Foto: ZKM
Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar transferimin e mbi 5 milionë eurove tek institucionet
Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti ka zhvilluar mbledhje elektronike, më 26.08.2026, në të cilën ka miratuar disa vendime.
Në këtë mbledhje është miratuar kërkesa e Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës, për transfer të mjeteve në shumën prej 4 milionë e 333 mijë e 900 euro deri nën 25% të ndarjes së ndikuar negativisht, për furnizim me barna nga Lista e Barnave Esenciale.
Kurse, 1 milion euro janë transferuar për Ministrinë e Punëve të Brendshme, shumë e cila është kërkuar deri nën 20.68% të ndarjes së ndikuar negativisht, për mbulimin e obligimeve që kanë të bëjnë me shpenzime operative.
300 mijë euro janë miratuar për transferim për Komunën e Podujevës, që sipas njoftimit, përbën deri në 18.18% të ndarjes së ndikuar negativisht, për mbulimin e obligimeve kontraktuale. Kjo Komunë udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kryetari Shpejtim Bulliqi.
Qeveria ka miratuar caktimin e lartësisë së kompensimit mujor të anëtarëve të Bordit të drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Korporata e Ruajtjes së Energjisë – KRE (Energy Storage Corporation – ESCorp)” Sh.A.
Për nevoja të Ministrisë së Drejtësisë është miratuar vendimi për dhënien në shfrytëzim të parcelës kadastrale P-9012-0, me sipërfaqe prej 999 metra katror, e cila është në pronësi të Agjencisë Pyjore të Kosovës – Ndërmarrja e Pyjeve në Prizren.
Si dhe, përmes një vendimi janë nominuar tre përfaqësues të Qeverisë në Këshillin Konsultativ për Komunitete. Emrat e përfaqësuesve nuk janë bërë të ditur në njoftimin e Qeverisë për mbledhjen.