Lajme

Mungesa e teksteve shkollore në shkollën “Selman Riza” në Fushë Kosovë? Drejtoria e Arsimit: Nuk kemi pranuar asnjë informacion se ka probleme me furnizimin

09/01/2026 13:47
nga:L J

Një prind i një nxënësi të klasës së shtatë në SHFMU “Selman Riza” në Fushë Kosovë ka ngritur shqetësim lidhur me pretendimin se një pjesë e madhe e nxënësve nuk janë pajisur me tekste shkollore.

Sipas prindit, problemi dyshohet se ka ardhur si pasojë e një gabimi gjatë procedurave administrative ndërmjet shkollës, Drejtorisë Komunale të Arsimit në Fushë Kosovë dhe Ministrisë së Arsimit.

Ai ka thënë së për këtë shqetësim është drejtuar personalisht edhe Ministrisë së Arsimit, sipas tij kujdestarja e klasës i ka dorëzuar në mënyrë të rregullt emrat dhe të dhënat e nxënësve, ndërsa dokumentacioni më pas është përcjellë nga shkolla në Drejtorinë Komunale të Arsimit dhe nga kjo e fundit në Ministrinë e Arsimit.

Megjithatë, Drejtoria e Arsimit në Fushë Kosovë, për Gazeta Blic e ka mohuar se ka pranuar ndonjë informacion për probleme me furnizimin me tekste shkollore.

“Deri në këto momente që po flasim nuk ka ardhur asnjë informacion se ka probleme sa i përket furnizimit me tekste shkollore”, ka deklaruar drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Fushë Kosovës, Sabri Xhigoli.

Problemin me mungesën e teksteve shkollore e ka mohuar edhe drejtori i SHFMU “Selman Riza”, Muhedin Berisha./Gazeta Blic