Dokumenti i Politikave: “Keqmenaxhimi që prodhon pritje: Integriteti, transparenca dhe përdorimi i resurseve në shëndetësinë publike” evidenton mungesën e të dhënave të konsoliduara për listat e pritjes dhe mos përdorimin e të gjitha pajisjeve mjekësore në SHSKUK.
Në vitin 2023, në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK) ishin raportuar 13,913 pacientë në lista pritjeje, me kohë pritjeje që varionte nga një javë deri në pesë vjet. Kjo mbetet evidenca më e plotë institucionale për listat e pritjes, pasi për vitet 2024 dhe 2025 nuk është publikuar ndonjë pasqyrë e krahasueshme, konstatohet në Dokumentin e Politikave: “Keqmenaxhimi që prodhon pritje: Integriteti, transparenca dhe përdorimi i resurseve në shëndetësinë publike”, me autore Saranda Ramaj, publikuar nga Sbunker.
Aty evidentohet se mungesa e të dhënave të unifikuara e bën të pamundur të verifikohet nëse koha e pritjes është zvogëluar, rritur apo nëse listat janë raportuar në mënyrë tjetër.
Sipas analizës, problemi nuk lidhet vetëm me numrin e pacientëve në lista. Mungojnë edhe standardet e përbashkëta për mënyrën se si përcaktohet një listë pritjeje, si regjistrohen pacientët, si përcaktohet prioriteti, si verifikohet statusi i tyre dhe kur një pacient largohet nga lista.
Dokumenti thekson se, pa verifikim dhe përditësim të rregullt, numri i raportuar i pacientëve mund të mos pasqyrojë kërkesën reale për shërbim.
Dokumenti vëren se SHSKUK ka raportuar rritje të aktivitetit klinik, përfshirë ekzaminimet me MRI dhe ultrazë, si dhe numrin e operacioneve. Megjithatë, sipas analizës, rritja e numrit të ekzaminimeve dhe operacioneve nuk mjafton për të vlerësuar nëse qasja e pacientëve në shërbime është përmirësuar.
Mungesa e kritereve të qarta dhe të unifikuara për prioritizimin e pacientëve, përditësimi jo i rregullt i listave dhe mungesa e transparencës mbi ndryshimet në renditjen e pacientëve, mund të krijojnë rreziqe për favorizim dhe ndërhyrje në proces.
Në këtë drejtim, analiza vëren se edhe Plani i Integritetit i SHSKUK-së i identifikon ofrimin e shërbimeve jashtë radhës dhe mos përditësimin e listave si fusha të rrezikut.
Pajisjet nuk përdoren në kapacitet të plotë
Gjetja tjetër e dokumentit lidhet me përdorimin e pajisjeve mjekësore.
Në anketën e zhvilluar me profesionistë shëndetësorë, 72 për qind e të anketuarve deklaruan se pajisjet mjekësore në institucionin ku punojnë nuk përdoren në kapacitetin e tyre të plotë.
Dokumenti thekson se një pajisje mund të jetë teknikisht funksionale, por të mos prodhojë shërbimin e pritshëm nëse mungon stafi i trajnuar, materialet e nevojshme, mirëmbajtja ose organizimi i përshtatshëm i punës.
Dokumenti propozon një sistem të integruar
Për adresimin e këtyre problemeve, dokumenti shqyrton tri mundësi: vazhdimin e status quo-së me përmirësime lokale, krijimin e regjistrave të veçantë për listat dhe pajisjet, dhe krijimin e një sistemi të integruar listë-pajisje-staf.
Opsioni i fundit rekomandohet si qasje prioritare, por me zbatim gradual. Sipas dokumentit, një sistem i tillë do të mundësonte lidhjen e kërkesës së pacientëve me kapacitetin real operacional të institucioneve.
Lexoni raporti e plotë këtu: Dokumenti i Politikave-Shendetesi




































































