Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Analizë

Mësimi i vështirë që Zelensky ia dha Kosovës

Takimi mes presidentit të Ukrainës dhe atij të Serbisë në Beograd duhet ta shtyjë Kosovën të rishikojë qasjen ndaj vendeve mosnjohëse

Takimi i Volodymyr Zelenskyt me Aleksandar Vuçiqin në Beograd pritej të tërhiqte vëmendje në Kosovë. Ajo që shkaktoi reagim, megjithatë, nuk ishte vetë takimi, por deklarata rreth njohjes së Kosovës. I pyetur për Kosovën, Zelensky rikonfirmoi se qëndrimi i Ukrainës mbetet i pandryshuar: Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe vazhdon ta respektojë integritetin territorial të Serbisë. Kjo nuk ishte diçka që Ukraina nuk e kishte thënë më parë. Por, e thënë në Beograd, përkrah Vuçiqit, pas vitit 2022, deklarata shkaktoi reagime të forta në Kosovë, deri te thirrjet për rishqyrtimin e solidaritetit me Ukrainën dhe heqja e flamurit ukrainas nga qendra e Prishtinës.

Ajo që ky takim fatkeqësisht nuk ka arritur ende të bëjë është hapja e debatit që Kosovës i duhet vërtet. Një debat më i kompleks për mënyrën se si ka ndryshuar thellësisht rendi ndërkombëtar, ndërsa politika e jashtme e Kosovës ka mbetur e ngrirë në një kohë tjetër dhe vazhdon ta shohë botën përmes thjerrëzave të një rendi që nuk ekziston më.

Kosova i mësoi rregullat e politikës ndërkombëtare në një botë kryesisht unipolare. Ishte fuqishëm e rreshtuar me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, Serbia ishte kundërshtari kryesor rajonal, ndërsa Rusia qëndronte pas Serbisë. Të qenit në “anën e duhur” të kësaj ndarjeje nuk ishte vetëm çështje parimore, ishte themeli i strategjisë së politikës së jashtme të Kosovës.

Por rendi ndërkombëtar ka ndryshuar. Është bërë më kompleks, më i fragmentuar dhe më pak binar. Shtetet veprojnë në disa drejtime njëkohësisht — bashkëpunojnë me rivalë, mbajnë lidhje strategjike ndërsa konkurrojnë ekonomikisht dhe ndërtojnë marrëdhënie me shtete me të cilat kanë mospajtime të thella politike.

Në këtë rend, rreshtimi vazhdon të ketë rëndësi, por nuk prodhon më automatikisht mbështetje politike. Dhe, aq më pak, nuk mund të jetë strategjia e vetme e politikës së jashtme. Të presësh që rreshtimi me aleatë të caktuar të sjellë vetvetiu njohje, mbështetje apo përfitime të tjera është një mënyrë tejet pasive për ta bërë politikën e jashtme.

Kur Rusia pushtoi Ukrainën në vitin 2022, Kosova reagoi shpejt. Iu bashkua sanksioneve, ofroi ndihmë dhe shprehu solidaritet të sinqertë publik. Mirëpo, solidariteti dhe rreshtimi do të duhej të ishin fillimi i një përpjekjeje të qëndrueshme për bashkëpunim bilateral e diplomatik, jo fundi i saj.

Vitet e para të luftës krijuan një mundësi të jashtëzakonshme. Ukraina kishte nevojë për partnerë, Perëndimi ishte mobilizuar rreth Kievit dhe vëmendja ndaj shteteve që qëndronin me Ukrainën ishte e paprecedentë. Kosova mund ta kishte përdorur atë moment për të ndërtuar një marrëdhënie shumë më të thellë me Ukrainën përmes bashkëpunimit institucional, projekteve të përbashkëta dhe angazhimit të vazhdueshëm përmes Uashingtonit, apo edhe Tiranës që kishte kanale direkte komunikimi me Kievin.

Bashkëpunimi nuk ka munguar krejtësisht. Ai është shtrirë edhe në fusha konkrete: Kosova ka trajnuar personel ukrainas në deminim përmes FSK-së, duke ndarë përvojën e saj të pasluftës, ndërsa Qeveria e Kosovës ka mbështetur programin “Gazetarët në Rezidencë – Kosovë”, në koordinim me Qendrën Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias – ECPMF, dhe Federatën Evropiane të Gazetarëve – EFJ, përmes të cilit gazetarë ukrainas janë strehuar dhe kanë punuar në Kosovë. Kosova ka kontribuar gjithashtu në trajnimin e rekrutëve ukrainas në kuadër të operacionit britanik Interflex.

Por pikërisht këtu qëndron problemi. Këto iniciativa mbetën kryesisht të shkëputura, në vend që të shndërroheshin në një arkitekturë më të gjerë dhe të qëndrueshme të marrëdhënieve Kosovë–Ukrainë. Kosova u rehatua me faktin se ishte “në anën e duhur” dhe e trajtoi këtë si politikë të jashtme në vetvete.

Takimi në Beograd i nxori në pah kufizimet e kësaj qasjeje. Ukraina, e cila po zhvillon një luftë që kërkon mbështetje ushtarake, politike dhe ekonomike, ka interes të ndërtojë marrëdhënie kudo ku ato mund të jenë të dobishme, përfshirë me Serbinë. Kjo ndodh pavarësisht faktit se Beogradi nuk i është bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë dhe vazhdon të mbajë marrëdhënie të afërta me Moskën.

Dhe pikërisht kjo duhet të jetë një pjesë e rëndësishme e reflektimit të Kosovës. Një shtet mund të mos pajtohet me një shtet tjetër dhe, megjithatë, të kërkojë bashkëpunim aty ku interesat përputhen.

Gabimi i Zelenskyt dhe reagimet në Kosovë

Deklaratat e Zelenskyt për Kosovën, të bëra në Beograd dhe të kornizuara përmes integritetit territorial të Serbisë, ishin politikisht të pakujdesshme. Ato i dhanë hapësirë të mëtejshme një paralelizmi që Rusia ka vite që përpiqet ta ndërtojë mes Kosovës dhe territoreve të pushtuara të Ukrainës.

Por një deklaratë e tillë nga Zelensky nuk duhet ta vë në hije pyetjen më të vështirë për Kosovën: pse, gjatë katër viteve, nuk ka ndërtuar një marrëdhënie mjaftueshëm të thellë me Ukrainën?

Reagimi institucional i Kosovës pas deklaratës tregoi një qasje më të pjekur. Ministria e Punëve të Jashtme shprehu zhgënjim, por njëkohësisht rikonfirmoi mbështetjen e Kosovës për Ukrainën, sovranitetin dhe integritetin e saj territorial. Mospajtim pa përplasje të derës, pikërisht qasja që i duhet Kosovës. Kurse e njëjta nuk mund të thuhet për Komunën e Prishtinës e cila, për protagonizëm e konsum të brendshëm politik, hoqi flamurin e Ukrainës që ishte vendosur në shenjë solidariteti, duke konfirmuar qasjen performative si në vendosje, po ashtu edhe në heqje të tij.

Përtej kësaj, ky episod duhej të ishte një thirrje për angazhim më të fortë, jo për distancim. Ukraina do të ketë nevojë për partnerë jo vetëm gjatë luftës, por edhe pas saj. Rindërtimi, bashkëpunimi institucional, ekonomia, lidhjet profesionale dhe procesi i integrimit evropian do të krijojnë hapësira të reja bashkëpunimi. Kosova duhet të kërkojë mënyra për të qenë pjesë e këtyre proceseve edhe aty ku nuk ka marrëdhënie të plota dypalëshe apo ku ekziston mospajtim për njohjen.

Debati duhet të shkojë përtej Ukrainës

Problemi i Kosovës me shtetet që nuk e njohin nuk është i ri, por qasja ndaj tyre mbetet e ngushtë. Njohja trajtohet shpesh si pikënisja dhe njëkohësisht si matësi i vetëm që përcakton marrëdhëniet bilaterale. Kur një shtet nuk e njeh Kosovën, instinkti i parë i saj është që ndaj mosnjohësit të ketë zhgënjim e distancim. Por, pikërisht me këto vende angazhimi i vazhdueshëm duhet të jetë më i fortë.

Mosnjohja nuk është domosdoshmërisht armiqësi dhe nuk duhet lexuar si e tillë. Rumania, Spanja, Sllovakia, Greqia, Qiproja dhe Moldavia kanë arsye dhe kalkulime të ndryshme për qëndrimet e tyre. Edhe brenda vendeve që e kanë njohur Kosovën, marrëdhëniet kanë lëvizur në varësi të qeverive dhe interesave të tyre.

T’i reduktosh të gjitha këto marrëdhënie në një çështje të vetme, atë të njohjes, është e kushtueshme për Kosovën — i kushton me ndikimin që mund ta ndërtojë në fusha të tjera. Mosnjohja duhet të jetë arsye për të investuar më shumë në një marrëdhënie, jo më pak.

Kjo kërkon një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si Kosova e mendon diplomacinë. Nuk mund të presim që shtetet të jenë fillimisht në anën tonë, e pastaj të fillojmë të ndërtojmë marrëdhënie me to. Shpesh duhet të bëjmë të kundërtën: të angazhohemi pikërisht sepse nuk pajtohemi, të krijojmë interesa të përbashkëta dhe të ndërtojmë besim që mund të ndryshojë edhe mënyrën se si një shtet e sheh Kosovën.

 

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.