Kurti pas takimit me Abdixhikun: Për herë të parë diskutuam për emra të përveçëm për president, takimet vazhdojnë

Ka përfunduar takimi mes kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti e Lumir Abdixhikut të Lidhjes Demokratike të Kosovës për çështjen e zgjedhjes së presidentit, më 26.08.2026.

Sipas kryeministrit Kurti, ata për herë të parë diskutuan me LDK-në për emra të përveçëm për president të vendit.

Kurti i quajti negociatat “mjaftë të vështira” dhe se do të vazhdojnë të mbajnë takime me LDK-në. 

“Në këtë fazë nuk mund të flasim konkretisht për emrat e përveçëm të cilët për herë të parë sot jemi duke i trajtuar si emra të posaçëm për president apo presidente të mundshëm.” – tha Kurti para gazetarëve, më 26.08.2026.

“Nuk është çështje muajsh kur ne duhet të merremi vesh, është çështje javësh, e do të donim të ishte çështje ditësh. Komunikimi nuk ndërpritet, takimet do të vazhdojnë.” – shtoi Kurti.

Në takim i kanë shoqëruar Hekuran Murati e Arbërie Nagavci të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Vjosa Osmani e Lutfi Haziri të LDK-së.

Kurti e ka falenderuar Vjosa Osmanin dhe Lutfi Hazirin për, siç tha ai, seriozitetin, sinqeritetin dhe dashamirësinë e treguar në këto negociata.

Ky është takimi i dytë me Kurtit e Abdixhikut. Para se të fillonte takimi, Kurti deklaroi para gazetarëve se po i vazhdojnë diskutimet për zgjedhjen e presidentit të vendit me vullnet të mirë.

“Po i vazhdojmë diskutimet me vullnet të mirë, ashtu siç jemi marr vesh në mënyrë që vendit bashkaritsht t’ia sjellim emrin për president apo presidente të re, në mënyrë që t’i evitojmë zgjedhjet e reja të panevojshme. Padyshim që do të jemi të hapur karshi juve sa i përket procesit, por deri kur të kemi marrëveshje ne duhet ta ruajmë edhe konfidencialitetin.”- deklaroi Kurti para se të hynte në objektin e Kuvendit të Kosovës.

Kur u pyt se a pret marrëveshje sot me LDK-në për çështjen e presidentit, ai u shpreh “Unë gjithmonë pres më të mirën, prandaj edhe me vullnet të mirë po shkojmë në mbledhje sot.”

Kurti e Abdixhiku u takuan edhe më 18.08.2026, për të gjetur një emër konsensual për president të vendit. Pas takimit kanë deklaruar se në takimin e radhës do të flasin në tavolinë me emra konkretë.

Kurse, gjatë ditës, KALLXO.com raportoi se ish-ambasadori i OSBE-së, William Walker, ka propozuar Faton Bislimin për president të Republikës së Kosovës.

Walker u ka shkruar letra krerëve të partive politike, Albin Kurtit të Lëvizjes Vetëvendosje, Bedri Hamzës së Partisë Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Ardian Gjinit të Aleancës në lidhje me propozimin e tij.

Kurti para takimit me Abdixhikun: Po i vazhdojmë diskutimet me vullnet të mirë