Policia e Kosovës
Policia ndërhyn në dy raste për t'i ndaluar garat e shpejtësisë në Gjakovë
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë ka njoftuar më 25.08.2026 se, në dy raste të ndara, policia ka ndërhyrë për të ndaluar zhvillimin e garave të shpejtësisë brenda në qytetin e Gjakovës.
Sipas njoftimit të Policisë, në rrugën “Martirët Qerkezi” janë identifikuar dy motoçikleta duke marrë pjesë në gara të shpejtësisë.
Ndërsa, në rrugën “Gaspër Karaqi” bëhet e ditur se janë hasur dy automjete duke kryer gara të ngjashme.
Lidhur me këto dy raste, autoritetet njoftuan se janë shqiptuar gjoba ndaj personave të përfshirë në kundërvajtje.
“Falë reagimit të menjëhershëm, policia ka arritur të ndalojë këto kundërvajtje të rrezikshme, të cilat cenonin drejtpërdrejt sigurinë e qytetarëve dhe ndaj personave të përfshirë janë shqiptuar gjoba në përputhje me legjislacionin në fuqi.” – thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.
Ndërkaq, Policia e Kosovës rikujton se garat e shpejtësisë dhe sjelljet e papërgjegjshme në komunikacion janë ndër shkaqet kryesore të aksidenteve me pasoja fatale.
Organet e rendit theksuan se vetëm gjatë këtij viti si pasojë e aksidenteve të trafikut janë regjistruar një numër i lartë viktimash, e që sipas tyre, kjo e bënë edhe më urgjente nevojën për respektimin e rregullave të trafikut rrugor.
Për këtë, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të sillen me përgjegjësi, të shmangin veprimet e rrezikshme dhe të kontribuojnë së bashku për rritjen e sigurisë rrugore.