Komedia “8 persona+”, me autor dhe regjisor Ferdinand Radi, është ngjitur në skenën e Teatrit “Andon Zako Çajupi”, këtë herë me një qasje të re regjisoriale nga vajza e tij, Andeta Radi. Vepra, e interpretuar nga trupa e teatrit të Korçës në kuadër të “Koko Fest”, është një nga komeditë më të bukura të teatrit shqiptar, një vepër plot humor, ritëm dhe situata të papritura që ndër vite ka fituar zemrat e publikut.
“Jam vërtetë shumë e emocionuar. Emocionet sigurisht për veprën e babait, emocionet për një rivënie që normalisht nuk superon kurrë vënien që ai ka pasur në skenë, por jemi përpjekur që të sjellim diçka të re, sigurisht duke mos i prishur asgjë tekstit të shkruar nga Ferdinand Radi.” – tha ANDETA RADI, Regjisore.
Rivënia në skenë e kësaj vepre pas më shumë se 30 vitesh nuk ka qenë e thjeshtë për trupën, duke pasur parasysh përgjegjësinë për të ruajtur frymën e veprës dhe për ta përcjellë atë përmes një këndvështrimi të ri regjisorial.
“Emocion shumë, shumë emocion i madh, përgjegjësi e madhe kur duhet të vazhdosh rrugëtimin e disa, po them artistëve, disa se ne në familjen tonë jemi disa dhe duhet ta mbash lart stekën e tyre.” – tha Aktorja ROZANA RADI.
“U përpoqëm ta sillnim jo në formë imitimi, të bënim diçka, domethënë të sillnim diçka të re duke përmbajtur gjatë atë që është bërë që në fillim. Mendoj që publiku e priti mirë.” – ALBANO PRODANI, Aktor.
“Mënyra si janë trajtuar karakteret ndryshon nga ajo që ne kemi parë dhe e kënaqëm publikun. Duartrokitjet, ovacionet, të qeshurat na bënë që të ndjeheshim mirë.” – ZAMIRA KITA, Aktore.
“Kthyem një shfaqje që kishte shumë përgjegjësi duke marrë parasysh se kush ishin aktorët që e luanin dikur dhe përgjegjësia jonë ishte akoma më e madhe që të paktën të arrinim sadopak në nivelin e atyre.” – XHEJNI FAMA, Aktor.
Shfaqja u prit me duartrokitje nga publiku, ndërsa “Koko Fest” vijon të sjellë në skenën korçare produksione dhe trupa nga hapësira mbarëkombëtare. A.K./TemA
Lini një Përgjigje