhe Eco Albania kërkojnë nga prokuroria që të dokumentojë në terren gjendjen e dunave, pyllit, vegjetacionit, kanaleve lagunore si dhe gjurmët e punimeve; të administrojë dokumentacionin lidhur me projektin “Zvërnec Peninsula” dhe të verifikojë ligjshmërinë dhe përmbajtjen e vendimit nr.05 të KKUT-së për punimet.

Po ashtu përmes kallëzimit kërkohet verifikim i statusit të pronës, hetim i veprimeve të IKMT-së dhe institucioneve të tjera përgjegjëse.

“Në rast se rezulton se funksionarët përgjegjës kanë qenë në dijeni të indicieve për dëmtim të habitatit në zonë të mbrojtur, punime të paautorizuara ose zaptim të pronës publike, por nuk kanë vepruar, nuk kanë ndërhyrë ose nuk kanë kallëzuar, kërkojmë fillimin e hetimit edhe për veprat penale “Moskallëzimi i krimit”, parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal, dhe, sipas rastit, “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal”, thuhet në kallëzim.

Raporti: Punimet kanë ndryshuar tashmë habitatet e Pishë Poro–Nartës

Raporti teknik i biologut Olsi Nika, drejtues i Eco Albania-s, për periudhën mars–qershor 2026 evidenton ndikime të punimeve në Peizazhin e Mbrojtur Pishë Poro–Nartë.

Sipas raportit, kalimi i mjeteve të rënda, nivelimi dhe shtrimi i rrugëve kanë ndryshuar mikrorelievin dhe strukturën e dunave ranore. Ngjeshja e rërës pengon rigjenerimin e vegjetacionit dhe rrit rrezikun e erozionit, ndërsa përdorimi i gurëve gëlqerorë dhe inerteve të sjella nga zona të tjera ka mbuluar substratin natyror.

Raporti evidenton gjithashtu dëmtim të pemëve dhe pastrim të vegjetacionit në sektorin veriperëndimor, duke reduktuar mbulesën natyrore, strehimin dhe korridoret e lëvizjes për faunën. Dëmtimi i pyllit bregdetar dobëson edhe funksionin e tij mbrojtës ndaj erës, spërkatjes së kripur dhe erozionit.

Shqetësim paraqet edhe kanali që lidh lagunën me detin. Nëse struktura e ndërtuar mbi të ngushton ose pengon rrjedhën e ujit, mund të ndikojë në kripësinë, oksigjenimin, transportin e sedimenteve dhe lëvizjen e peshqve.

Në fokus janë edhe breshkat detare “Caretta caretta“. Punimet e zhvilluara gjatë prill–qershorit përkojnë me periudhën e riprodhimit dhe sipas raportit, zhurma, ndriçimi, lëvizja e mjeteve dhe ngjeshja e rërës mund të dëmtojnë habitatin e folezimit dhe foletë.

Gardhet dhe aktiviteti i vazhdueshëm i makinerive ndikojnë gjithashtu në lëvizjen e faunës dhe periudhat e migrimit e folezimit të shpendëve. Të kombinuara me aeroportin, rrugët dhe zhvillimet e tjera të planifikuara, këto ndërhyrje mund të sjellin humbje të peizazhit.

Një nga përfundimet kryesore të raportit është se emërtimi “punime paraprake” nuk e ndryshon ndikimin ekologjik të ndërhyrjeve. Sipas Eco Albania, rrafshimi i dunave, heqja e vegjetacionit, vendosja e materialeve të huaja dhe ndërhyrja në ujëkëmbimin lagunë–det kanë prodhuar tashmë ndikime reale dhe potencialisht të pakthyeshme.

Lexo gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *