Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Bellacerkë të Rahovecit, ku një i mitur ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se viktima është gjetur i shtrirë në vendbanimin e tij rreth orës 20:20. Ai është dërguar me urgjencë për ndihmë mjekësore, mirëpo mjekët kujdestarë kanë konstatuar vdekjen e tij.
Në vendin e ngjarjes, organet e rendit kanë sekuestruar një armë zjarri si provë materiale. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Njësitë hetimore po vazhdojnë punën në koordinim me prokurorinë për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti. /Insajderi.org/