Lea Ypi gjatë mbajtjes së ligjëratës në Seminarin e 44-të të shqipes . Foto: KALLXO.com.
'Dinjiteti përballë padrejtësisë historike', Lea Ypi mban ligjëratë në Seminarin për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare
Filozofja dhe shkrimtarja shqiptare Lea Ypi, ka mbajtur mbrëmjen e së martës, më 25.08.2026, ligjëratë me temën “Dinjiteti dhe padrejtësia historike: historia e një familjeje shqiptare”, në kuadër të Seminarit të 44-t për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare që po mbahet në Prishtinë.
Duke u fokusuar te romani i saj “Të poshtëruarit”, Ypi solli para publikut një rrëfim ku historia familjare ndërthuren ngushtë me zhvillimet historike politike e shoqërore të shqiptarëve dhe Ballkanit, nga rënia e perandorive deri te rënia e ideologjive.
Ligjëratën e saj, studiuesja Ypi e nisi duke cituar dy filozofë gjermanë, Fridrih Shilerin (Friedrich Schiller) dhe Emanuel Kantin (Immanuel Kant) pasi teoritë e tyre përshtaten shumë me kërkimet, interesimet dhe temat që ajo trajton edhe në veprën e saj letrare, sikurse gjetjen e dinjitetit njerëzor dhe pajtimit në një botë të trazuar nga konfliktet e tragjeditë.
Përgjigjen në këto dilema Ypi e trajton te romani “Të poshtëruar”, përmes një përshkrimi dhe një përfytyrimi të jetës së Lemane Ypit, gjyshes së autores.
Leman Ypi, që është edhe personazhi i romanit, siç tha gjatë ligjëratës studiuesja Ypi, ka lindur më 1918 në Selanik, si mbesë e një pashai me titull Bejlerbej i Rumelisë dhe e cila vdiq në vitin 2006 në Tiranë. Në moshën 20-vjeçare ajo u vendos në Tiranë dhe ishte gruaja e parë që punoi në administratën e shtetit shqiptar. Lemania ishe e martuar me Asllan Ypin – juristin e diplomuar në Universitetin e Sorbonnes, gjyshin e autores. Por të dy më pas u burgosën nga komunistët si armiq të Shqipërisë.
Romani “Të poshtëruarit” siç tha Ypi, pjesërisht është një sagë, pjesërisht një histori politike evropiane nga rënia e perandorive deri në rënien e komunizmit në Ballkan dhe pjesërisht një reflektim filozofik rreth kuptimit moral dhe politik të dinjitetit që, siç tha ajo shtron pyetjen se çfarë do të thotë të bësh zgjedhje në një epokë ekstremesh dhe polarizimi.
“Por, edhe çfarë do të thotë ta bësh këtë pyetje të zgjedhjes morale të individit por edhe epoka në të cilën sot shkruan shkrimtari është një epokë polarizimi, tragjedish që përsëriten dhe histori që rikthehen dhe kur autori nuk i beson më epërsisë të tashmes ndaj së shkruarës”- tha ajo.
Ypi tha se boshti i romanit është historia e Lemane Ypit, që sipas saj, përshkruhet në dy perspektiva, në rrëfime të ndryshme kohore të ndërthurura më njëra-tjetrën.
Sipas saj, ka treguar se ka një rrëfim në vetën e parë ku mbesa është në kërkim të së vërtetës për gjyshen, duke u mbështetur në arkivat, ku rrëfimi bëhet në vetën e parë.
“Arsyeja është se në shumë shoqëri të ndara nga trashëgimia e së kaluarës ka një lloj bindje se njohja e së vërtetës do të na bëj të pajtohemi me problematikën e së shkuarës tragjike. Nëse ne arrijmë të kuptojmë pse erdhi në fuqi një sistem shtypës, bashkëpunëtorë që e mbështetën, etj., kjo në fund do të rikthejë dinjitetin e viktimave të atij sistemi”- tha Ypi.
Por, Ypi tregoi se në arkivin e shteti, ishte ndeshur me të dhëna të pasakta ose të mangëta për personazhin e romanit të saj, Leman Ypin.
Kurse, rrëfimi i dytë, sipas Ypit është një rrëfim letrar, bëhet në vetën e tretë.
“Autorja ndjek gjyshen, por pa thënë që është gjyshja duke ndjekur mënyrën se si formohet botëkuptimi i kësaj gruaje, çfarë lufte për dinjitetin duhet të bëj ajo në takimin me këto sisteme të ndryshme politike dhe filozofike, e që jeta e saj bëhet përmes dokumenteve”- tha ajo.
Ypi ka thënë se mundësia e njohjes të së vërtetës mbi të shkuarën në kushtet e një padrejtësie që vazhdon në të tashmen, është tema që ka trajtuar në romanin e saj ‘Të poshtëruarit”.
Në fund ajo ka thënë se është në krijim e sipër të pjesë së tretë të romanit që është një trilogji e interesimeve të saj, rreth dinjitetit, pabarazisë dhe liria njerëzore, pas librit, “Të lirë” dhe “ të Poshtëruarit”.
Ypi është përgjigjur edhe në pyetjet e pranishme dhe është nderuar me një mirënjohje nga Seminari për kontributin e saj për përhapje e kulturës shqiptare në botë.
“Unë e kam menduar këtë si trilogji, ku liria është me e rëndësishmja, dinjiteti është liria e parë nga brenda, dhe koncepti i tretë të cilit i dedikohet libri i ardhshëm është ‘Barazia’, sepse barazia është liria e parë nga jashtë”- tha ajo.
Lea Ypi është sot një nga zërat më të njohur shqiptarë në mendimin bashkëkohor evropian. Lea Ypi është profesoreshë e filozofisë politike në “London School of Economics”. Është autore e dy romaneve të botuara në gjuhën shqipe dhe angleze, “Të lirë” dhe “Të poshtëruar”.
Seminari i 44-t për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare ka nisur të hënën më 17.08.2026 në Prishtinë dhe ka mbledhur mbi 100- studiues e studentë nga vendet të ndryshme të botës.