Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Analizë

Kur blen një pronë dhe përfundon nën verifikim

AI Generated
Ilustration (AI Generated)

Çka ndodh kur blen tokë apo shtëpi e cila bie në radarin e Byrosë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë si pasuri e pajustifikueshme?

Palët e treta janë pjesa më e ndjeshme e konfiskimit civil të pasurisë, andaj edhe standardet ndërkombëtare kërkojnë trajtim të veçantë të tyre. Me projektligjin aktual, edhe blerësit mund t’i nënshtrohen verifikimit të pasurisë në raste specifike.

Imagjinojeni këtë situatë. Kur një grua blen një banesë nga kushëriri i saj, zakonisht procesi është si vijon: palët lidhin kontratë te noteri, blerësja kryen transaksionin përmes bankës, dhe pronarja e re e regjistron pronën në emrin e saj. Megjithatë, në rast se shteti nis procedurë për verifikimin e pasurisë së ish-pronarit (kushëririt) mbi dyshimin se ai nuk mund ta justifikojë ligjshmërinë e pasurisë që kishte krijuar ndër vite, banesa e shitur mund të konfiskohet në kuadër të procedurës për konfiskim civil, edhe pse tashmë pronarja e re e gëzon ligjërisht pronën. Për rrjedhojë, pronarja përballet me rrezikun që prona e saj të vihet nën masa sigurimi ose të konfiskohet.

Kosova e njeh konfiskimin e pasurisë vetëm në kuadër të procedurës penale. Megjithatë, që nga viti 2021, ka përpjekje për krijimin e një mekanizmi të ri për konfiskimin civil të pasurisë, përmes Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Ka gjashtë vite qëkur partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, po përpiqet ta krijojë këtë institucion. Projektligji ka kaluar nëpër disa versione dhe debate, është rrëzuar një herë shkaku i përmbajtjes dhe një herë për nga procedura e ndjekur e miratimit të tij nga Gjykata Kushtetuese. Versioni i fundit është hedhur në konsultim publik. Pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë, ai pritet t’i procedohet Kuvendit për shqyrtim dhe miratim.

Lufta kundër pasurisë së pajustifikueshme është një interes legjitim publik. Askush nuk duhet të mund ta fshehë pasurinë e fituar në mënyrë të kundërligjshme duke e kaluar te familjarët, miqtë apo bashkëpunëtorët. Megjithatë, askush nuk duhet të bartë pasoja juridike vetëm për shkak të lidhjes me personin që është objekt i verifikimit. Pikërisht këtu qëndron një nga sfidat kryesore të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Kur një transaksion i zakonshëm bëhet shkak për verifikim

Në jetën e përditshme, pasuria kalon vazhdimisht nga një person te tjetri. Një banesë shitet, një pronë trashëgohet, një parcelë dhurohet apo një biznes kalon nga një ortak te tjetri. Megjithatë, formulimi aktual i Projektligjit krijon mundësinë që vetë bartja e pasurisë të jetë e mjaftueshme për ta zgjeruar verifikimin edhe ndaj personit që e ka fituar atë.

Kjo nuk do të thotë se palët e treta nuk duhet të verifikohen. Pasuria mund të fshihet pikërisht duke u bartur te persona të afërt. Por një transaksion i ligjshëm nuk mund të trajtohet njësoj si një transferim fiktiv. Fakti se pasuria ka kaluar nga një person te tjetri nuk duhet të mjaftojë, në vetvete, për ta bërë marrësin objekt verifikimi.

Kur duhet të fillojë verifikimi i palës së tretë?

Barra duhet t’i takojë Byrosë. Para se ta përfshijë një palë të tretë në verifikim, ajo duhet të paraqesë rrethana konkrete që e bëjnë transferim të dyshimtë. Të tilla mund të jenë bartja pa pagesë, shitja me çmim dukshëm nën vlerën e tregut, transferimi te një person i afërt menjëherë para ose gjatë verifikimit, apo vazhdimi i kontrollit të pasurisë nga ish-pronari.

Këto rrethana nuk nënkuptojnë automatikisht se transferimi është i paligjshëm, por mund të krijojnë bazë të arsyeshme për verifikim. Kjo është krejt tjetër nga përfshirja e një personi në procedurë vetëm sepse emri i tij figuron si pronar i ri.

Këtë qasje e mbështesin edhe standardet ndërkombëtare. Komisioni i Venecias kërkon së paku bazë për dyshim të arsyeshëm se transferimi nuk është bërë me mirëbesim. Edhe standardet e Kombeve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian kërkojnë mbrojtjen e palëve të treta me mirëbesim.

Kush është në të vërtetë blerësi me mirëbesim?

Projektligji e lidh mirëbesimin kryesisht me çmimin e paguar për pasurinë, por çmimi nuk mund të jetë kriteri i vetëm. Një pronë mund të shitet nën vlerën e tregut për shkak të gjendjes së saj, nevojës urgjente për para, apo rrethanave të tjera. Në anën tjetër, dikush mund ta paguajë çmimin e tregut dhe megjithatë ta dijë se transaksioni po përdoret për fshehjen e pasurisë.

Edhe vetë termi “blerës me mirëbesim” është i ngushtë. Palët e treta nuk e fitojnë pasurinë vetëm përmes blerjes. Një pronë mund të trashëgohet, të dhurohet, të fitohet përmes këmbimit, apo të ndahet pas divorcit. Nëse synimi është mbrojtja e palëve të treta që kanë vepruar me mirëbesim, mbrojtja nuk duhet të kufizohet vetëm te blerësi.

Mbetet edhe pyetja se çfarë do të thotë që një person “e ka ditur ose është dashur ta dijë” se pasuria ishte e pajustifikueshme. A duhet të pritet nga çdo qytetar të hetojë burimin e pasurisë së personit me të cilin lidh një kontratë? Apo ky standard duhet të lidhet me rrethana konkrete që do ta bënin transaksionin të dyshimtë për çdo person të arsyeshëm?

Ligji duhet të mundësojë ndjekjen e atyre që marrin pjesë në fshehjen e pasurisë, por njëkohësisht të mbrojë qytetarët që kanë vepruar me mirëbesim. Forca e një mekanizmi të tillë nuk matet vetëm me aftësinë për të konfiskuar pasurinë, por edhe me aftësinë për të dalluar mes atij që ndihmon në fshehjen e saj dhe atij që thjesht ka hyrë në një marrëdhënie të ligjshme.

 

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.