FOTO/ Çfarë fshihet nën burimin e Ujit të Zi? Ekipi i zhytësve polakë hartëzon 1.5 kilometra galeri nënujore

3 Shtator 2026, 22:20Turizëm TEMA
FOTO/ Çfarë fshihet nën burimin e Ujit të Zi? Ekipi i

Një ekip zhytësish të specializuar të BAD Exploration Team ka realizuar një ekspeditë në burimin e Ujit të Zi, pranë Këlcyrës, duke depërtuar thellë në sistemin nënujor të këtij burimi karstik.

Sipas të dhënave të publikuara nga ekipi, zhytësit Bart Pitala, Tomasz Wciórka dhe Michał Sojka kanë eksploruar dhe hartëzuar rreth 1.58 kilometra të galerisë nënujore, duke arritur në një thellësi maksimale prej rreth 135 metrash.

Ekspedita e vitit 2026 ka shërbyer edhe për krijimin e një projeksioni 3D të sistemit të "Ujit të Zi", duke dokumentuar profilin e thellësisë dhe ndryshimet e mëdha të terrenit nëntokësor.

Grafikat e publikuara nga BAD Exploration Team tregojnë se pas rreth 700 metrash itinerari arrin në një thellësi prej afro 88 metrash, përpara se galeria të ngrihet sërish drejt sipërfaqes. Gjatë eksplorimit janë identifikuar gjithashtu të paktën dy xhepa ajri, rreth 1.2 dhe 1.32 kilometra nga hyrja, përpara se sistemi të zhytet sërish në mënyrë të fortë drejt pikës së fundit të arritur nga ekspedita.

Në fund të linjës së eksploruar, rreth 1,580 metra nga hyrja, zhytësit kanë arritur në thellësinë rreth 135 metra. Ky është edhe kufiri i dokumentuar nga ekipi gjatë ekspeditës së këtij viti, ndërsa sistemi nënujor mund të vazhdojë përtej pikës së arritur.

Pamjet nga brenda burimit zbulojnë gjithashtu formacione shkëmbore dhe hapësira të mëdha të mbushura me ujë, të cilat nuk janë të dukshme nga sipërfaqja.

Uji i Zi ndodhet pranë Këlcyrës dhe nga jashtë shfaqet si një burim me ujë të kthjellët, por ekspedita e BAD Exploration Team tregon se poshtë tij ndodhet një sistem shumë më i gjerë dhe kompleks nënujor.

4 Komente

  1. O
    O

    A kanë ujë të pijshëm banoret e zonës? Gjynah mos të kenë!

    Përgjigjjuni
    1. K
      Këlcyrioti

      Kanë 24 ore ujë, nga një burim mbi Këlcyre dhe në stinën e veres e merr nga puset e Vjoses

      Përgjigjjuni
    2. a
      aleksander

      doja te dija se a mbikqyrren nga ndonje shqiptar keta eksploruesit turiste e huaj, apo vari lesht shqiperi hesapi, kush te doje vjen dhe ben ç'te doje. sepse mendja me shkon se keta jane si ata piratet qe kerkojne sende me vlere.

      Përgjigjjuni
      1. M
        Mirela

        Po këta nuk janë turist o lali, ti bravo që ke merak për pasurit e vendit, po këta janë, një ekip zhytësish të specializuar të BAD Exploration Team. Hyrë në google dhe do të gjesh informacion për BAD Exploration Team.

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje