Nelson Hysa sfidon Agit Kabayelin për titullin e botës: Po vij në Gjermani të të nokautoj!
Boksieri shqiptar Nelson Hysa nuk ka humbur kohë pas fitores spektakolare ndaj norvegjezit Thomas Narmo, të cilin e nokautoi brenda pak sekondash të shtunën e kaluar. Menjëherë pas meçit, ai u përball kokë më kokë me kampionin gjerman Agit Kabayel dhe e sfidoi publikisht për një duel për titullin botëror të peshave të rënda.
Fillimisht, Hysa iu drejtua Kabayelit me tone të ashpra në ring.
“A frikësohesh nga unë? Pse ikën nga unë? Ke frikë? Unë vij në Gjermani, në shtëpinë tënde, për të të rrahur. Eja të luftojmë, do të të nokautoj. Mos u frikëso. Respekt për ty, lufto me mua, vëllai. Mos ik.”
Pas kësaj përballjeje, shqiptari e vazhdoi sfidën edhe përmes një mesazhi publik në rrjetet sociale, ku kërkoi zyrtarisht meçin për titullin WBC World Heavyweight Champion, shkruan Indeksonline
“Pranoje sfidën time, Agit. Po vij në Gjermani për të marrë atë që është e jotja dhe për t’u bërë kampioni i ri botëror i WBC në peshat e rënda. Do ta mbush stadiumin me shqiptarë dhe do t’i tregoj botës pse jam peshë-rëndi më i frikshëm në botë. Gjermani, a je gati?”
/Indeksonline/

