Një operacion i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve është zhvilluar në IEVP Fushë-Krujë, ku gjatë kontrolleve është gjetur dhe sekuestruar një aparat celular që dyshohet se i përket të paraburgosurit Ramazan Rraja. Pajisja i është dorëzuar SPAK-ut për ekspertizë.
Sipas burimeve, celulari pritet të ekzaminohet në laboratorin dixhital për të përcaktuar përdoruesin e tij, si dhe për të verifikuar komunikimet, kontaktet dhe të dhëna të tjera që mund të jenë me interes për hetimin.
Operacioni vijon, pasi dyshohet se në ambientet e IEVP Fushë-Krujë mund të jenë fshehur edhe aparate të tjera celulare.
Ramazan Rraja, i akuzuar për atentatin e vitit 2019
Ramazan Rraja është nipi i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja dhe një emër i njohur për drejtësinë shqiptare.
Ai u arrestua në prill të vitit 2023, pasi ishte shpallur në kërkim në kuadër të hetimeve për atentatin e vitit 2019, ku mbeti i vrarë shoferi Andi Maloku.
SPAK e ka akuzuar Rrajën për përfshirje në këtë ngjarje, ndërsa ai i ka mohuar akuzat. Në momentin e arrestimit në Fushë-Krujë, policia deklaroi se gjatë kontrollit ndaj tij iu gjet edhe një armë zjarri.
Tashmë, në fokus të hetuesve është celulari i sekuestruar në ambientet e burgut. Ekspertiza në laboratorin dixhital pritet të përcaktojë nëse aparati i përket Rrajës dhe nëse përmban komunikime apo të dhëna të tjera që mund të ndihmojnë hetimet e SPAK-ut.
Nëse konfirmohet se celulari është përdorur nga Rraja, të dhënat e rikuperuara mund t’u shërbejnë hetuesve për të verifikuar komunikimet e tij gjatë qëndrimit në IEVP Fushë-Krujë, si dhe për të evidentuar persona të tjerë me të cilët mund të ketë komunikuar./SHEKULLI
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/