Deputetja ngre gjithashtu shqetësimin për aktivitetin e guroreve dhe pretendon se, sipas saj, në këtë sektor ka edhe ndikim të grupeve kriminale. “Ka ma shumë shtysa me djeg e shfrytëzu territor sesa me e mbrojtë atë”, shprehet ajo.
Një tjetër pikë e analizës së saj lidhet me mënyrën se si administrohet toka dhe pyjet. Koçeku argumenton se mungesa e një përgjegjësie të qartë institucionale mbi territorin krijon një situatë ku toka perceptohet si “tokë e askujt”, duke dobësuar edhe lidhjen e komuniteteve me të.
Në fund, ajo e lidh situatën me reformën territoriale dhe diskutimet për bashkitë e vogla, duke paralajmëruar se centralizimi i kompetencave mund të shkëpusë komunitetet nga vendimmarrja dhe përgjegjësia për territorin.
“Tu i heq kompetencat prej poshtë, po shkrihet lidhja e komunitetit me territorin”, shkruan Koçeku, duke e cilësuar këtë si një nga faktorët më shkatërrues për mbrojtjen dhe administrimin e territorit.
Postimi i plote ne Facebook
Mbas fabrikës së çimentos në Krujë ndodhen 4-5 gurore të mëdha. Këto ditë, ky vend ishte edhe ndër vatrat kryesore të zjarrit, ku 3 prej tyne vazhdojnë me qenë aktive. Jo rastësisht… Shpeshherë zjarri në Shqipëri ka qenë politik dhe mjet për me zaptu territore të reja. Zjarr për me incentivu “zhvillime” të mavonshme, lehtësime ligjore e depërtime që, në kushte normale, nuk do mundeshin me u realizu. Siç ndodhi në Pishë-Poro para dy vitesh, ku zjarri zgjati 10-ditë pa ndërhyrje dhe shkrumboi gjithçka.
Ka ma shumë shtysa me djeg e shfrytëzu territor sesa me e mbrojtë atë. Tu përqendru tanë energjitë te ndërtimi pa kriter dhe spekulativ, njerëzit shohin çdo lloj rruge për përfitim ekonomik. Jo rastësisht shumica e guroreve kontrollohen edhe nga grupe mafioze e kriminale.
Nuk ka ende nji linjë të saktë sesi administrohet toka-pyll. Shpesh tu e lanë tokë të askujt, askushi s’e ndjen ma as përgjegjësinë e as përkatësinë, por vetëm dëshirën me zhvat e me përfitu.
Kjo pashmangshmërisht lidhet edhe me reformat territoriale që janë ba në kohë e që tash po synojnë me shkri disa bashki të vogla. Tu i heq kompetencat prej poshtë, po shkrihet lidhja e komunitetit me territorin, lidhja administrativo-institucionale me njerëzit e vendit. Kjo asht ma shkatërrimtarja.
Tu heq përgjegjësinë e përkatësinë me vendin, marrëdhëniet e komunitetit me territorin kthehen veç në marrëdhanie burokratike në letër. Kthehen në marrëdhanie të thata e të shkretueme.