Në mediat serbe dhe ruse të hënën dhe të martën janë publikuar konstatime të rreme mbi sigurinë e manastirit të Deçanit. Agjencia serbe e lajmeve “Tanjug”, pa u mbështetur në fakte, ka shkruar se Manastiri i Deçanit është sulmuar vazhdimisht nga shqiptarët, të cilët i ka quajtur ekstremistë.
“Manastiri është përballur me sulme të vazhdueshme të armatosura nga shqiptarët ekstremë”, shkruhet në fjalinë e fundit të raportimit të Tanjugut të datës 10 gusht.
Konstatimi i Tanjugut është i pasaktë. Sipas vetë Kishës Ortodokse Serbe, Manastiri i Deçanit është sulmuar gjatë konfliktit në Kosovë, ndërsa në vitet 2000 dhe 2007 ka pasur përpjekje të izoluara për t’u sulmuar me granata. Megjithatë, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008, Manastiri i Deçanit nuk është përballur me asnjë sulm me armë apo me ndonjë sulm tjetër fizik.
Me këtë raportim, agjencia e lajmeve u bën jehonë toneve raciste të mediave në gjuhën serbe, duke i paraqitur shqiptarët si “ekstremistë” (“oružanim napadima ekstremnih Albanaca”), si shkatërrues të kishave ortodokse serbe, si dhe duke e paraqitur Kosovën si të paaftë për ta garantuar sigurinë e monumenteve të Kishës Ortodokse Serbe.
Krahas këtij raportimi në serbisht, edhe mediumi rus “Pravda Shqip” ka publikuar një shkrim me konstatime të pasakta. Pravda më 11 gusht ka shkruar: “Arsyeja e raundit të fundit të tensionit ishte lajme rreth transferimit të mbrojtjes së faltoreve serbe në perëndim të kuazi-shtetit nga KFOR-I në duart e forcave Të sigurisë Së Kosovës. Sipas Vulinit, kjo do të çojë vetëm në më shumë veprime dhe provokime anti-serbe”. Konstatimi se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është e përfshirë në sigurimin e Manastirit të Deçanit është i pasaktë.
FSK-ja nuk është pjesë e mbrojtjes së monumenteve të ritit ortodoks në Kosovë. Shumica e monumenteve të Kishës Ortodokse Serbe ruhen nga Policia e Kosovës dhe një pakicë e vogël nga KFOR-i.
Që nga viti 2008, Policia e Kosovës ofron vazhdimisht siguri fizike për 24 objekte të trashëgimisë ortodokse, si dhe për objekte të tjera të kulturës ortodokse. Sipas statistikave të publikuara nga Policia e Kosovës në vitin 2022, ajo mbron edhe 170 objekte të tjera të kultit. Që nga viti 2013, për këto monumente kujdeset Njësia për Sigurimin e Objekteve të Trashëgimisë Kulturore dhe Fetare. Një numër i vogël i monumeteve fetare ortodokse të Kosovës mbrohen nga KFOR-i. KFOR-i ka njoftuar se, pavarësisht rishikimit që është duke e bërë, në bazë të të cilit Policia e Kosovës bëhet pjesë e arkitekturës së sigurisë së manastirit, ai vazhdon të jetë reaguesi i parë i sigurisë në kontekstin e Manastirit të Deçanit. Misioni i NATO-s në Kosovë ka vlerësuar se ka pasur përmirësim të sigurisë së manastirit.




































































