E hënë, 14 Shtator 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Rusia bombardon Ukrainën për të gjashtën natë radhazi, të paktën 12 viktima

Ilustrim · Vizion Plus

Rusia ka bombarduar Ukrainën për të gjashtën natë radhazi, duke shkaktuar dhjetëra viktima dhe të plagosur, ndërsa përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës vijojnë pa një zgjidhje konkrete.

Sulmet me raketa dhe dronë në Kiev dhe zonat përreth, gjatë orëve të para të së martës, kanë shkaktuar të paktën 12 viktima dhe 18 të plagosur. Në kryeqytet, të paktën tetë persona humbën jetën dhe shtatë të tjerë u plagosën, mes tyre edhe tre fëmijë.

Forcat Ajrore të Ukrainës paralajmëruan se kërcënimi nga raketat balistike dhe armët e tjera ndaj Kievit dhe rajonit mbetej aktiv, duke u bërë thirrje banorëve të qëndrojnë në strehimore.

Pesë zona të Kievit u goditën

Sipas administratës ushtarake të Kievit, dëme në infrastrukturën civile u raportuan në pesë zona të kryeqytetit; Holosiivskyi, Darnytskyi, Dniprovskyi, Sviatoshynskyi dhe Solomianskyi.

Në Boryspil, në lindje të Kievit, u dëmtua një ndërtesë pesëkatëshe, një dyqan dhe dy banesa private. Ekipet e shpëtimit evakuuan 48 persona dhe nxorën dy të tjerë nga rrënojat.

Në të njëjtën zonë, një kamion u përfshi nga flakët. Fillimisht u raportuan dy të vdekur dhe tre të plagosur, ndërsa më vonë autoritetet ushtarake të rajonit të Kievit njoftuan se bilanci në Boryspil ishte rritur në katër viktima dhe 13 të plagosur.

Sulmet ndodhën vetëm pak ditë para rikthimit të fëmijëve ukrainas në shkolla pas pushimeve verore. Kievi dhe zonat përreth janë përballur me sulme të përsëritura ruse gjatë javëve të fundit.

Përpjekjet për paqe vijojnë

Bombardimet e reja vijnë në një kohë kur përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës po vazhdojnë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi të hënën se kishte zhvilluar një bisedë “të detajuar dhe konstruktive” me të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner.

Sipas Zelenskyt, palët po punojnë për të përcaktuar datat e vizitave të të dërguarve amerikanë në Ukrainë, në kuadër të përpjekjeve për të avancuar procesin e paqes.

Xhuljana Zhuleku
Gazetar/e · Vizion Plus · Redaksia e Vizion Plus.
Të gjithë artikujt

Vazhdo të lexosh