75 Mall Live Search
12:51 / E Mërkurë, 02 Shtator 2026 / H F

Maqedonci takon ambasadorin bullgar, diskutojnë për sigurinë dhe bashkëpunimin Kosovë-Bullgari

Forcimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes ka qenë një nga temat kryesore të takimit të zhvilluar sot mes ministrit në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedoncit, dhe ambasadorit të Bullgarisë në Kosovë, Hristo Kraevskit.

Gjatë takimit është diskutuar për zhvillimet aktuale të sigurisë, situatën e përgjithshme në rajon dhe rëndësinë e ruajtjes së paqes dhe stabilitetit afatgjatë.

Maqedonci dhe Kraevski kanë vlerësuar marrëdhëniet e mira që ekzistojnë ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë, duke nënvizuar nevojën për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit bilateral në fusha me interes të përbashkët.

Në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes, Bullgaria është cilësuar si një partner i rëndësishëm për Kosovën, veçanërisht për shkak të rolit të saj si anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Gjatë bisedës është vlerësuar edhe kontributi i Bullgarisë në kuadër të misionit KFOR, përmes të cilit ky shtet ka kontribuar ndër vite në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë.

Po ashtu, është theksuar mbështetja bullgare për Kosovën në proceset që lidhen me integrimin euroatlantik.

Në fund të takimit, të dyja palët kanë shprehur gatishmërinë për të vazhduar angazhimin e përbashkët dhe për të avancuar bashkëpunimin Kosovë–Bullgari, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.