Skip to main content

Citizens.al

Harta e re territoriale ndez protestat në Shqipëri

Brenda më pak se dy javësh, kundërshtimi ndaj draftit të reformës së re administrativo-territoriale është kthyer në një valë protestash që po përfshin disa zona të vendit, nga veriu në jug. Nga Përrenjasi, ku reagimi i parë nisi më 22 korrik, deri te Patosi më 3 gusht, banorë të bashkive që rrezikojnë të shkrihen janë organizuar në tubime publike dhe kanë kërkuar që kundërshtimi i tyre ndaj ndryshimeve të propozuara të merret në konsideratë përpara miratimit të hartës së re territoriale.

Protestat kundër reformës territoriale po zhvillohen paralelisht me “Revolucionin Flamingo” në Tiranë dhe kjo ka krijuar një tablo të pazakontë, ku në të njëjtë n kohë qytetarët po protestojnë si në kryeqytet, ashtu edhe në disa bashki të vendit duke e futur Shqipërinë në një valë të gjerë protestash.

Teksa në Tiranë protestuesit kanë ngritur çështje që lidhen me qeverisjen dhe zhvillimet politike në vend, në bashkitë e prekura nga reforma territoriale shqetësimi kryesor lidhet me të ardhmen administrative të komuniteteve lokale, pasi reforma dëmton identitetin e qyteteve, aksesin te shërbimet publike, afërsinë e administratës me qytetarët, ku këta të fundit kanë frikën se bashkimi me qendra më të mëdha do të sjellë largimin e institucioneve nga banorët.

Reforma administrativo-territoriale është një proces që synon riorganizimin e ndarjes së pushtetit vendor në Shqipëri. Drafti i ri parashikon reduktimin e numrit të bashkive përmes bashkimit të disa njësive vendore ekzistuese me bashki më të mëdha. Sipas propozimit të paraqitur, numri i bashkive pritet të ulet nga 61 në 46 bashki, duke sjellë shkrirjen e 15 bashkive.

Qeveria e ka argumentuar reformën me nevojën për një administrim më efikas, forcimin e kapaciteteve të pushtetit vendor dhe shmangien e fragmentimit të njësive administrative. Por banorët që preken nga shkrirja, shprehen se një bashkim i tillë mund të sjellë pasoja të drejtpërdrejta në jetën e tyre të përditshme, duke e bërë më të vështirë marrjen e shërbimeve dhe duke dobësuar përfaqësimin lokal.

Deri më 3 gusht, protesta kundër reformës territoriale janë zhvilluar në të paktën 12 bashki: Përrenjas, Poliçan, Dimal, Divjakë, Klos, Memaliaj, Belsh, Rrogozhinë, Libohovë, Selenicë, Maliq dhe Patos. Edhe në Cërrik është thirrur protestë më 3 gusht dhe Këlcyrë më 4 gusht, ndërsa Bashkia Fushë-Arrëz mbetet e vetmja që ende nuk ka thirrur protestë.

Peticionet, mjeti i zgjedhur nga qytetarët

Në pjesën më të madhe të protestave, qytetarët kanë zgjedhur peticionin si një nga format më të drejtpërdrejta dhe demokratike për të shprehur kundërshtimin e tyre. Përmes firmës së tyre, banorët kanë kërkuar që institucionet përgjegjëse të rishikojnë vendimet për bashkitë e tyre dhe që komunitetet lokale të dëgjohen përpara se të merret një vendim përfundimtar.

Peticioni është kthyer në simbolin e kësaj vale protestash, pasi qytetarët nuk janë mjaftuar vetëm me daljen në shesh, por kanë kërkuar që qëndrimi i tyre të dokumentohet dhe t’u dorëzohet institucioneve që po hartojnë reformën.

Në Përrenjas, ku nisi reagimi i parë, qytetarët krijuan një Aleancë për Mbrojtjen e Bashkisë. Në këtë nismë janë përfshirë intelektualë, sipërmarrës, fermerë dhe të rinj të zonës, të cilët po përgatisin një dokument argumentues për ruajtjen e Përrenjasit si njësi administrative më vete. Sipas tyre, zona ka potencial ekonomik, burime natyrore dhe vlera historike e kulturore që justifikojnë ekzistencën e saj si bashki më vete.

Më 30 korrik, u organizua një protestë në Poliçan. Banorët kundërshtuan bashkimin e bashkisë me Beratin dhe kërkuan që qyteti të mos hiqet nga harta administrative. Gjatë protestës u zhvillua edhe një nga momentet më simbolike të kësaj vale kundërshtimi, ku disa qytetarë dogjën publikisht teserat e Partisë Socialiste në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të propozuar. Banorët firmosën gjithashtu një peticion kundër reformës, ndërsa protesta u mbyll me dorëheqjen publike të kryetarit lokal të Partisë Socialiste, Erjon Zylyftarit.

Më 31 korrik, protesta u zhvilluan në disa bashki njëkohësisht. Në Dimal, qytetarët kundërshtuan bashkimin me Beratin, duke argumentuar se kjo do të ndikonte te shërbimet dhe veçanërisht te fermerët e zonave administrative të bashkisë. Edhe aty banorët firmosën një peticion për ruajtjen e statusit aktual.

Në Divjakë, qytetarët kundërshtuan bashkimin me Lushnjën, duke deklaruar se reforma do të sillte largimin e shërbimeve dhe dobësimin e përfaqësimit lokal.

Në Klos, përveç protestës së qytetarëve, pati edhe bojkot të punës nga administrata e bashkisë. Banorët kërkuan që bashkia të mos shkrihet dhe që çdo ndryshim të bëhet vetëm pas konsultimit me komunitetin.

Në Memaliaj, banorët kundërshtuan bashkimin me Tepelenën, duke argumentuar se reforma rrezikon të prekë identitetin e qytetit dhe të largojë më tej institucionet nga komuniteti.

Më 1 gusht, kundërshtimet vijuan në Belsh dhe Rrogozhinë. Në Belsh qytetarët firmosën një peticion kundër bashkimit me Elbasanin dhe mbajtën pankarta me mesazhin “Më shumë shërbime, jo më pak bashki”. Ata paralajmëruan vijimin e protestave nëse kërkesat e tyre nuk do të merren në konsideratë.

Në Rrogozhinë, banorët kundërshtuan bashkimin me Kavajën dhe deklaruan se do t’u drejtohen institucioneve me peticion për ruajtjen e statusit të bashkisë.

Në Selenicë, protestat u zhvilluan për dy ditë radhazi. Banorët kundërshtuan bashkimin me Vlorën dhe me thirrjet “Selenica nuk mbyllet!” dhe “Larg duart nga Selenica!” kërkuan që bashkia të vijojë të funksionojë si njësi më vete. Në fund të protestës, ata dorëzuan edhe firmat e mbledhura përmes peticionit.

Më 2 gusht, protestës iu bashkua edhe Maliqi. Dhjetëra qytetarë u mblodhën përpara bashkisë duke kërkuar që ajo të ruajë statusin e saj si njësi e pavarur administrative dhe duke kundërshtuar bashkimin me Korçën.

Më 3 gusht, protesta u zhvillua edhe në Patos, të cilët me sloganin “Larg duart nga Patosi”, kundërshtuan bashkimin e bashkisë me Fierin, duke deklaruar se një vendim i tillë rrezikon identitetin e qytetit dhe zhvillimin e tij.

Nga Përrenjasi në Patos, protestat kundër reformës territoriale tregojnë se debati nuk ka mbetur vetëm në tryezat politike, por ka zbritur në sheshet e qyteteve. Me peticione, tubime dhe organizime qytetare, banorët po kërkojnë të kenë një rol në vendimmarrjen që përcakton të ardhmen administrative të zonave ku jetojnë.

Lexo më shumë:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *