Ky shkrim, në trajtën e një përjetimi emocional, i shkruar në vitin 2016 nga gazetari Artan Rama mbi betonizimin e Parkut të Madh të Tiranës, mbetet i rëndësishëm edhe sot, kur hapësirat e gjelbra në kryeqytet pothuajse janë zhdukur. Dhjetë vjet më pas, Tirana vuan presionin e ndërtimeve të zhurmshme dhe masive, shkatërrimin e së gjelbrës dhe tjetërsimin e traditës arkitekturore. Përgjatë së njëjtës periudhë, Citizens.al ka raportuar dhe ka dokumentuar kasaphanën urbane e cila sot është zgjeruar në përmasa kombëtare, duke sulmuar zonat e mbrojtura dhe bregdetin e virgjër, nga të njëjtët administratorë qytetesh dhe klanesh betonizuesish postmodernistë.
***
Nëse merr shtegun e qershive, në hyrje të Parkut të Liqenit, pranë sheshit “Frederik Shopen”, në anë të Akademisë se Arteve dhe Universitetit, do të mjaftojnë vetëm dhjetë minuta për t’u ngjitur mbi kodër, kur pranë memorialit të vëllezërve Frashëri do të ndeshësh diçka të pazakontë: një kantier i rëndomtë ndërtimi. Hapësira ndërmjet memorialit dhe obeliskut të DEBATIK-ut është rrethuar me një rrjetë teli me lartësi mbi dy metra.
Megjithëse e diel, në kantier punohet. Tonelata dheu e bari janë zhvendosur për t’ia lënë vendit pirgjeve të përkohshme të zhavorrit. Makineritë speciale kanë çarë tokën për së gjati në rripa të ngushtë dhe kanalet e hapura pritet të mbushen me beton. Mbi bar shihen ngarkesat me materiale ndërtimi dhe gjurmë të freskëta zinxhirësh, çka dëshmon për praninë e mjeteve motorrike gjatë orëve të fundit.
Diku në anë, aty ku pylli bëhet më i dendur, një grup punëtorësh po ngrohen në diell. Përgjatë rrugës së këmbësorëve, pranë rrethimit, krahas vizitorëve të pakët, bien në sy uniformat e dy policëve bashkiakë. Vizitorët: vrapistë, pensionistë, çifte të rinjsh, fëmijë, dikur të shumtë, tani janë më të rrallë.
Prej kohësh në park nuk ka qetësi. Betonierat po bëhen pjesë e mjedisit natyror. Njëmijë e njëqind metër kub beton, kinse për ndërtimin e një parku lodrash, pranë Shën Prokopit, nuk mjaftuan. Tani, makinat po shkarkojnë përsëri. Këtë radhë pak më tutje: në të vetmen hapësirë të lirë, nën kodrinën e DEBATIK-ut, aty ku dikur ishte edhe një burim i famshëm, aq i njohur prej kryeqytetasve. Sot, burimi nuk është më dhe me ç’duket, hapësira e mbetur do të pësojë të njëjtin fat. Fadromat janë pozicionuar në anë të rrethimit. Sulmi ndaj fushës pritet me orë.
Por kjo hapësirë ka një histori të saj. Prej kohësh, ndoshta nuk mbahet mend se kur, fëmijët filluan të ngrinin aty balonat. Ishte mundësia e vetme në tërë atë sipërfaqe të pyllëzuar pemësh. Ishte e vetmja hapësirë e rrethuar me pyll nga të katër anët ku mund të shihje një copë qielli të pastër. Të përgatitura me kujdes, me ndihmën e të rriturve, tabakët plot ngjyra prej kartoni të trashësive të ndryshme, të mbërthyera me ristela të holla druri, lëshoheshin lart e tërhiqeshin nga poshtë me fildispanjë të padukshme dhe fëmijët i ngrinin mbi majat e pemëve. Eh, ç’kënaqësi të ngresh një balonë! Është si të ngresh një ëndërr!
Në qytet është e pamundur të ngresh një balonë. Pyetni fëmijët Ata mund t’ua shpjegojnë. Sepse në qytet lartësohen kulla betoni. Fillimisht në periferi, gradualisht ato mbërritën në qendër. Të tjera priten në vazhdim. Por askush nuk di të thotë më shumë. Ngritja e një kulle konsiderohet mision i fshehtë. Thuhet se fëmijët kanë frikë nga kullat, ndaj dhe ndërtuesit i fshehin ato. Sigurisht, për aq sa mund të fshihet një kullë.
Tani është dimër dhe jashtë bën ftohtë. Të strukur brenda, fëmijët presin pranverën për të ngritur balonat. Por kur pranvera të vijë, fusha do të jetë zhdukur si me magji. Deri atëherë, betonizuesit e ëndrrave do ta kenë shtruar fushën me beton e me bar plastik. Kur të kthehen përsëri, në vend të hapësirës së blertë, fëmijët do të shohin një rrethim të çeliktë. Në vend të balonave në qiell, do të lartësohen shtylla metali me llamba në majë, të ndezura përgjatë gjithë natës! Dhe me gjasë, e tërë kjo grabitje, i tërë ky pushtim, do t’u serviret në mëngjes, si një kalë i drunjtë mashtrimi.
Në thelb, gjithçka është e qartë. Ata po i shkulin zemrën parkut, për t’i shkëputur më lehtë gjymtyrët nga pylli. Betoni do të zbresë poshtë në qytet dhe kur kufiri mes tyre të shuhet, parku nuk do të ekzistojë më. Në vend të pemëve do të ngrihen kulla të reja, ndërsa në qiell nuk do të ketë asnjë balonë! Po nëse fëmijët pyesin se ç’arsye mund të ketë dikush për t’i ulur balonat, ç’përgjigje mund t’u japin prindërit e kujdesshëm fjalëbutë?
Prindërit nuk e mbrojtën dot Parkun. Por a duhet të mbrojnë ata ëndrrat e fëmijëve të tyre?
***
Në fund, po sjellim një seri shkrimesh hulumtuese, analizash dhe dokumentarësh që tregojnë transformimin e qytetit në këto 10 vite. Nga kullat që rrethuan Parkun e Liqenit, te harta e 140 qiellgërvishtësve që pushtuan Tiranën, dokumentarin “Tirana Vertikale” dhe hulumtimin e Citizens.al mbi “Albanian Files”, që tregon se ky vizion synohet të shtrihet në shkallë vendi. Platforma “Dosjet e KKT-së”, që tregon shkallën e ndërhyrjeve të deritanishme në bregdet.
Harta e kullave: Si qeveria po rishkruan brutalisht Tiranën
“Parku i kullave”: Nis tjetër projekt te ish-Garda
Shiko Dokumentarin: “Tirana Vertikale: Arkitektura e Pushtetit”
Platforma: “Dosjet e KKT-së; Kush e zotëron bregdetin shiqptar”
Artan Rama është gazetar dhe producent i pavarur që jeton në Tiranë. Ai fitoi çmimin e dytë të BE-së për gazetari hulumtuese në vitin 2016 dhe çmimin e tretë në vitin 2022. Prej kohësh ai është i angazhuar në raportimin e historive të krimit mjedisor, në shfrytëzimin e burimeve natyrore dhe në çështjet e zhvillimit të qëndrueshëm.