Si po zëvendësohet argumenti me performancën në debatet televizive
Kosova ka ndoshta më shumë orë debate politike për banor sesa shumica e vendeve të rajonit. Megjithatë, kjo nuk ka prodhuar debat cilësor, përveçse e ka ekspozuar publikun ndaj një sasie të madhe opinionesh. Kjo ka bërë që të dobësohet skajshmërisht aftësia për t’i dalluar argumentet nga performanca mediatike.
Rrjedhimisht, debati si instrumenti kryesor i demokracisë është shndërruar në mekanizëm të zhurmës publike.
Sfera publike në Kosovë prej kohësh po kalon një krizë të debatit. Nëpër studio fitojnë vëmendje zëri më i lartë, ndërhyrja më e shpejtë dhe gjesti më teatral, teksa argumenti mbetet në plan të dytë.
Shoqëria ka nevojë për debat të vazhdueshëm dhe të arsyeshëm, jo për një kakofoni opinionesh që e torturon publikun pa e ndihmuar ta kuptojë më mirë realitetin.
Janë të pakta debatet televizive në të cilat mund të dëgjohen argumente, mendime të strukturuara, apo ide për çështje të caktuara.
“Po gënjen”, “injorant”, “kriminel”, “hajn”, “i padijshëm”, apo formulime të tilla, kanë filluar të marrin konotacion normal në emisionet debatuese.
Problemi nuk qëndron vetëm te përdorimi i fjalëve fyese, por te zhvendosja e konfliktit nga përballja e ideve apo mendimeve te sulmi ndaj bashkëbiseduesit.
Kjo dhunë diskursive nuk synon vetëm kundërshtimin e një ideje, por edhe dominimin, poshtërimin, heshtjen ose përjashtimin e tjetrit. Kur debati nuk shërben për përballjen e argumenteve, por për imponimin e mendimeve me zë të lartë, ai humb funksionin e tij themelor dhe debati deliberativ vihet në pikëpyetje. A mund ta përpunojë shoqëria jonë gjithë këtë vëllim debati që zhvillohet pothuajse në çdo orë të ditës dhe çdo natë?!
Problemi nuk është vetëm mënyra se si zhvillohet debati, por edhe sasia e tij që shpesh e kthen diskutimin publik në një rrjedhë të pandërprerë opinionesh.
Një çerek pasi kishte kaluar ora tetë e mëngjesit, në njërin nga televizionet e Kosovës trajtohej me zjarr tema e zgjedhjes së presidentit/es. Pasdite, në tjetrin televizion, flitej nëse do të mund të bëhej qeveria, ndërkaq në mbrëmje, në televizionin e tretë, debatohej për krizën me të cilën përballej njëra prej partive politike.
Në të gjitha këto debate, zhurmë, garë për dominim me sfond spektakli.
Pikërisht kjo zhvendosje nga argumenti te spektakli bie ndesh me idenë themelore të debatit publik racional.
Filozofi gjerman Jürgen Habermas e koncepton sferën publike si hapësirë ku qytetarët debatojnë mbi çështjet e përbashkëta nëpërmjet argumentit racional. Sipas tij, në debat duhet të mbizotërojë forca e padhunshme e argumentit më të mirë.
Jemi dëshmitarë se në debatet televizive në Kosovë, ka kohë që teza e Habermasit është përmbysur, ndaj kjo ka bërë që aty të mbizotërojë fuqia e zërit dhe e aftësisë për të ndërtuar spektakël.
Numri i madh i panelistëve, ndërhyrjet e shpeshta dhe moderimi i qëllimshëm për ta prodhuar momentin viral, kanë normalizuar agresivitetin në studio.
Shumësia aktuale e debateve televizive e tejkalon kapacitetin e publikut për t`i konsumuar ato.
Problemin e bën edhe më të madh fakti se në këto emisione debati, tashmë është bërë e zakonshme që të jenë prezent njerëz që opinionet e tyre përpiqen t`i paketojnë si ekspertizë.
Edhe në fushën e analizës politike, shpesh shohim persona që marrin rolin e analistit pa pasur ende përvojën, specializimin ose njohuritë e nevojshme për temat që trajtojnë.
Dikur ekzistonin më shumë filtra profesionalë përpara se dikush të paraqitej si zë publik në media. Sot, të shpeshta janë rastet kur persona me përvoja profesionale në një fushë, si p.sh. hoxha, prifti, këngëtari, frizeri, avokati, futbollisti, trajneri, rrobaqepësja, paraqiten si autoritete edhe për fusha krejtësisht jashtë kompetencës së tyre: nga sporti te marrëdhëniet familjare, shëndetësia apo çështjet sociale.
Pjesëmarrja në debat publik është pjesë e natyrshme e demokracisë. Por, përgjegjësia nis te media, e cila duhet ta bëjë dallimin ndërmjet përvojës personale, opinionit dhe ekspertizës profesionale. Të ftuarit mund të flasin për përvojën personale, por jo ta marrin rolin e ekspertëve.
Me një qasje të tillë, gradualisht po zbehet kufiri epistemik ndërmjet asaj që dimë dhe asaj që mendojmë.
Sot duket sikur të kesh një mendim për çdo temë është kthyer në një lloj detyrimi publik.
Një dimension psikologjik i këtij fenomeni mund të shpjegohet përmes efektit Dunning–Kruger, sipas të cilit individët me nivel të kufizuar njohurish në një fushë të caktuar mund t`i mbivlerësojnë aftësitë e tyre për ta kuptuar dhe shpjeguar atë. Në hapësirën mediatike kjo shfaqet kur siguria në të folur shpesh ngatërrohet me kompetencën, ndërsa opinioni personal paraqitet si analizë e specializuar.
Çdo natë në TV, ndërrojnë temat, por jo edhe ata që japin mendim. Një praktikë e tillë tashmë e ka kthyer debatin në oligarki të opinionit dhe në të cilën një numër figurash monopolizojnë interpretimin e realitetit publik. Prandaj publiku i dëgjon vazhdimisht të njëjtit zëra, ndërsa ekspertët mbeten jashtë vëmendjes.
Kësisoj, fenomeni i analistit universal gradualisht ka prodhuar tashmë krizën e autoritetit të dijes.
Këtë krizë e trajton Tom Nichols në librin The Death of Expertise (2017). Sipas tij, problemi i shoqërive moderne nuk është vetëm mosbesimi ndaj ekspertëve, por dobësimi i idesë se njohuria e specializuar duhet të ketë peshë më të madhe sesa opinioni i zakonshëm. Vdekja e ekspertizës, sipas Nicholsit, nuk është refuzimi i vetë ekspertizës, por refuzimi i idesë se ekspertiza ka rëndësi.
Ç`rëndësi ka ekspertiza, kur publiku rrëmbehet nga retorika. Në kulturën e komunikimit publik në Kosovë ende ekziston një qasje e bazuar jo në përmbajtjen e argumenteve, por në dominimin e përballjes.
Në bisedat pas emisioneve debatuese, shpesh në vend të pyetjes “Çfarë argumenti solli?”, pyetja themelore është “A e dëgjove? Po, çfarë tha?! Nuk e di, por ia ka njeh, e ka bërë tokë…”. Kjo përgjigje e zakonshme tregon se publiku shpesh e mat suksesin e një debati jo me forcën e argumentit, por me aftësinë për ta mposhtur kundërshtarin.
Kur të gjithë flasin e në fund askush nuk merr vesh gjë, humbës është argumenti.
Sa më shumë që vendosim linjë dalluese ndërmjet opinionit, përvojës personale dhe dijes së verifikuar, më kualitativ do të jetë debati.
Përgjegjësi të madhe në këtë drejtim ka media, e cila nuk duhet t’i japë të njëjtën peshë çdo mendimi, por të ushtrojë përgjegjësi editoriale për ata që i legjitimon si autoritete publike. Ekrani televiziv nuk është laborator për eksperimente me opinione të rastësishme, por hapësirë ku publiku pret argument, kontekst, verifikim dhe kompetencë.
Asnjëherë debati nuk matet me numrin e atyre që marrin pjesë, por me cilësinë e argumenteve që prodhohen. Siç argumenton Karl Popperi, ne nuk i afrohemi të vërtetës duke pretenduar se e zotërojmë atë, por nëpërmjet kritikës dhe korrigjimit të vazhdueshëm të gabimeve.




































































