Ekskluzive/ A ia ka rrëmbyer dikush zemrën Oriola Marashit? Modelja zbulon të pathënat për dashurinë, muzikën dhe planet e saj të reja
Modelja dhe këngëtarja e njohur, Oriola Marashi, ka rrëfyer për “Indeksonline” më shumë rreth karrierës së saj, muzikës, sfidave në modeling dhe jetës sentimentale.
E pyetur nëse në të ardhmen e sheh veten më shumë si modele apo këngëtare, Oriola shprehet se nuk dëshiron ta kufizojë veten vetëm në një drejtim.

“Nuk kam dashur kurrë ta vendos veten në një kuti. Modelingu ka qenë dhe vazhdon të jetë një pjesë shumë e rëndësishme e jetës dhe karrierës sime, ndërsa muzika ka qenë dashuria ime e parë. Por unë jam njeri që më pëlqen të provoj, të evoluoj dhe të sfidoj veten. Besoj se në të ardhmen do më shihni edhe në dimensione të tjera që ndoshta nuk i prisni nga unë”, ka thënë ajo.
Sa i përket muzikës, Marashi ka lënë të kuptohet se projekte të reja mund të jenë në përgatitje, por ka zgjedhur të mos zbulojë shumë detaje.
“Gjithmonë. Por kam mësuar të mos flas shumë për gjërat para se të jenë gati. Më pëlqen t’i lë projektet të flasin vetë kur vjen momenti”, është shprehur modelja.
Oriola ka folur edhe për momentin më të vështirë në karrierën e saj si modele, duke veçuar përballjen me refuzimin.

“Të mos e marr personale refuzimin. Në këtë industri do dëgjosh edhe ‘jo’, por një ‘jo’ nuk përcakton kush je. Mua më ka bërë më të fortë dhe më të qartë për atë që dua”, ka rrëfyer ajo.
E pyetur për jetën sentimentale dhe nëse ka një person të veçantë në jetën e saj, Oriola ka zgjedhur të ruajë misterin.
“Duke qenë se një pjesë e madhe e jetës sime është publike, privatësinë e vlerësoj shumë. Për momentin nuk ka asgjë për të fshehur, por kur të vijë momenti i duhur, me siguri do të jem e fundit që do ta tregoj”, ka deklaruar ajo me humor, duke shoqëruar përgjigjen me një emoji.
Në fund, Marashi u vendos përballë një zgjedhjeje: një kontratë të madhe ndërkombëtare si modele apo një hit të madh si këngëtare.
Për të, duket se zgjedhja është e thjeshtë: të dyja.
“Pse duhet të zgjedh? Unë do t’i doja të dyja. Dhe ndoshta edhe pak më shumë se kaq”, përfundoi ajo./Indeksonline/


