75 Mall Live Search
15:22 / E Mërkurë, 02 Shtator 2026 / P M

​Prishtina nuk prin në shtrenjtimin e pronave, çmimet jashtë kryeqytetit rriten për 12,8%

Çmimet e pronave të banimit po rriten dukshëm më shpejt jashtë rajonit të Prishtinës, tregojnë të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).

Në rajonet e tjera të vendit, pronat u shtrenjtuan për 12,8 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2026, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Në rajonin e Prishtinës, ndërkaq, rritja ishte dukshëm më e ulët, 4,1 për qind.

Kjo do të thotë se ritmi i rritjes së çmimeve jashtë rajonit të Prishtinës ishte më shumë se trefish krahasuar me kryeqytetin dhe rrethinën e tij.

Në nivel të Kosovës, çmimet e pronave të banimit u rritën për 7,3 për qind krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2025.

Shtrenjtim është regjistruar edhe krahasuar me fillimin e këtij viti.

Sipas ASK-së, çmimet u rritën për 1,3 për qind në tremujorin e dytë krahasuar me tre muajt e parë të vitit 2026.

Të dhënat janë publikuar të mërkurën në kuadër të Indeksit të Çmimeve të Pronave të Banimit për tremujorin e dytë të vitit 2026.

Rritja e çmimit të pronave jashtë Prishtinën nuk do të thotë se ato janë më të shtrenjta se në kryeqytet por vetëm se ato u ngritën me ritëm më të shpejtë së në komunën numër një në vend. Përndryshe, Prishtina vazhdon të prijë si qyteti me çmimet më të larta të pronave në krejt Kosovën.