Rikthimi i Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar pas 14 vitesh synon të rindërtojë marrëdhënien mes kinemasë vendase dhe publikut, veçanërisht brezit të ri. Drejtori i festivalit, Ilir Butka, thotë se filmat shqiptarë prodhohen dhe vlerësohen në festivale ndërkombëtare, por shpesh nuk arrijnë të promovohen dhe të shpërndahen siç duhet brenda vendit.
Në një intervistë për Apostrof Podcast, Butka tha se edicioni i 14-të krijon mundësinë për të reflektuar mbi prodhimet e realizuara gjatë viteve në të cilat festivali mungoi, por edhe për të kuptuar se çfarë marrëdhënieje kanë sot këta filma me spektatorin shqiptar.
“Jepet një shans i mirë që ne të bëjmë një reflektim mbi këta filma të prodhuar ndër vite dhe të kuptojmë realisht se cili është raporti që kemi lënë pa konsumuar me shikuesin”, u shpreh ai.
Sipas Butkës, një pjesë e madhe e filmave e kanë zhvilluar premierën e tyre, por nuk kanë pasur mundësi të qarkullojnë përmes një sistemi të mirëfilltë të shpërndarjes në kinema. Për pasojë, edhe filmat e realizuar disa vite më parë nuk e kanë ezauruar ende kontaktin me publikun.
Problemi, sipas tij, lidhet me mënyrën se si është konceptuar sistemi i financimit të kinematografisë shqiptare, ku mbështetet prodhimi i filmit, por jo faza që e çon atë te spektatori.
“Ne arrijmë të financojmë prodhimin e filmit, por nuk financojmë distribuimin e tij. Kjo përfshin një sërë elementesh, duke nisur nga promovimi dhe realizimi i materialeve e trailerëve promovues”, tha Butka.
Ai theksoi se mungesa e kontaktit të vazhdueshëm me publikun mund t’i ketë bërë kineastët më pak të ndjeshëm ndaj pritshmërive të tij. Festivali, për këtë arsye, nuk synon vetëm të shfaqë filma, por edhe të krijojë një lidhje të drejtpërdrejtë mes autorëve dhe spektatorëve.
“Duke mos pasur këtë lloj kontakti me spektatorin, ndoshta kemi humbur një lloj ndjeshmërie ndaj pritshmërive të tij. Vendosja e këtij kontakti nënkupton që duhet të marrim në konsideratë edhe atë që shikuesi pret nga ne”, deklaroi ai.
Butka vuri në dukje se filmat e përfshirë në festival pasqyrojnë ndryshime të dukshme teknike, tematike dhe konceptuale të kinemasë shqiptare gjatë 14 viteve të fundit. Një pjesë e tyre kanë konkurruar dhe kanë fituar çmime në festivale të rëndësishme ndërkombëtare, çka, sipas tij, dëshmon cilësinë e tyre.
“Kemi një certifikatë garancie për cilësinë e këtyre filmave. Në festivalet ndërkombëtare nuk të hapet dera lehtësisht as për të marrë pjesë, pastaj aq më pak për të fituar çmime. Kjo do të thotë se filmat atje kanë funksionuar dhe janë pëlqyer”, tha Butka.
Por pikërisht ky vlerësim jashtë vendit, sipas tij, ngre pyetjen se përse të njëjtët filma nuk kanë arritur të krijojnë të njëjtën marrëdhënie me publikun shqiptar.
“Duhet të ngremë pyetjen se përse kjo pëlqyeshmëri nuk ekziston edhe në ambientin tonë. Ndoshta nuk e kemi kryer mjaftueshëm fazën e promovimit dhe pikërisht këtu jemi përqendruar në këtë festival”, shtoi ai.
Përpara nisjes së edicionit, organizatorët kanë zhvilluar një strategji promovimi të përqendruar jo vetëm te filmat, por edhe te autorët e tyre. Përmes intervistave, podkasteve dhe prezantimit në rrjetet sociale, festivali ka synuar t’u japë kineastëve mundësinë të flasin për punën, përvojën dhe qëndrimet e tyre mbi çështjet kryesore të kinematografisë.
Sipas Butkës, një nga objektivat kryesore të këtij edicioni është të tërheqë publikun e ri, i cili sot ka pak njohuri për kinemanë shqiptare, regjisorët dhe aktorët e saj.
“Duam që publiku të kthejë kokën. Do të dëshironim shumë që të ishte një publik i ri, sepse kemi konstatuar se, në një masë të madhe, rinia shqiptare nuk e njeh fare kinematografinë e këtij vendi”, u shpreh ai.
Ndryshe nga kinematografitë e mëdha, ku aktorët vendas shndërrohen në figura frymëzuese për brezat e rinj, Butka mendon se në Shqipëri kjo lidhje është dobësuar. Të rinjtë njohin dhe admirojnë aktorë të huaj, ndërsa kanë gjithnjë e më pak kontakt me krijuesit dhe prodhimet vendase.
Festivali synon ta “shpluhurosë” këtë realitet dhe ta riprezantojë kinemanë shqiptare në një formë të re. Për Butkën, suksesi i parë do të ishte që të rinjtë të hynin në sallat e kinemasë, qoftë edhe fillimisht vetëm nga kureshtja.
“Ka shumë filma interesantë, si filma të gjatë, ashtu edhe filma të shkurtër të realizuar nga bashkëmoshatarët e tyre. Ka dokumentarë dhe filma të animuar. Është një ofertë ndaj së cilës është e vështirë të qëndrosh indiferent”, përfundoi ai.