Hapet konkursi për rekrutimin e stafit për Fabrikën e Municioneve në Gjakovë

Ministria e Mbrojtjes ka shpallur konkurs për rekrutimin e personelit profesional, teknik dhe mbështetës.

Sipas Ministrisë, ky personel do të angazhohet në Kompleksin e Prodhimit të Municioneve në Jahoc të Gjakovës ndërsa njoftohet se afati për aplikim është nga data 24 deri me 30.08.2026.

“Ky konkurs përfshin fusha të ndryshme, si: inxhinieri, teknikë, prodhim, mirëmbajtje, kontroll i cilësisë, siguri, logjistikë, si dhe fusha të tjera të nevojshme për funksionimin e kompleksit. Përzgjedhja e aplikantëve do të bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe parimet e transparencës, meritokracisë dhe profesionalizmit.” – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

 

Ministria ka njoftuar se aplikantët e përzgjedhur para se të angazhohen në detyrë do të ndjekin trajnimet e nevojshme profesionale.

Hapja e këtij konkursi, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, shënon një hap të rëndësishëm drejt funksionalizimit të Fabrikës së Municioneve dhe zhvillimit të kapaciteteve vendore për industrinë e mbrojtjes.

Ministria ka ftuar të gjithë të interesuarit që plotësojnë kriteret për të aplikuar dhe për t’u bërë pjesë e këtij procesi.

Në emisionin #KallxoPërnime, më 21.11.2025, ministri në detyrë i Mbrojtjes në Kosovë, ka deklaruar se fabrika e municioneve pritet të nis jo më vonë se fundi i vitit 2026.

Maqedonci kishte thënë se kanë dakordim me kompaninë e kontraktuar nga Turqia që fabrika e municionit të nis punën më së largu në fund të vitit 2026

“Ne kemi një vlerësim dhe dakordim me prodhuesin turk që kjo fabrikë të funksionalizohet jo më vonë se në fund të vitit 2026. Kosova do të filloj të prodhoj municion. Makineritë vetëm janë duke u prodhuar në Turqi. Ndërtimi i objektit nuk merr shumë kohë”- tha ai.

Ministri Maqedonci ka deklaruar se fabrika e municionit do të vendoset në rajonin e Gjakovës ndërsa ka thënë se makineritë për këtë fabrikë vetëm se kanë nisur të prodhohen në Turqi.

“Ne vetëm dihet që kemi bërë një kontratë vitin e kaluar për prodhimin e makinerive për fabrikën e municioneve dhe është bërë një kontratë tjetër për ndërtimin e kësaj fabrike, me kompaninë nga Turqia. Është planifikuar që të vendoset në rajonin e Gjakovës. Jemi duke punuar për një zonë industriale të mbrojtjes që do të vendosen dhe fabrika dhe prodhues të tjerë. Kjo fabrikë është planifikuar që të drejtohet nga një kompani publike e Qeverisë së Kosovës natyrisht me rol të veçantë nga Ministria e Mbrojtjes e cila do të prodhoj për nevoja të Kosovës por dhe për eksport duke qenë se kjo fabrikë prodhon municione të standardeve të NATO-së”- ka deklaruar ai.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po atë ditë në një mbledhje të Qeverisë kishte paralajmëruar se municionet e para të prodhuara në Fabrikën e Municioneve në Kosovë do të dalin në fund të vitit 2026.

Këtë zotim, ai e kishte bërë teksa foli për shpronësim të pronave të paluajtshme për ndërtimin e Zonës Industriale në Gjakovë.

Pronat që do të shpronësohen janë të ish-Kombinatit “Ereniku”. Me miratimin e kësaj, Kurti u shpreh se do të hapet rruga për Fabrikën e Municioneve.

“Ndërtimi i kësaj fabrike do të përfundojë brenda vitit të ardhshëm. Municionet e para do të dalin në fund të vitit 2026”- tha ai.

Tutje, Kurti theksoi se kjo zonë industriale do të shërbejë edhe për investitorë të tjerë me të cilët ka kontakte për lloje të ndryshme të produkteve ushtarake, ku hyjnë edhe dronët ushtarakë e civilë ‘Made in Kosova’.

Kurti tha se kjo fabrikë do ta rrisë sigurinë, do ta forcojë ushtrinë dhe do të rrisë kapacitetet e Kosovës.

Më 27.11.2024, në Ditën e Forcës, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti kishte nënshkruar vendimin për themelimin e Komisionit Ndërministror për qëllim të vlerësimit dhe nisjen e procedurave dhe negociatave lidhur me hapjen e fabrikës së municionit dhe për laboratorët për dizajnimin e fluturakeve pa pilot.

Kurti kishte deklaruar se ky hap është i domosdoshëm për të garantuar zhvillimin e qëndrueshëm Forcës të Kosovës.

Më 16.12.2025, Kosova kishte nënshkruar kontratë me kompaninë turke të armëve, MKE, për këtë fabrikë.