Riatdhesimi i 5 personave nga kampet e Sirisë, reagon ambasada e SHBA në Tiranë: Fitore për familjet dhe sigurinë globale!

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka reaguar për riatdhesimin e 5 shtetasve shqiptarë nga Siria.
“Shtetet e Bashkuara vlerësojnë Shqipërinë për riatdhesimin e shtetasve të saj nga Siria, dy gra dhe tre fëmijë të kthyer së fundmi, të cilëve u mundësohet një e ardhme me mbështetje për rehabilitim dhe riintegrim. Një fitore për këto familje dhe për sigurinë globale”, thuhet në reagim.
Kujtojmë se pesë shqiptarë, 2 gra dhe 3 fëmijë, janë rikthyer rreth një javë më parë në Shqipëri nga Siria, në kuadër të një operacioni të riatdhesimit të koordinuar nga autoritetet shqiptare.
Ata mbërritën me një avion charter dhe u pritën nga ministri i Brendshëm,Besfort Lamallari, dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita.
Mes të rikthyerve ndodhen Hajrije Taushani, Myrvete Dibra dhe tre fëmijë, dy prej të cilëve vajza të mitura.
Por kush është Hajrije Taushani?
Hajrije Taushani, me origjinë nga Elbasani, është 79-vjeçarja e riatdhesuar nga Siria me pjesën tjetër që mbërritën pas mesnate në Tiranë.
Taushani kishte shkuar në Siri për t’u kujdesur për familjarët e saj, pasi djali i saj kishte humbur jetën atje. Në kampet siriane ajo kishte qëndruar bashkë me nipërit e saj, të cilët kishin mbetur pa prindër.
Sot, pas vitesh qëndrimi në kampet siriane, Taushani është kthyer në Shqipëri së bashku me nipin e saj të mitur. Ata ishin të parët që zbritën nga avioni pas mbërritjes në Shqipëri.
Myrvete Dibra, rikthehet pas vitesh në Siri
Mes të riatdhesuarve është edhe Myrvete Dibra, e cila prej vitesh ndodhej në kampet siriane së bashku me vajzat e saj.
Historia e Dibrës është raportuar gjerësisht në mediat shqiptare. Në vitet e kaluara ajo dhe fëmijët e saj ndodheshin në kampin Al-Hol dhe më pas në kampin Roj, ndërsa familjarët e saj kishin bërë vazhdimisht thirrje për rikthimin e tyre në Shqipëri.
Dibra është gjithashtu emri që del në raportimet e mëparshme për gratë shqiptare të mbetura në kampet e Sirisë, mes të cilave përmendej edhe Hajrije Taushani.
Lidhja me Hamid Beharović
Emri i Myrvete Dibrës është përmendur ndër vite në raportimet për shqiptarët që ndodheshin në kampet e Sirisë. Ajo ka qenë bashkëshortja e shtetasit malazez Hamid Beharović, i cili në vitin 2017 u përball në Mal të Zi me akuza për pjesëmarrje në një formacion të armatosur të huaj, të identifikuar nga prokuroria si organizata terroriste ISIS/ISIL.
Në materialet e asaj kohe përfshiheshin edhe dokumente që lidhnin udhëtimin e Beharovićit me Turqinë dhe Sirinë. Ai i kishte mohuar akuzat, duke pranuar se kishte qenë në Siri, por duke deklaruar se nuk kishte marrë pjesë në luftime.




