Skip to main content

Citizens.al

“Nga protesta në komisariat”, aktivistët përballen me policinë

Edhe këtë të hënë, protesta qytetare u rikthye para Parlamentit, ashtu siç ishte paralajmëruar një ditë më parë. Protestuesit e kishin mbyllur tubimin e ditës së 57-të me një mesazh simbolik në asfalt: datën “27 korrik” dhe vizatimin e një veze, duke paralajmëruar se as kjo seancë parlamentare nuk do të kalonte pa kundërshtim.

Për të katërtën herë, protestuesit e “Revolucionit Flamingo” u mblodhën para Parlamentit me synimin për të goditur deputetët me vezë. Ashtu si në protestën e 23 korrikut, Policia e Shtetit ngriti një perimetër të gjerë sigurie rreth Kuvendit. Të gjitha rrugët drejt godinës u bllokuan, jo vetëm në perimetrin e Parlamentit, por deri në Rrugën e Elbasanit, pranë Xhamisë së Namazgjasë, në hyrje të pedonales dhe pranë Ministrisë së Brendshme.

Protestuesit u ndanë në dy grupe: një pjesë qëndroi pranë Xhamisë së Namazgjasë, ndërsa pjesa tjetër në Rrugën e Elbasanit. Pikërisht aty u shënuan edhe shumica e shoqërimeve, pas tensioneve me forcat e rendit.

Katër nga 12 personat e shoqëruar gjatë protestës treguan për Citizens.al arsyet dhe mënyrën se si u dërguan në komisariatet nr. 1 dhe 2.

Ariela Zeneli, aktiviste e Lëvizjes BASHKË, deklaroi se u shoqërua së bashku me tre aktivistë të tjerë, ndërsa qëndronin pranë Parkut Rinia. Sipas saj, pasi u sinjalizuan nga punonjës policie të veshur civilë, efektivët u kërkuan të kontrollonin çantat e tyre.

“Nuk është se bëmë rezistencë në momentin që ata na arrestuan, ama gjithsesi gjuha vulgare e tyre është e papranueshme. Edhe në makinën e policisë, por edhe në momentin kur u shoqëruam, jemi ofenduar dhe kjo nuk është etike, sidomos kur dikush mban uniformën e Policisë së Shtetit dhe është, në njëfarë mënyre, fytyra e saj”, u shpreh Zeneli.

Edhe Arben Kola u shoqërua në komisariat, pasi u ndoq nga policia teksa përpiqej t’u shmangej efektivëve. Pas lirimit, ai kritikoi mënyrën se si autoritetet e menaxhuan protestën.

“Mobilizimi i mbi 4 mijë forcave të policisë kundër 1 mijë qytetarëve tregon që ai Parlament është ilegjitim. Ajo çfarë dua të them është se sa herë këta mundohen të bëjnë gol, bëjnë autogol dhe ne po na forcojnë më shumë”, tha Kola sapo doli nga Komisariati nr. 1.

Një tjetër protestues, Genc Shehu, tregoi se u shoqërua ndërsa përpiqej të filmonte. Sipas tij, rrjetet sociale janë një nga mjetet më të rëndësishme për komunikimin dhe dokumentimin e protestës.

“U gjenda në një moment në zonën pas policëve dhe shefi i policisë që ishte në atë zonë më tha: ‘Dil andej’. Në momentin që i thashë se doja të dilja andej, më larg akoma, ai, siç duket, e mori këtë si mosbindje dhe u thirri të tjerëve: ‘Kapeni këtë’. E gjeta veten të rrethuar”, u shpreh Shehu.

Edhe Elidon Mehmetaj, një i ri pjesëmarrës në protestë, tha se u shoqërua pasi tentoi të ndihmonte një mikeshë që ishte rrëzuar gjatë përplasjeve me policinë.

“Kisha një miken time në protestë që po rrëzohej në atë moment dhe doja ta ngrija. Kur po afroheshin njerëzit, u krijua një kontakt fizik dhe njëri nga shefat, i irrituar, tha: ‘Kapeni, kapeni’. Më kapën për krahu dhe nuk bëra ndonjë rezistencë, se dihej që ishte dërgim kot në komisariat. Ça të bëjmë, ky është shteti ynë, për fat të keq”, u shpreh Mehmetaj.

Në komisariatet nr. 1 dhe 2, ashtu si edhe në ditët e tjera kur janë shoqëruar protestues, ishte i pranishëm Komiteti Shqiptar i Helsinkit, i cili monitoroi procedurat e ndjekura ndaj tyre.

Drejtuesja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Erida Skëndaj, deklaroi se shoqërimi dhe mbajtja e protestuesve në komisariat duhet të respektojnë kufijtë e përcaktuar nga ligji, por se kjo nuk ndodh gjithmonë.

“Edhe pse afatet e ndalimit të përkohshëm në një komisariat nuk duhet të tejkalojnë pesë orë, kemi parë në të kaluarën raste të protestuesve të tjerë kur ky afat është tejkaluar. Gjithashtu, kemi vënë re se pritet afati maksimal i ndalimit për t’i liruar personat”, u shpreh Skëndaj.

Përfaqësuesi i KShH-së, Zylyftar Bregu, tha se organizata i kishte ndjekur nga afër zhvillimet gjatë gjithë ditës, nga protesta deri te procedurat në komisariate.

“Komiteti Shqiptar i Helsinkit, siç ka bërë gjatë gjithë zhvillimit të kësaj proteste, duke pasur në fokus monitorimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut, edhe sot e ndoqi protestën dhe ishte në mjediset e Komisariatit nr. 1, ku gjendeshin tre persona të shoqëruar. Pamë procedurën, takuam personat dhe, siç e patë, njëri prej tyre doli”, tha Bregu.

Pas disa orësh në komisariat, të gjithë protestuesit e shoqëruar u lanë të lirë. Ata u pritën me brohoritje nga mbështetësit e mbledhur jashtë godinës së policisë, të cilët thërrisnin: “Fitore, fitore”.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *