Deputetja e Partisë Demokratike, Ledina Alolli, ka reaguar ndaj të dhënave më të fundit demografike për qarkun e Korçës, duke e cilësuar bilancin negativ të lindjeve dhe vdekjeve si një sinjal alarmi për të ardhmen e qarkut.
Sipas Alollit, shifrat e INSTAT tregojnë një realitet që nuk mund të anashkalohet: në tremujorin e dytë të këtij viti, Korça ka regjistruar 265 vdekje më shumë se lindje, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2023 diferenca ishte 184.
Deputetja demokrate ngre shqetësimin se përkeqësimi i bilancit natyror, i kombinuar me emigracionin e të rinjve, po e çon Korçën drejt një tkurrjeje të vazhdueshme demografike. Ajo kërkon politika konkrete për punësimin, mbështetjen e familjeve dhe krijimin e mundësive që të rinjtë të ndërtojnë të ardhmen në vendlindje.
Postimi i Ledina Alollit
Korça po tkurret. Dhe shifrat nuk lënë më vend për propagandë.
Të dhënat e publikuara nga INSTAT japin një alarm që nuk mund të injorohet: Korça ka bilancin natyror më negativ në të gjithë Shqipërinë, me 265 vdekje më shumë se lindje vetëm në tremujorin e dytë të këtij viti.
Dhe nuk është një episod i një tremujori. Në të njëjtën periudhë të vitit 2023 diferenca ishte 184. Sot është 265.
Në vetëm tre vjet, bilanci negativ është thelluar me rreth 44%.
Dhe këtu flasim vetëm për diferencën mes lindjeve dhe vdekjeve. Emigracioni nuk përfshihet në këtë shifër.
Pas fasadës së propagandës për zhvillim, realiteti është shumë më i rëndë: një qark që po plaket, po humbet të rinjtë dhe po tkurret.
Korça nuk mbahet gjallë me fasada, festa dhe fotografi. Duhet ekonomi që krijon vende pune, bujqësi që mbështetet, familje që kanë siguri dhe të rinj që mund ta ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu.
265 nuk është thjesht një numër statistikor. Është një alarm.
Dhe kur një qeveri e dëgjon këtë alarm prej vitesh dhe nuk ndryshon kurs, atëherë nuk po administron zhvillimin.
Po administron boshatisjen.













