Skip to main content

Citizens.al

Revolucioni Flamingo, 60 ditë rezistencë qytetare

Për 60 ditë me radhë, qindra qytetarë mblidhen çdo pasdite në Sheshin Skënderbej, nën hijen e kullës “Eyes of Tirana”, për të marshuar drejt Kryeministrisë.

Mes shirave të qershorit dhe vapës së korrikut, takimi i orës 19:00 është shndërruar në një ritual të përditshëm. Në shesh, qytetarët kanë përsëritur kërkesën e tyre kryesore: dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, të cilën e shohin si hapin e parë drejt një “Shqipërie të re”, me më pak pabarazi dhe më shumë demokraci.

Gjatë këtyre dy muajve, protesta në Tiranë ka qenë e larmishme. Janë organizuar marshime, instalacione artistike, mesazhe të shkruara në asfalt dhe aksione simbolike nga aktivistët dhe qytetarët e angazhuar. Një prej aksioneve u zhvillua në ishullin e Sazanit, ndërsa një tjetër pranë digës së liqenit të Paskuqanit, ku u shkrua mesazhi “Ujë, Tokë, Liri”. Bashkia Kamëz e fshiu atë brenda 24 orësh.

Për nga kohëzgjatja, vazhdimësia dhe larmia e formave të shprehjes, “Revolucioni Flamingo” përbën ndoshta mobilizimin qytetar më të veçantë të zhvilluar në Shqipëri.

Një nga elementet që e ka dalluar protestën ka qenë kreativiteti. Që në ditët e para, sheshi u mbush me pankarta të punuara nga vetë pjesëmarrësit, slogane dhe meme të përshtatura si mesazhe politike. Kështu, protesta krijoi një identitet të vetin, të formësuar nga kontributi i qindra pjesëmarrësve.

Për shumë qytetarë, protesta është bërë tashmë pjesë e përditshmërisë. Jonida Baçi udhëton çdo ditë nga Shijaku për t’iu bashkuar tubimit.

“Jam munduar të vij çdo ditë, mund të kem munguar 5-6 ditë. Vij nga një qytet tjetër dhe mundohem të vij këtu nga pasditja dhe të largohem në darkë. Vazhdon duke na mbajtur këtu të acaruar. Nëqoftëse ai do të jepte dorëheqjen unë do shkoja në shtëpi, duke qenë se ai po bën disa veprime antiatdhetare unë do jem këtu”, thotë Jonida.

Ajo është pjesë e një grupi të rinjsh të organizuar në platformën “Discord”, të cilët gjatë protestave përdorin një projektor për të shfaqur mesazhe dhe problematika të ndryshme, me synimin për të ndërgjegjësuar qytetarët.

Gjatë këtyre dy muajve, nuk kanë munguar protestuesit që janë rikthyer çdo mbrëmje në shesh, shpesh me pankarta të reja, të përshtatura me zhvillimet e ditës. Njëra prej tyre është Evi Koçiu, e cila thotë se nuk ka munguar asnjë ditë që nga nisja e protestës.

“Jam këtu nga dita e parë, deri në ditën e 60. Zgjimi i rinisë mua më jep një muzë të jashtëzakonshme. Është ky zgjim, kjo energjia këtu, po duhet të vish këtu për ta përjetuar”, rrëfen Evi.

Ajo shprehet plot shpresë se protestat do të vazhdojnë edhe gjatë gushtit dhe se në shtator pjesëmarrja do të shumëfishohet. Sipas saj, sheshi nuk do të boshatiset deri në plotësimin e kërkesave të qytetarëve të pakënaqur, të cilët, siç thotë ajo, janë shumë më tepër sesa ata që mblidhen çdo mbrëmje.

Përveç të rinjve, pothuajse çdo mbrëmje në protestë kanë qenë të pranishëm edhe prindër të shoqëruar nga fëmijët e tyre. Me lapsa shumëngjyrësh në duar dhe fletë të bardha ku vizatojnë flamingo, fëmijët i kanë dhënë sheshit një tjetër dinamikë.

Alba Brojka, e angazhuar prej vitesh në organizata kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, e sheh “këndin e fëmijëve”, të krijuar nga vetë protestuesit, si simbol të mungesës së hapësirave publike për komunitetin.

“Ne kemi ardhur vazhdimisht. Unë kam ardhur bashkë me vajzën e vogël. Kemi qëndruar zakonisht te këndi i fëmijëve sepse unë e shoh si një hapësirë të krijuar vetë nga qytetarët edhe sepse kjo hapësirë mungon tashmë jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të vendit tonë”, thotë Alba.

Ajo shton se protesta ka bërë bashkë qytetarë të moshave, profesioneve dhe kushteve ekonomike të ndryshme. Sipas saj, kjo është një shfaqje e demokracisë qytetare, ku njerëzit reagojnë ndaj padrejtësive duke qenë të pranishëm në shesh.

“Mendoj që kemi nevojë për një reflektim institucional. Kemi nevojë për më shumë hapësira publike ku njerëzit të artikulojnë argumentet, perspektivat dhe ekspertizën e tyre, sepse në fund të ditës e kemi të vërtetuar edhe nga kërkimi shkencor se sa më shumë mendime të mblidhen, aq më e mirë është vendimmarrja”, përfundon Alba Brojka.

Anton Bello, komedian, është një tjetër personazh i protestës. Prej dy muajsh, ai është pothuajse çdo mbrëmje në shesh. Sipas tij, protestuesit nuk i ka mbajtur bashkë vetëm kauza, por edhe solidariteti i krijuar mes tyre.

“Na ka mbajtur solidariteti me të gjithë njerëzit që dalin këtu përditë. Na kanë mbajtur edhe këta çunat që dalim se edhe po të mos duash të thonë direkt: ‘Ore do dalim sot?’, edhe të gërryen përbrenda”, shprehet Antoni.

Kjo ndjenjë përkatësie përmendet edhe nga shumë pjesëmarrës të tjerë. Pas 60 ditësh protestë, për ta sheshi nuk është më vetëm vendi ku artikulohen kërkesat, por edhe një komunitet ku kanë gjetur njerëz me të cilët ndajnë të njëjtat vlera dhe ideale. Kështu e përshkruan edhe arkitekti Sokol Hazizi.

“Unë kam qenë që nga dita e parë dhe jam munduar të vij çdo ditë. Vijmë këtu sepse kemi gjetur një grup që na përket, një grup njerëzish me të cilët ndajmë idetë, aspiratat, idealet. Të dëgjojë popullin çfarë thotë sepse populli mbi të gjitha thotë ikni”, shprehet Hazizi.

Përtej kërkesës politike, për shumë protestues kjo lëvizje lidhet edhe me mënyrën se si e konceptojnë demokracinë dhe marrëdhënien ndërmjet qytetarit dhe pushtetit. Blendi Salaj beson se pikërisht kjo frymë do ta mbajë protestën aktive edhe në vijim.

“Kërkojmë të jetojmë në një vend demokratik, me llogaridhënie, transparencë dhe respekt për qytetarin. Besoj se protestat do të vazhdojnë, sepse njerëzit këtu e kanë kuptuar që kanë një zë dhe që demokracia funksionon përmes pjesëmarrjes”, shprehet Salaj.

Protesta shtrihet edhe para Kuvendit

Mobilizimi nuk është kufizuar vetëm te protesta e përditshme në Tiranë. Gjatë kësaj periudhe janë organizuar dhjetëra tubime në qytete të ndryshme të vendit dhe në diasporë.

Katër protesta janë zhvilluar edhe përpara Kuvendit të Shqipërisë. Të “pajisur” me vezë dhe perime, qytetarët u kanë kërkuar llogari deputetëve në hyrje të seancave plenare, duke zgjedhur një nga momentet e rralla kur përfaqësuesit politikë kalojnë në kontakt të drejtpërdrejtë me ta.

Këto tubime janë shoqëruar me tensione. Dhjetëra protestues janë shoqëruar nga policia, disa janë arrestuar, ndërsa qindra të tjerë janë proceduar penalisht. Mënyra e ndërhyrjes së forcave të rendit ka nxitur reagime nga institucione dhe organizata të të drejtave të njeriut.

Avokati i Popullit, Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe organizata të tjera vendase e ndërkombëtare kanë shprehur shqetësim për respektimin e së drejtës së tubimit dhe proporcionalitetin e masave të ndërmarra gjatë disa protestave.

Pavarësisht këtyre episodeve, protesta nuk është ndërprerë. Sipas pjesëmarrësve, ndërhyrjet policore kanë shërbyer si një faktor shtesë mobilizues, duke sjellë pjesëmarrje më të madhe në ditët pasuese.

Pas 60 ditësh të pandërprera, “Revolucioni Flamingo” është shndërruar në një prej mobilizimeve qytetare më jetëgjata të zhvilluara në Shqipëri. Teksa thërrasin “Shqipëri e re”, protestuesit artikulojnë njëkohësisht bindjen se e vjetra po mbaron dhe se një e re duhet të lindë.

Lexo gjithashtu:

“Nga protesta në komisariat”, aktivistët përballen me policinë

“Revolucioni Flamingo” shkon në Sazan

“Kur protesta mbushi sheshet, media tradicionale zgjodhi heshtjen”

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *