Lajme

Shtatë kërkesat e komunave ndaj Qeverisë

09/01/2026 12:05
nga:G B

Sazan Ibrahimi, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës ka bërë të ditur se komunat e vendit nuk po kërkojnë privilegje, por sipas tij, atë që iu takon me Kushtetutë e ligj.

“Sot komunat e Kosovës folën në një zë. Mesazhet që u dhanë nga ky shesh, nuk janë partiake, dhe nuk janë kërkesa personale të kryetarëve. Ato përfaqësojnë interesat e komunave dhe qytetarëve të tyre. Komunat nuk po kërkojnë privilegje, ato po kërkojnë atë që iu takon me Kushtetutë dhe me legjislacionin në fuqi: buxhetin, pronën, kompetencat dhe trajtimin e barabartë institucional”, u shpreh Ibrahimi.

Para qytetarëve, Ibrahimi renditi kërkesat e komunave:

“Kërkojmë nga Qeveria që t’i kompensojë obligimet financiare që burojnë nga kontratat kolektive dhe që po ua merr komunave përmes vendimeve gjyqësore dhe procedurave përmbarimore”;

“Kërkojmë që kompensimi retroaktiv për normën e përvojës së punës prej 0.5% nga marsi i vitit 2023, si dhe për vitet 2024 dhe 2025, të mbulohen nga buxheti qendror dhe jo nga buxheti i komunave”.;

“Kërkojmë rishikimin e kritereve të grandit specifik për arsim. Mbi 3100 mësimdhënës kanë mbetur pa financim duke u krijuar komunave një barrë shtesë komunave, vetëm për këtë vit mbi 24 milion euro”;

“Kërkojmë ndërprerjen e centralizimit dhe cenimit të kompetencave komunale, përfshirë pronën komunale, procedurat e rekrutimit, dhe procedurat e tjera vetanake”;

“Kërkojmë përgjegjësi institucionale për humbjen e mbështetjes financiare të Bashkimit Evropian, dhe për zvogëlimin e mjeteve të grantit të performancës komunale”;

“Kërkojmë kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet dhe fatkeqësitë e tjera natyrore që nga viti 2022”;

“Kërkojmë krijimin e grantit të katërt për investime kapitale me kritere të qarta ligjore dhe transparente”.