Emërtimet sllave të vendbanimeve në Kosovë janë shpesh problematike, por iniciativat e fundit për ndryshimin e tyre flasin më shumë për kompleksin e inferioritetit dhe për kohët e këqija në të cilat jetojmë
Muajin e kaluar në Ferizaj u lansua iniciativa për t’ia ndryshuar emrin e Ferizajt në serbisht dhe këtë javë nisi edhe një peticion tjetër për t’ia ndërruar emrin Republikës së Kosovës. Jetësimi i këtyre iniciativave është praktikisht i pamundshëm dhe dalja e tyre në sipërfaqe është tregues i kompleksit të inferioritetit dhe i kohëve të këqija në të cilat po jetojmë.
Toponimet sllave na kanë munduar kohë pas kohe, duke krijuar edhe situata të sikletshme me emra që në shqip tingëllojnë keq apo qesharakë, si Muçibaba. Por ndryshimi i emrave të vendbanimeve nga ana zyrtare tash për tash është i parealizueshëm dhe diskutimi, në mënyrën se si ka nisur, e kap problemin për bishti.
Gjë që s’bëhet
Për t’u ndryshuar emri zyrtar i një komune apo i një fshati, duhet të ndryshohet Ligji për Kufijtë Administrativë të Komunave, ndërsa për ta bërë hapin tjetër të madh, për ta ndryshuar emrin e Kosovës, duhet të ndryshohet Kushtetuta. Kushtetuta ndryshohet vetëm me dy të tretat e votave të deputetëve. Për ndryshimin e një ligji të përcaktuar në Kushtetutë si ligj me interes vital, sikurse Ligji për Kufijtë Administrativë të Komunave, nevojitet shumica e votave të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë, duke përfshirë edhe shumicën e votave të deputetëve që mbajnë vende të garantuara për komunitetet joshumicë.
Nuk ka as Kuvend, as Qeveri e as vullnet politik për këtë. Edhe po të bëhej Qeveria dhe të ecte përpara iniciativa, shumica parlamentare do të duhej ta siguronte përkrahjen e Listës Serbe për miratimin e emrave të rinj. Lista Serbe do të mund ta jepte përkrahjen me kusht që emri i Zubin Potokut të ndryshohej në “Nikola Pashiq” dhe ai i Leposaviqit në “Milan Radoiçiq” – emra të figurave famëkeqija për shumicën shqiptare. Nuk do të çuditesha po qe se LS-ja do të jepte propozime të tilla, sepse shteti që e drejton Listën Serbe ka lënë emërtime të ngjashme në Kosovë në të kaluarën.
Ferizaj dhe Hani i Elezit
Qytetarët e Ferizajt nuk e dëgjojnë emërtimin “Uroshevac” në jetën e përditshme, por edhe vetë referenca te emri “Urosh” nuk duket aq agresive sa disa emërtime të tjera. Paradoksi është se kërkesa po vjen nga shqiptarë të një komune ku nuk ka serbë, përveç priftit të kishës që ndodhet në qendër dhe njihet për oborrin e përbashkët me xhaminë. Në kushte normale, debatit për ndryshimin e emrit të Ferizajt do të duhej t’i prinin ata që e flasin serbishten përditë. Por në kontekstin aktual, fshatrat ku serbët jetonin para luftës, sikurse Varoshi, janë të zbrazëta, meqë ata ikën prej andej me të mbaruar lufta.
E kam parë argumentin se ndryshimi i emrave ka qenë mjet i sundimit kolonial dhe i fshirjes së identitetit shqiptar në Kosovë. Ky argument është i vlefshëm, por nuk mjafton për ta ndryshuar emrin e Ferizajt në serbisht. Të mos harrojmë se në historiografinë serbe njihet edhe një Urosh i Dobët, nën udhëheqjen e të cilit u shpërbë tërësia politike që kishte trashëguar nga i ati, Stefan Dushani, në shekullin XIV.
Iniciatorët e peticionit nuk e kanë argumentuar mjaftueshëm pse është e domosdoshme të fshihet emri i vjetër, pse do të duhej të shpenzoheshin resurse publike për këtë qëllim dhe pse deputetët e Kuvendit do të duhej të angazhoheshin për ndryshimin e emrit të Ferizajt në një gjuhë “jashtë përdorimit” në këtë komunë.
Po ç’t’i bëjë pastaj Shqipëria Velipojës (Veliko Polje – fushë e madhe nga sllavishtja) dhe Beratit (Bel Grad – qyteti i bardhë)? Po Serbia, ç’të bëjë me Arbanasin, Kastratin dhe Muzaqin, prej nga i ka përzënë shqiptarët gjatë viteve kur po e themelonte shtetin? Kur logjikohet në këtë formë, vërehet se pikënisja është një ide spastruese. Po, po. Ide e spastrimit të gjurmëve të një populli që dikur jetoi në atë vend apo të një pushtuesi që dikur sundoi aty.
Sidoqoftë, ka emërtime që do të duhej të ndryshoheshin për shkak të asaj që përfaqësojnë. Emri më problematik në serbisht është “Gjeneral Jankoviq”. Kështu quhet Hani i Elezit në serbisht. Emërtimi Gjeneral Jankoviq është një nga absurdet që janë normuar në Ligjin për Kufijtë Administrativë të Komunave. Ky ligj është pjesë e Pakos së Ahtisaarit, e cila e ka përcaktuar në masë të madhe arkitekturën e shtetit të Kosovës.
Bozhidar Jankoviqi udhëhoqi ushtrinë e Serbisë në vitin 1913 dhe kreu masakra ndaj shqiptarëve në shumë vende. Në atë kohë, peshkopi i Shkupit, Lazër Mjeda, shkruante se ushtria serbe kreu masakra në Tetovë, Shkup, Kumanovë, Preshevë, Gjilan, Ferizaj, Prizren, Gjakovë, Pejë, por edhe në 27 fshatra të rajonit të Lumës në veri të Shqipërisë. Kjo është arsyeja pse argumentoj se problemi është i kapur për bishti, sepse emërtimi Gjeneral Jankoviq është problematik, kurse emrat e Ferizajt dhe të Kosovës nuk janë.
Pastaj, edhe emërtimi “Gllogoc” do të duhej të ndryshohej në dokumente. Në shqip, të gjithë e quajmë Drenas. Ka edhe vendbanime të tjera, sikurse fshati Bardhosh, i cili në dokumente figuron me emrin Nëntë Jugoviqët. Kjo është referencë te miti i Kosovës për nëntë Jugoviqët dhe të atin e tyre, Jug Bogdanin. Referenca ndaj mitit të Kosovës është problematike, meqë ky mit përdoret rregullisht nga Kisha Ortodokse Serbe për t’u thënë serbëve se duhet të luftojnë për Kosovën dhe se do të jenë të mallkuar nëse nuk përpiqen ta bëjnë atë pjesë të Serbisë dhe kundër përpjekjeve për ndërtim të paqes në rajon.
Inferioriteti
Kufiri do të duhej të vendosej në momentin kur vihet në pikëpyetje lëkura jonë – emri i vendit. Ndoshta Kosova ka emërtim sllav, por kjo nuk nënkupton se duhet ndryshuar emri i shtetit. Nuk kemi pse të dalim nga lëkura vetëm pse Kosova qenka sllavizëm. Kështu nuk po dëshmojmë se e duam Kosovën më shumë, por, fatkeqësisht, po shpërfaqim një kompleks inferioriteti. Po ta lexosh atë që kanë shkruar iniciatorët e peticionit si arsyetim për t’ia ndryshuar emrin Kosovës në Dardani, tingëllon sikur iniciatorët janë shumë krenarë për identitetin e tyre. Por edhe kompleksi i superioritetit është vetëm ana tjetër e medaljes së kompleksit të inferioritetit. Thelbi qëndron te ideja. Efektivisht, i bie që iniciativa synon të heqë dorë nga emërtimi i Kosovës dhe ta falë atë.
Nga ky kompleks duhet të zhvishemi dhe ka shembuj që mund të na shërbejnë. Ka raste nëpër botë kur kuptimi negativ i fjalëve është përmbysur nga vetë ata që janë stigmatizuar me to. Le ta marrim fjalën “queer”. Kuptimi i saj i parë në fjalorë të anglishtes përdorej për të përshkruar persona të “çuditshëm”. Megjithatë, komuniteti LGBT+ në shumë vende të botës vendosi ta rimarrë atë. Vendosi ta përdorë si emërtim për veten, aq sa, në shumë kontekste, “queer” është fjalë që përdoret në vend të LGBT+ dhe nuk nënkupton më një njeri të çuditshëm. Në këtë kuptim, edhe nëse emri Kosovë është sllavizëm, nuk kemi pse ta përjetojmë këtë si borxh ndaj Serbisë apo serbëve – “Tokë me nda nuk kam…” – thoshte poeti Ali Podrimja.
Mediumi shtetëror serb Kosovo Online e ka mbuluar iniciativën e ndryshimit të emrit të Kosovës, jo vetëm duke përvetësuar lajme nga mediumet e tjera, por edhe duke bërë intervista. Me njerëzit që i ka intervistuar në Kosovë dhe Serbi, ai ka trajtuar tema që nga dardanët, te përkatësia e Kosovës e deri te çështja nëse iniciativa për t’ia ndërruar emrin Kosovës është e qëlluar. Mediumi i Serbisë duket se e shijon çdo deklaratë apo fjalim që sfidon identifikimin aktual të shqiptarëve të Kosovës dhe identifikimin e tyre me shtetin.
Emri “Kosovë” mund të jetë sllavizëm, por kjo nuk duhet të na bëjë të dalim nga lëkura e as ta duam më pak vendin. Edhe emërtimet tjera mund të jenë sllavizma, por identiteti i shqiptarëve të Kosovës nuk është nën kërcënim prej tyre. Toponimet sllave dëshmojnë se Serbia ka qenë e pranishme në Kosovë, por këtu duhet bërë prerja, ato nuk e zhbëjnë realitetin e përditshëm të Kosovës si shtet i pavarur.
Rishqyrtimi
Caktimi i emërtimeve të vendbanimeve ka qenë pjesë e dhunës, pjesë e tjetërsimit dhe serbizimit, pjesë e rrënimit të kulturës autoktone. Pushtuesit vjedhin, sjellin kolonë për të sunduar dhe ndryshojnë emra pa i pyetur të pushtuarit. Rishqyrtimi i emërtimeve mund të jetë edhe një përpjekje autentike për të riimagjinuar atë që pushtuesi ka shlyer dhe për të rikthyer atë që buron prej nesh.
Në kuptimin e ideve ia vlen t’i ndryshojmë disa emërtime: “Gllogoc” dhe “Nëntë Jugoviqët” s’do të duhej të figuronin në dokumentet në gjuhën shqipe, ndërkohë që në praktikë përdoren emërtimet Drenas dhe Bardhosh. Dhe, sigurisht, emërtimi “Gjeneral Jankoviq” do të duhej të fshihej prej emërtimeve zyrtare dhe të ruhej në arkiva si dëshmi e trashëgimisë koloniale të Serbisë.
Por kufiri duhet të vendoset aty ku kalohet te ideja për t’i spastruar emërtimet. Riemërtimet, në praktikë, do të duhej të bëheshin me kujdes, ndërsa diskutime të tilla do të duhej të hapeshin në publik kur u shërbejnë nevojave praktike. Ato do të duhej të bëheshin me kujdes – t’i ngjanin krasitjes e jo kalljes së sërnishtës.
Kohët e këqija
Pas këtij debati qëndron një shtresë tjetër: shoqëria dhe shteti ndodhen në një krizë të pafundme, me rini të papunë nuk figuron as në statistika si punëkërkuese, me shumicën e grave jashtë tregut të punës, me moszhvillim dhe me një Kushtetutë që shkelet çdo ditë, pasi seanca konstituive nuk thirret çdo 48 orë. Kohët e këqija në të cilat po jetojmë janë terren i pjellshëm për kërkesa si ato për ta riemëruar Ferizajn në serbisht ose për t’ia ndryshuar tërësisht emrin Kosovës.
Kosova po kalon një krizë që prodhon pasoja gjithandej dhe ne po dështojmë t’i gozhdojmë partitë politike për papërgjegjshmërinë e tyre, të cilën na e dëshmojnë përditë. Kjo gjendje shfaqet si lodhje te një pjesë e njerëzve dhe si frustrim te të tjerët. Në këto rrethana, dalin në sipërfaqe biseda të llojllojshme, ndërsa frustrimi orientohet aty ku s’duhet.
Emërtimet sllave mund të sjellin në kujtesë një të kaluar të dhunshme. Ato mund t’u sjellin shqiptarëve kujtime të errëta, mirëpo nuk duhet të shërbejnë si bazë as për t’u ndier në borxh ndaj ish-pushtuesit as për t’u ndier inferiorë. Këto toponime nuk janë problemi që kërcënon Kosovën. Udhëheqja e papërgjegjshme, papunësia, diskriminimi gjinor, mungesa e zhvillimit dhe Serbia janë ato që e kërcënojnë Kosovën vazhdimisht.




































































