Zjarre në malet përreth Prishtinës, Komuna me apel urgjent për qytetarët
Komuna e Prishtinës ka apeluar qytetarët për kujdes për shkak të zjarreve që janë përhapur në disa zona përreth kryeqytetit.
Komuna ka thënë se në temperatura të larta dhe kushte të thata, mjafton vetëm një shkëndijë që zjarri të përhapet me shpejtësi, duke rrezikuar pyjet, kafshët, pronat dhe jetën e njerëzve.
“Ju bëjmë thirrje të gjithëve: mos ndizni zjarre në natyrë; mos digjni barishte, hamullishta apo mbeturina; mos hidhni cigare të ndezura; dhe mos lini prush apo materiale që mund të shkaktojnë zjarr” thuhet në reagim.
Komuna u ka bërë thirrje qytetarëve që nëse shohin tym apo zjarr të largohen nga zona e rrezikut dhe të lajmërojnë menjëherë zjarrfikësit e Kryeqytetit në numrin 193.
“Mirënjohje e thellë për Zjarrfikësit e Kryeqytetit dhe ekipet e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca, të cilët po luftojnë me zjarret pa ndërprerje, ditë e natë. Përkushtimi dhe guximi i tyre po mbrojnë natyrën, pronat dhe jetën e qytetarëve tanë. Jemi krenarë me ju”- thuhet në reagim.
Komuna ka bërë lutje për kujdes maksimal dhe për të kontribuar në parandalimin e zjarreve.